Anti-klerikalizmi doktrinar komunist
Gjatë historisë së shekullit të kaluar Shqipëria i dëfteu botës zhytjen e përkohshme në republikën ateiste të absurdistanit, ku kulti i Partisë zëvendësoi religjionet mijëravjeçare, për një afsh pushtet të një njeriu amoral. Viti i shpalljes së shtetit shqiptar ateist më 1976-n, shpesh është gjykuar si përmbushja e dëshirës totalitare të Enver Hoxhës, i cili në pamundësi për ta kontrolluar krejt klerin katolik, vendosi eliminimin e tij. Divorci me inteligjencën donte sakrifikimin e Altarit. Mirëpo diktatori nuk shpiku asgjë. Ai mori modelin në miniaturë të zbatuar nga Stalini dhe më pas e shkartisi me atë çka Lin Biao bënte në Kinë dhe e amplifikoi deri në rrashtë atë çka doktrina e “revolucioni-t” kulturor as që e kishte imagjinuar. Së pari u zbatua modeli i persekutimi stalinist, i cili filloi në fundin e viteve ’20 dhe mori përmasa të jashtëzakonshme në vitet ’30. Stalini deklaronte, me 15 maj të 1932, se do ta shkatërronte plotësisht religjionin, por shënimi i 57% të popullsisë si besimtarë në regjistrimin e 1937 dhe LDB-ja, e parë nga pragmatizmi stalinist, e motivoi udhëheqësin të ngadalësonte ritmet e persekutimit, por që faktikisht nuk morën fund. Së dyti: është modeli i Titos, që menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, filloi persekutimet ndaj elitave fetare, ku pa shumë fjalë kisha katolike u trajtua me ashpërsi për kolaboracionizmin e një pjese të klerit me ustashët në Kroaci e Bosnje. Por shpejt e ndali sulmin ndaj klerikëve pasi e dinte mbështetjen e tyre në popull dhe krijoi të ashtuquajturin “Koncil të Ohrit” në 1967, që i dha autoqefalinë kishës ortodokse. Një afrim me Kishën ortodokse kishte ndërmarrë edhe Stalini pas sulmit gjerman të 1941-it, sepse i nevojitej mbështetja popullore.
Pas luftës, në Bashkimin Sovjetik, rikthehen në funksion 22 mijë kisha dhe manastire në 76 dioqeza, me 36 mijë priftërinj dhe 19 mijë murgj – institucionet dhe kleret e tjera vazhdojnë gjendjen e mëparshme të persekutimit dhe gjendje ilegaliteti. Pas një kontrolli të rreptë dhe lidershipi të padiskutueshëm, Partia mund të pranonte rolin social të Kishës ortodokse, gjithmonë brenda kornizave të caktuara nga shteti.
Kurse komunistët shqiptarë me Enverin në krye, kishin si qëllim kryesor realizimin në praktikë të gjithçkaje që buronte nga teoria dhe idhujt e tyre. Enver Hoxha, i pabesë, mori nga Tito urdhrin të eksperimentonte dhe të dobësonte klerin shqiptar, çka për nga natyra, si i zellshëm në punë shfarosjesh, nuk e ndali fare dorën. Bile shkoi më tej sepse e dinte se ai e kishte të pamundur ta kontrollonte klerin katolik.
Me datën 6 shkurt 1967, në mbledhjen e disa organizatave të Partisë në Tiranë, Enver Hoxha i hap dritën jeshile këtij “revolucioni” terrorist, kësaj lufte të furishme “kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare”, e cila do të shtrihej në të gjitha skajet e vendit, me të njëjtin intensitet e tërbim qensh. Revolucioni pseudo-kulturor u kthye në një luftë të brendshme me goditje të përqendruar, kundër të gjitha religjioneve në Shqipëri e posaçërisht kundër Kishës e Klerit katolik.
Me 10 korrik të vitit 1968 u inaugurua në qytetin e Shkodrës ekspozita ateiste: “Mbi rolin reaksionar të fesë”. Kjo qëndroi e hapur më tepër se pesë vjet, e më pas kjo ekspozitë u shndërrua në “Muzeumin Ateist” të Shkodres që u inagurua me 9 qershor të vitit 1973 në prag të hapjes së Kongresit VII të gruas. Një kulm do të arrihej në vitin 1976 kur Shqipëria do të vetë-shpallej një vend ateist dhe me Kushtetutë do ndalohej çdo veprim feje. Neni 37 i Kushtetutës së vitit 1976 thotë: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandë ateiste për te rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor. Neni 55: “Ndalohet krijimi i çfarëdo organizate me karakter... fetar. Ndalohet veprimtaria dhe propaganda ...fetare”. E tërmeti qe i tmerrshëm. Ai ra mbi tërë popullin shqiptar, por duke pasur epiqendër klerin katolik, i cili, mund të themi pa frikë se është kleri më i masakruar në tërë historinë europiane. U pushkatuan 31 klerikë, vdiqën në tortura 8, u mbytën pa gjyq 3, vdiqën në burgje e kampe internimi ose pak kohë mbas torturash 23, dolën nga burgu (sa gjallë) 66. Të gjitha vitet e burgut janë afro 9 shekuj, kaluan rreth 33 vjet hetuesi të përbindshme. Këta klerikë kishin kryer rreth 450 studime në 24 universitete të Evropës. E mos të harrojmë se ishin vetëm 135, nga të cilët u martirizuan 131.
Sidoqoftë diktatori Hoxha shfaqi një anomali demoniake me precedentët sovjetikë, jugosllavë dhe dacibaot kineze. Ai ndoqi një politikë me propagandë se besimi është një ndjenjë armiqësore mes njerëzish, e cila nxit për tradhti ndaj atdheut dhe për prapambetje, duke thënë se gjoja populli vetë nuk e donte më fenë dhe ishte vetë-shpallur kundër fesë. Ai fillon asgjësimin. Por komunisti Enver nuk veproi vetë. Komunisti Mehmet, internacionalist në Luftën e Spanjës kishte parë e mbase marrë pjesë në Terrorin e Kuq, gjatë të cilit u dogjën manastire e kisha, u vranë 6832 priftërinj, përfshi 13 peshkopë, u ekzekutuan (qëlluan me skuadra pushkatimi) monumente dhe kishat u kthyen (si tek ne më vonë) në casa del pueblo. Sepse komunizmi jakobin shqiptar i përket një ideologjie që nuk pranon rivalë jo veç në tokë, por as në qiell.