E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-sekretari i Metës, nën akuzë për vrasje, rrëmbime dhe drogë



NJU JORK - Zyra Federale e Hetimeve (FBI) ka bërë publike akuzat që rëndojnë mbi organizatën shqiptare të njohur si “Korporata Krasniqi”, pjesë e së cilës ishte dhe Almir Rrapo, zyrtari i lartë i Ministrisë së Jashtme, i arrestuar në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë. Sipas të dhënave, arrestimi i Almir Rrapos, ish- zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, brenda në Ambasadën Amerikane në Tiranë teksa po aplikonte për vizë, nuk ka qenë i rastësishëm, por në vazhdën e një operacioni të agjentëve federalë të FBI-së, i cili kishte nisur në qershor në SHBA. Ish-sekretari administrativ i ministrit Meta akuzohet se është anëtar i një organizate ndërkombëtare kriminale që vepronte në Amerikë dhe drejtohej nga vëllezërit Krasniqi. Gati dy muaj pas arrestimit të tij (më 2 korrik 2010), prokurorët e Nju Jorkut mbyllnin dosjen e akuzave ndaj Almir Rrapos dhe 16 anëtarëve të tjerë të organizatës ndërkombëtare kriminale, e cila drejtohej nga dy vëllezërit Krasniqi.
Akuzat ndaj Rrapos
Të hënën, në një gjykatë të Nju Jorkut, prokurorët kanë dorëzuar akt-padinë prej 37 faqesh. 27-vjeçari shqiptar akuzohet se është anëtar i “Korporatës Krasniqi”, një organizatë ndërkombëtare e krimit, e akuzuar për vrasje, rrëmbim, trafik të lëndëve narkotike dhe veprimtari të tjera të paligjshme në Shqipëri dhe SHBA. Byroja Federale e Hetimeve në Nju Jork, në një deklaratë për shtyp, thotë se “organizata vepronte në Nju Jork, Konektikat dhe Miçigan”. Prokurorët në Nju Jork thonë se në vitin 2005, Rrapo, i njohur dhe me emrin “Miri”, ka marrë pjesë në vrasjen e Erion Shehut më 17 korrik në lagjen “Queens” të këtij qyteti. Ai akuzohet gjithashtu se ka marrë pjesë në rrëmbimin e një rivali në trafikun e drogës. Prokuroria thotë se organizata e Krasniqit kërkonte të pasuronte anëtarët e saj nëpërmjet skemave të ndryshme kriminale, duke përfshirë këtu dhe trafikimin e më shumë se 680 kilogramëve marijuanë dhe duke përdorur dhunën dhe armët në mbrojtje të territorit ku vepronte. Ndaj Rrapos, Byroja Federale e Hetimeve ka ngritur akuza për vrasje, një rrëmbim, dy akuza për mashtrim dhe krime të tjera. Nëse ndaj 27-vjeçarit vërtetohen akuzat, ai do të përballet me burg të përjetshëm, thuhet në faqen zyrtare të FBI-së së Nju Jorkut. "Ky rast na kujton se, pavarësisht nga natyra gjithnjë e më globale e krimit të organizuar, rreziqet e saj janë pikërisht këtu në rrugët e qytetit tonë”, - ka thënë prokurori i SHBA-ve në Manhatan, Preet Bharara, në një deklaratë të djeshme, citojnë mediat amerikane.
Rrapo në paraburgim
Almir Rrapo aktualisht ndodhet i paraburgosur në qelitë e Burgut 313. Më 22 korrik, Gjykata e Apelit vendosi masën e sigurisë 60 ditë burg, për t’u dhënë kohë autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sjellë dosjen e plotë me akuzat dhe kërkesën për ekstradimin e tij. Me të marrë njoftim për arrestimin e tij (më 2 korrik) nga Policia e Shtetit, Ministria e Jashtme bëri menjëherë lirimin e tij nga detyra. Në atë kohë PS-ja e cilësoi provë të korrupsionit në qeveri dhe i kërkoi Ilir Metës të japë dorëheqjen. Nga ana e tij, ministri Meta, në një deklaratë për shtyp (më 5 korrik) e cilësoi arrestimin sukses të policisë.
Arrestimet e tjera
Zyra e prokurorit të Përgjithshëm në Nju Jork njoftoi dy ditë më parë dhe për arrestimin e një tjetër anëtari të kësaj organizate, Florian Veshi. 26-vjeçari ishte prangosur të hënën në Bruklin nga forcat e rendit që përfshinin pjesëtarë të Byrosë Federale të Hetimeve dhe policë të qytetit të Nju Jorkut. Më 9 qershor 2010, 13 anëtarë të kësaj bande, përfshi dhe vëllezërit Bruno Krasniqi, 26 vjeç dhe Sajmir Krasniqi, me banim në State Island, u prangosën nga agjentët e SHBA-ve, ndërsa tre persona u shpallën në kërkim. Sipas policisë, banda kishte nisur aktivitetin e trafikut të marijuanës në vitin 2003 dhe ishin të pamëshirshëm në mbrojtje të territorit ku vepronin.

