Kinematografi Saim Kokona me një album fotografik në 76-vjetorin
Kinematografi i njohur shqiptar, “Artist i Merituar”, Saim Kokona do të festojë nesër në Teatrin Kombëtar, 76-vjetorin e lindjes. Në aktivitetin e organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, për të nderuar operatorin dhe drejtorin e fotografisë, AQSHF do të prezantojë albumin fotografik me krijmtarinë e Saim Kokonës, autor i më shumë se 30 filmave artistikë e dokumentarë gjatë këtyre viteve. Saim Kokona është vlerësuar me çmime të ndryshme për karrierën e tij të gjatë si dhe mban titullin e lartë "Artist i merituar". Arkivi ka përgatitur edhe një projeksion 27 minuta, montazh me disa nga krijimet e tij më të mira në karrierën e gjatë artistike. Në përbërjen e albumit fotografik çdonjëra prej tyre ka një rrjedhë kujtimesh, mbart mbi vete një histori, një mesazh brenda 76 vjetëve. Gjatë këtij takimi mes miqsh, kolegësh e dashamirës të tij, nuk do të mungojnë diskutimet e përshëndetjet, si dhe do të shfaqet një montazh, 27 minuta, me disa nga krijimet më të mira në karrierën e gjatë artistike. Saim Kokona lindi në Gjirokastër, më 26 shkurt 1934. Në moshën 10-vjeçare shpërngulet familjarisht në Tiranë, ku mori edhe arsimin e parë. Kreu liceun artistik, “Jordan Misja”, për pikturë. Studimet e larta i mbaroi në çeki për operator në vitin 1960. Më vonë, kthehet në kinostudion “Shqipëria e Re” dhe e nis karrierën e tij me xhirimet e kronikave të ndryshme dhe filma dokumentarë. Ndër ta: “20-vjetori i Çlirimit të Tiranës”, “Takim me artin kinez”, “Në festivalin e 11-të të Këngës”, “Ata quheshin arbër”, “Pesëdhjetëvjetori i lavdishëm”. Filmi i parë artistik i xhiruar nga Kokona është “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), me regji të Pirro Milkanit dhe Gëzim Erebarës. Nga viti 1960, deri në vitin 1991, kur edhe doli në pension, punoi në kinostudion “Shqipëria e Re” si operator, ku realizoi 30 filma artistikë e po aq filma dokumentarë. Ka punuar me regjisorë të shquar si: Dhimitër Anagnosti, Vitor Gjika, Piro Milkani, Gëzim Erebara, Xhanfise Keko, Rikard Ljarja, Kristaq Dhamo, Hysen Hakani e shumë të tjerë. Ndër filmat e tij më të suksesshëm janë: “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Ndërgjegjja”, “Brazda”, “Beni ecën vetë”, “Koncert në vitin 1936”, “Radiostacioni”, “Njeriu i mirë”, “Taulanti kërkon një motër”, “Apasionata”, “Shpella e piratëve” etj. Filmat e tij dallohen për intuitën artistike, për mënyrën e xhirimit, këndet e vështrimit, kompozimin e kuadrit, të cilat futen thellë në botën shpirtërore të aktorit dhe vijnë natyrshëm te spektatori.
Filmografia
* Babai i studentit (1988)
* Shpresa (1988)
* Sinjali i dashurisë (1988)
* Eja! (1987)
* Fjalë pa fund (1986)
* Mondi dhe Diana (1985)
* Të mos heshtësh (1985)
* Taulanti kërkon një motër (1984)
* Apasionata (1983)
* Dritat e qytezës (1983)
* Njeriu i mirë (1982)
* Dita e parë e emrimit (1981)
* Në prag të lirisë (1981)
* Sketerre 43 (1980)
* Balonat (1979)
* Radiostacioni (1979)
* Koncert në vitin 1936 (1978)
* Cirku në fshat (1977)
* Me studentët ushtarakë (1977)
* Shëmbja e idhujve (1977)
* Pylli i lirisë (1976)
* Beni ecën vetë (1975)
* Kursim, kursim, kursim (1975)
* Miq në festën tonë (1974)
* Shpërthimi (1974)
* Ata quheshin Arbër (1973)
* Brazdat (1973)
* Ndërgjegja (1972)
* Shkolla tingujt ngjyra (1972)
* Vështrim përmes mijëvjeçarëve (1972)
* Shkolla dhe rrugët e jetës (1971)
* Takim me artin revolucionar kinez (1971)
* Guximtarët (1970)
* Njësiti guerril (1969)
* Prita (1968)
* Në gjurmët partizane (1967)
* Ngadhnjim mbi vdekjen (1967)
* Në rjedhën e jetës (1965)
* Takim me Arbreshët (1965)
* Qemal Stafa (1964)
25 Shkurt 2010