Rama hedh në gjyq pluralizmin
Edvini ka paditur deri më tani 40 deputetë të PD-së. Ai s’jep asnjë përgjigje për akuzat që i bëhen, por s’pranon kritikat apo mendimin ndryshe. Ka dënuar me eliminim sjelljet oponente brenda partisë konfirmon se është një kundërshtar i pluralizmit. I mësuar në bashki, me frazat “fluturon-fluturon gomari” dhe ku askush s’e beson, Edi Rama është i habitur si mund të jetohet në pluralizëm dhe i ka vënë vetes synim të luftojë sa të mundet kundër tij
Një lajm i prodhuar dje nga Edi Rama rrufeshëm bëri xhiron e zakonshme mediatike. Paditë e tij ndaj mazhorancës, deputetëve, ministrave, apo drejtuesve të tjerë të PD-së, dje arritën numrin 40. Kështu i bie që për 40 hajdutllëqet e Edi Ramës, të kemi 40 dosje në prokurori apo në gjykatë, me minimalisht edhe 40 hajdutë, të tjerë, ortakë apo partnerë të Ali Babës-Edi Rama.
Pa i hyrë historisë së dosjeve që dergjen rafteve të prokurorisë apo gjykatave, të harruara e të pluhurosura, numri 40, përveç domethënies që mbart, domethënie e hershme që nga personazhi i njohur i “Përrallave të 1001 netëve”, rikonfirmon zbulimin e anës tjetër të Edi Ramës, e cila lidhet me gjetjen e tij “origjinale”, duke mos ju dhënë asnjë përgjigje publike akuzave publike të lëshuara ndaj tij.
Kjo sjellje “origjinale” e Edi Ramës, më shumë se çdo gjë tregon humbjen e masës nga ana e tij, jo pse ka depozituar 40 padi ndaj mazhorancës (rast unikal ky, ndërkohë që normalisht duhet të ndodhte e kundërta), sepse si 4 padi, si 40 padi, si 400 padi nga ana e tij (Edi Ramës), të njëjtën sensibilitet kanë, atë të zhvlerësimit edhe të “institucionit të padisë” dhe të shndërrimit të tij në personazh të denjë anekdotash. Por kjo humbje e masës nga ana e Edi Ramës, dukshëm bie në sy, se ai njëherazi demonstron një sjellje prej tip që nuk kupton se çfarë është kritika, apo mendimi ndryshe.
Këtë e bën me dy standarde.
Ndërsa vetë nxjerr me radhë për çdo ditë të gjithë burra-gratë e partisë së tij, të hedhin baltë mbi deputetë, ministra, apo edhe familjarë të tyre, duke përfituar se të akuzuarit nga burra-gratë e tij, për shkak të një kodi etike e morali të pashkruar, nuk mund të përballen padi reciproke, ky vetë (Edi Rama), i rikthehet pas çdo sqarimi publik nga deputetë e ministra të mazhorancës, sërish të njëjtave akuzave publike, ndërsa një herë të vetme nuk guxon që publikisht të japë përgjigje për asnjë nga 40 hajdutllëqet e tij.
Realisht, ai nuk mund të sillet ndryshe edhe po të dojë. Kjo sepse, tashmë ai e ka shndërruar në “normë” mospranimin e kritikave, mospranimin e mendimit ndryshe, e thënë ndryshe mospranimin e pluralizmit. Jo vetëm kaq, por ai këtë “normë”, më së miri “e ka bërë të vetën”, me sjelljen e tij brenda partisë që drejton.
E gjithë historia e qenies së tij në krye të PS-së, është një konfirmim se ai është kundër pluralizmit dhe se nuk mund të pranojë pluralizmin, qoftë kur këto mendime pluraliste i thonë se e ka shndërruar partinë në “parti biznesmenësh”, qoftë kur këto mendime pluraliste i kërkojnë dorëheqjen për humbjen e zgjedhjeve, qoftë kur këto mendime pluraliste i kërkojnë të bëjë analizën e humbjes së zgjedhjeve, qoftë kur këto mendime pluraliste i kërkojnë të mos bojkotojë parlamentin, apo edhe qoftë kur këto mendime pluraliste i kërkojnë të lexojë qartë mesazhet e ndërkombëtarëve dhe jo sikurse bëri te darka e “Crocodile”-s, në përfundim të së cilës, sapo u zbardh dita e re, u kujtua se duhet të refuzonte mendimet pluraliste, pse dhe vetëm ato ishin kundër mendimeve të tijat.
Këtë “normë” (jo vetëm për të keqen e tij) anti pluralizmit, për të keqen e tij Edi Rama në mënyrën më të dhunshme ia ka ngjitur vetes, që në krye të herës, kur mori drejtimin e bashkisë së Tiranës, ku mjaftonte tu thoshte vartësve të tij, të të gjitha niveleve se “fluturon gomari” dhe turma e ekzaltuar e bashkisë të ulërinte “fluturooooooooon”.
Duke mos kuptuar se mazhoranca, apo anëtarësia e partisë, nuk kanë asgjë me mënyrën e emërimeve të tij në bashki, Edi Rama habitet se si në pluralizëm, njerëzit kritikojnë, kanë mendimin e tyre dhe s’përshtaten me mënyrën e të menduarit nga ana e tij, aq sa edhe kur e akuzojnë publikisht, ai zgjedh të mendohet pa zë, duke pritur që prokuroria apo gjykata të lëshojnë certifikata “virgjërie”, për 40 hajdutllëqet apo edhe 40 hajdutët, ortakë e partnerë të tijtë.