Kremtohet 200 vjetori i Chopinit në Shqipëri
Romancieri, pianisti dhe kompozitori Frederic Chopin (1810-1849) shënon këtë vit 200 vjetorin e lindjes. Skena ndërkombëtare e muzikës, këtë vit e ka shpallur viti Chopin, vitin e fenomenit unik në historinë e muzikës piano, vlerat e paçmueshme dhe të bukura e të cilit dëgjohen me kënaqësi në të gjitha botën. Viti 2010, i shpallur si Viti Chopin do të kremtohet edhe në Shqipëri për nder të këtij kompozitori të njohur botëror. Kremtimet e Vitit të Chopin 2010 në Shqipëri, hapen me një aktivitet kulturor-artistik organizuar në bashkëpunim me Shoqatën “F. Chopin”, Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Poloni, Ambasadën e Polonisë dhe atë të Francës në Tiranë. Në sheshin prapa Akademisë së Arteve, në rrugën “Lek Dukagjini”, ku ndodhet busti i Chopinit, të dielën, datë 28 shkurt, ora 11:00, do të kryhet ceremonia e zbulimit të pllakës me emërtimin e sheshit “Chopin” dhe do të jepet një koncert në natyrë me muzikë të pianistit të famshëm polak. Pjesët, që do të luhen nga pianistë të rinj, janë Polonaise -ouvre posthume sol, Mazurca-re, Valcs-op posthum-mil, Polonaise-re, Studio Revolution dhe Grande Polonaise. Në këto koncerte që do të zhvillohen për nder të kompozitorit të njohur botëror do të jenë pjesëmarrës artistë të rinj të talentuar, por dhe emra të njohur të skenës shqiptare. Ndërkohë që Polonia ka filluar që më 1 janar të shënojë zyrtarisht “Vitin e Chopinit” në Zelazoëa Ëola, vendin ku u lind Chopini. Gjatë këtij viti jubilar janë bërë të ditur se do të zhvillohen rreth 1200 koncerte, ekspozita, filma dhe shfaqje teatrale kushtuar Chopinit, ndërkohë që një koncert dhe një ekspozitë ka çelur këto festime, të cilat kanë nisur pikërisht prej Parkut të Muzikës. Gjithashtu, Varshava ka organizuar edhe edicionin e 16 të konkursit kombëtar për piano, i cili zhvillohet deri në fund të muajit tetor. Ky konkurs ka për qëllim të zbulojë dhe të vlerësojë talente të reja. Nga data 15 qershor deri më 13 korrik në Ville Lumiere do të zhvillohet festivali “Chopin në Paris”, por fillimisht më 1 mars do zhvillohet një koncert në sallën e madhe Playel në Rue du Faubourg Saint-Honore, ditë kur edhe ka lindur kompozitori i madh polak. Edhe këtë vit në kryeqytetin francez ashtu si dhe çdo vit tjetër do të organizohet nga UNESCO, nga data 15 deri më 13 korrik, “The Young People’s Tribute”. Nuk mbetet pas dhe Londra, e cila po përgatitet për një aktivitet, data e të cilit ende nuk është bërë e ditur në Carnagie Hall. Ndërsa në Firence, Romë e Venecia kanë nisur tashmë kremtimet, ndërsa La Scala e Milanos do t’i kushtojë një ditë të veçantë me aktivitete të ndryshme në fillim të muajit maj. Ndërkohë që Parlamenti i Varshavës e ka caktuar vitin 2010 si vitin e festimeve në nder të pianistit dhe kompozitorit më të famshëm polak.
Shtypi austriak vlerëson lart koncertin e pianistes së re Ardita Statovci
Shtypi austriak ka vlerësuar lart koncertin e pianistes së re nga Kosova, Ardita Statovci. Kështu gazeta "Kronenzeitung" shkruan "për një recital shumë të këndshëm pianistik në Schloss Traun", të pianistes së re nga Prishtina, Ardita Statovci, "e cila në pjesët poetike të programit nga Schuberti dhe Brahmsi të priste me një formim tingulli të butë të e të diferencuar". Më tej gazeta shkruan: "Në dy kohët e para të Sonatës b Moll të Chopinit e veçanërisht në Sonatën e Bartókut (1926), artistja të përfitonte me një 'tingëllimë telash' eksplozive, të fuqishme e të kthjellët të një kualiteti super elitar. Diku në mes te këtyre veprave u dëgjua një lojë e kristaltë margaritarësh të Sonatës së Mozartit KV 567". Ndërkaq gazeta tjetër "Neues Volksblatt", nën titullin "Prove talenti e nje pianisteje të re", pasi lavdëron institucionin kulturor të Traun it, Vest, që ka ftuar një pianiste të re nga Prishtina për një mbrëmje në Schloss, më tej shkruan": "Ia vlen që të udhëtosh për të shkuar në Traun apo edhe kudo tjetër, për të dëgjuar Ardita Statovcin (1982), e gjatë dhe elegante ashtu siç u paraqit ne skene. Ajo u dëshmua me kapje të fuqishme të një mori tingujsh të dendur, siç gjenden te Sonata e Bartokut e vitit 1926, pastaj me lojën prej margaritarësh të Sonatës në b mol të Chopinit, e posaçërisht me servimin virtuoz dhe me ndjesi të Sonatës së Mozartit KV 567. Shkollimin e saj gjithëpërfshirës, ajo e vërtetoi dhe e dëshmoi edhe me përzgjedhjen e programit. Audiencën e shumtë në Schloss Traun, artistja nga Ballkani e bëri për vete me dhënien e ngjyrës së ndjeshme të atmosferes romantike të pjesët e Schubertit D 946. Kur ajo pastaj për bis e bëri të rrëshqiste si margaritar një pjesë bravuroze nga György Kurtag, ishte e qartë: emri Statovci duhet të mbahet mend".
25 Shkurt 2010