Kryeministri Berisha u bën thirje autoriteteve të Kosovës të bashkërendojnë veprimet me vendet e Grupit të Kontaktit
Kryeministri Berisha u bëri thirrje sot autoritete të Kosovës që të mos ndërmarrin veprime të njëanshme, por të koordinojnë veprimet me Grupin e Kontaktit, për çështjen e statusit. Kryeministri e bëri këtë deklaratë gjatë fjalës së mbajtur në punimet e Konferencës së 12-të të Këshillit të Atlantikut për Shqipërinë.
“Qeveria shqiptare u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të mos ndërmarrin veprime të njëanshme, por të koordinojnë dhe të bashkërendojnë opsionin e mbetur. Sepse duket se opsioni i mbetur, të paktën për momentin, është ecja nëpërmjet njohjes një nga një të pavarësisë së Kosovës dhe ky proces duhet të bashkërendohet me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit”, tha Kryeministri Berisha. Ai u shpreh se këto vende kanë një koncept të qartë për paqen, stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, të cilat mbështesin në tërësi projektin e Presidentit Ahtisari dhe kanë luajtur një rol përcaktues në daljen e Ballkanit, nga spirali i luftërave, i barbarive, i spastrimeve në etnike, në arenën e bashkëpunimit, miqësisë dhe integrimit.
Qeveria shqiptare, u shpreh Kryeministri, beson se projekti që përgatiti Presidenti Ahtisaari dhe që e dorëzoi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ishte një projekt shumë i ndershëm, i drejtë, mbi të cilin qëndronte paqja në Kosovë. Por ky projekt ishte shumë i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por dhe për paqen në rajon. Projekti garantonte standardet më të gjera se në çdo vend tjetër të Evropës për minoritet.
“Projekti i Presidentit Ahtisaari njihte dhe vullnetin e shumicës për pavarësi, si zgjidhjen e vetme që jep paqe dhe stabilitet. Ky projekt u refuzua nga Beogradi, duke dëshmuar për fat të keq se preokupimi kryesor i Beogradit nuk janë të drejtat dhe liritë e serbëve në Kosovë, por territori. Ky pozicion është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërthënie të plotë me paqen e qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri përshëndeti përpjekjet e Trojkës, e cila më datën 10 dhjetor do të dorëzojë raportin.
Megjithatë, Kryeministri u shpreh optimist “se paqja dhe stabiliteti, pavarësisht nga vështirësitë e krijuara me statusin e Kosovës, do të krijojnë zhvillime më pozitive në zgjidhjen përfundimtare të Statusit të Kosovës, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj”.