Kosovë, serbët pajisen me dokumente të shtetit të ri
Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica gjithnjë e më shumë po aplikojnë për dokumentet e lëshuara nga organet shtetërore të Kosovës. Një veprim i tillë cilësohet si pozitiv nga organet komunale të Mitrovicës, ndërkohë që strukturat politike serbe nga veriu e gjykojnë si negativ dhe ftojnë sërish serbët që t’i refuzojnë dhe bojkotojnë institucionet e Republikës së Kosovës.
Zëdhënësi në komunën e Mitrovicës, Hysni Syla, thotë se ka një dukuri në rritje të aplikimeve për dokumente personale nga ana e qytetarëve serbë, krahasuar me vitin e kaluar. “Është një numër i caktuar që dëshmon se qytetarët serbë i kërkojnë dokumentet e Republikës së Kosovës. Rreth 300 dokumente të lëshuara tregojnë se ata nuk hezitojnë që të vijnë në komunë dhe t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme, të cilat atyre u duhen. Është fjala për certifikata të lindjes, të vdekjes, të shtetësisë e të tjera”, thotë Syla. Përveç certifikatave e dokumenteve të tjera, statistikat tregojnë se është rritur edhe numri i aplikimeve për pasaporta dhe letërnjoftime të Kosovës. Duke e parë tendencën në rritje të aplikimeve për dokumentet e shtetit të Kosovës, organet paralele serbe nga veriu i Mitrovicës u kanë dërguar apel serbëve që t’i bojkotojnë dokumentet e Republikës së Kosovës.
Mali i Zi
Gati për dialog politik me Brukselin
Bashkimi Europian do të fillojë në qershor dialogun politik me Malin e Zi, duke marrë parasysh edhe përfundimin e procedurave të ratifikimit të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit", - deklaroi Sekretari spanjoll i Shtetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Anhel Losada. “BE-ja e konsideron Malin e Zi si faktor të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe e konsideron të shkëlqyer aktivitetin që vendi zbaton në bashkëpunimin rajonal, - theksoi Losada në takimin “Dialogu politik BE - Mali i Zi”, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Jashtëm malazez, Milan Roçan.
Turqi
Shtatë gjeneralë paditen për komplot
Një gjykatë turke ka paditur shtatë oficerë të lartë ushtarakë për komplot për të përmbysur qeverinë. Katër nga ata që po mbahen në gjendje arresti janë admiralë dhe një është gjeneral. Ata janë në mesin e rreth 50 figurave të larta ushtarake, disa në pension, të cilët ishin arrestuar në fillim të javës. Autoritetet thanë se ata kishin planifikuar që të krijojnë kaos duke bombarduar xhamitë si dhe duke rrëzuar aeroplanë ushtarak. Gjatë dy viteve të fundit, më shumë se 200 vetë janë arrestuar nën akuza të ngjashme. Shkalla e operacioneve të fundit ndaj autoriteteve ushtarake kanë qenë të paprecedenta.
SHBA
Ende pro dënimit me vdekje
Dënimi me vdekje në SHBA vazhdon të mbetet një prej pikave më të diskutuara, edhe pse shumë njerëz e kundërshtojnë atë. Që prej rikthimit të dënimit me vdekje në vitin 1976 janë ekzekutuar më shumë se 1200 vetë. Afro 3000 të dënuar me vdekje presin momentalisht në burgje ekzekutimin e tyre. Këtu nuk kanë mundur të ndryshojnë dot gjë as protestat e shumta ndërkombëtare. Megjithatë dënimi me vdekje refuzohet edhe nga gjithnjë e më shumë qytetarë amerikanë. Drejtësia penale në SHBA është në pjesën më të madhe çështje e shteteve të veçanta federale. Prej tyre aktualisht 32 praktikojnë ende dënimin me vdekje.
25 Shkurt 2010