E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anti-Irlanda, Kuzheja me dy surpriza



Dy rikthimet e mëdha, portieri Arjan Beqaj dhe kapiteni Altin Lala, si dhe thirrja për herë të parë Kombëtaren A të mbrojtësit kosovar të Bokumit (Bundesliga 1), Mërgim Mavraj, janë të tre të rejat e trajnerit Josip Kuzhe në listën prej 21 futbollistësh të thirrur për miqësoren e 3 marsit kundër Irlandës së Veriut. Arjan Beqaj (luan në Qipro me Anorthosis Famagusta) nuk aktivizohet me Kombëtaren qysh para ndeshjes me Hungarinë (26 mars) për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010 (për shkak se nxori shpatullën gjatë seancave stërvitore në Durrës), atëherë në krye të bankinës kuqezi ishte holandezi Ari Han. Edhe “xhuxhi luftarak” i Hanover 96, Altin Lala, edhe pse zyrtarisht ka qenë kapiteni i Shqipërisë, nuk ka pasur fatin të thirret në asnjë nga gjashtë ndeshjet e Kombëtares së drejtuar nga Josip Kuzheja për shkak të një dëmtimi afatgjatë. Ndeshja e fundit e Altin Lalës me Kombëtaren ishte ajo kundër Portugalisë (0-0) në Braga.
Takimi kundër Iralndës së Veriut edhe testi i parë ndërkombëtar pas hedhjes së shortit të eliminatoreve të Kampionatit Europian të vitit 2012, ku Shqipëria bën pjesë në grupin D së bashku me Francën, Rumaninë, Bosnjën, Bjellorusinë dhe Luksemburgun.
Ndaj Irlandës së Veriut, Shqipëria është ndeshur 8 herë (të gjitha zyrtare), duke pasur një bilanc natyrisht negativ: 1 fitore, 2 barazime, 5 humbje. Golaverazhi: 4-13. Të vetmen fitore kundër tyre e kemi regjistruar për eliminatoret e Kampionatit Botëror 1998, më 10 shtator të vitit 1997, në një ndeshje të zhvilluar në fushë asnjanëse, në Cyrih të Zvicrës, falë një goli të Altin Haxhit. Skuadra jonë drejtohej asokohe nga Astrit Hafizi. Kjo ndeshje është edhe fundit midis dy vendeve.
Në vijën e parë, trajneri kroat ka konfirmuar Erjon Bogdanin (2 gola me Kievon këtë sezon në Serinë A, Itali), Edmond Kapllanin (2 gola me Tus Koblenz, Bundesliga 2, Gjermani), Hamdi Salihin (12 gola në kampionatin austriak me Rapidin e Vjenës) dhe golashënuesin më të mirë të Superligës shqiptare, Elis Bakajn e Dinamos. Mungesa e Besart Berishës është kthyer në një normalitet nga Josip Kuzheja.

LISTA

1. Arjan Beqaj Anorthosis Famagusta
2. Isli Hidi Kryvbas
3. Andi Lila Tirana
4. Armend Dallku Vorskla Poltava
5. Kristi Vangjeli Aris Selaniku
6. Ansi Agolli Kryvbas
7. Lorik Cana Sunderland
8. Mërgim Mavraj Bochum
9. Altin Lala Hanover 96
10. Debatik Curri Vorskla Poltava
11. Ervin Bulku Kryvbas
12. Klodian Duro Apollon Limasol
13. Ervin Skela Tus Koblenz
14. Jahmir Hyka Mainz
15. Gilman Lika Boluspor
16. Emilian Vila Dinamo
17. Gjergj Muzaka Tirana
18. Erjon Bogdani Chievo
19. Hamdi Salihi Rapid i Vienës
20. Edmond Kapllani Tus Koblenz
21. Elis Bakaj Dinamo

Trajner
Josip Kuzhe

BILANCI ME IRLANDËN E VERIUT

07.05.1965, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 4-1
Trajner: Zyber Konçi
Shënues: Robert Jashari
El.KB 1966

24.11.1965, Tiranë
Shqipëri-Irlandë V. 1-1
Trajner: Loro Boriçi
Shënues: Mehdin Zhega
El.KB 1966

15.12.1982, Tiranë
Shqipëri-Irlandë V. 0-0
Trajner: Shyqyri Rreli
El.Euro 1984

27.04.1983, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 1-0
Trajner: Shyqyri Rreli
El.Euro 1984

09.09.1992, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 3-0
Trajner: Bejkush Birçe
El.KB 1994

17.02.1993, Tirana
Shqipëri-Irlandë V. 1-2
Trajner: Bejkush Birçe
Shënues: Altin Rraklli
El.KB 1994

14.12.1996, Belfast
Irlandë V.-Shqipëri 2-0
Trajner: Astrit Hafizi
El.KB 1998

10.09.1997, Zyrih
Shqipëri-Irlandë V. 1-0
Trajner: Astrit Hafizi
Shënues: Altin Haxhi
El.KB 1998

Bilanci: 8 ndeshje; 1 fitore, 2 barazime, 5 humbje. Golaverazhi: 4-13. Golashënuesit e Shqipërisë: Robert Jashari, Mehdin Zhega Altin Rraklli, Altin Haxhi

SHQIPËRIA ME KUZHENË

ZYRTARE
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 4-1

MIQËSORE
Shqipëri-Gjeorgji 1-1
Shqipëri-Qipro 6-1
Estoni-Shqipëri 0-0

Bilanci: 6 ndeshje; 1 fitore, 3 barazime, 2 humbje. Golaverazhi: 10-9

25 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›