Arrestimi i Almir Rrapos në Ambasadën Amerikane
TIRANË - Almir Rrapo, u arrestua në fillim të muajit korrik, në ambientet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, teksa ishte duke aplikuar për një pasaportë. Treshja gjykuese e Apelit, me gjyqtarë Alaudin Malajn, Shkëlqim Mirin dhe Zeqine Sollakun, pranuan kërkesën e prokurorisë për zgjatjen e paraburgimit të Rrapos deri në mbërritjen e kërkesës së autoriteteve të SHBA-ve për ekstradimin e tij. Kjo trupë gjykuese la në fuqi vendimin e gjyqtarit Agim Bendo në lidhje me vlerësimin e ligjshëm të arrestit të tij. Një vendim i tillë u la në fuqi kundër pretendimeve të mbrojtjes, se klienti i tyre ishte arrestuar brenda territorit të Ambasadës Amerikane, që konsiderohet pjesë e SHBA-ve. Sipas së drejtës ndërkombëtare, Policia shqiptare nuk ka autoritet për të kryer arrestime të personave, si shqiptarë, ashtu edhe amerikanë, në territorin e një selie të huaj diplomatike. Avokati i kërkoi gjykatës lirimin e Rrapos, pasi nuk është ai personi i shpallur në kërkim nga FBI-ja amerikane.

Cila është “Korporata Krasniqi”
NJU JORK - Kjo organizatë njihej me emrin "Krasniqi", që i referohej mbiemrit të dy krerëve të këtij grupi, Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi, të arrestuar në qershor të këtij viti. Bashkë me ta ishte pjesë e drejtimit të kësaj organizate edhe Elton Sejdaris, i njohur si "Tony". Veç këtyre, në këtë grup bënin pjesë edhe Erkliant Sula, Shkëlzen Balidemaj, Plaurent Çela, Skënder Cakoni, i njohur si "Neri", Gjovalin Berisha, i njohur si "Cuz", Dukagjin Nikollaj, i njohur si "Duke", Nazih Nasser, i njohur si "Naz" dhe Gentian Nikolli, i njohur si "Genti". Të gjithë këta janë të arrestuar nga autoritetet amerikane. Këta të pandehur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme, kanë shpërndarë rreth 100 kg marijuanë, të cilën ia kishin grabitur një shqiptari tjetër, që më pas e kanë rrëmbyer duke e kërcënuar me armë për jetën nëse kërkonte paratë e shitjes së marijuanës. Përveç këtij rasti, ata, në qershor të 2005-s, kanë marrë nën kërcënimin e armës disa shpërndarës të marijuanës në zonat që ata kontrollonin, duke i kërcënuar e grabitur pasi kishin hyrë në zonën e tyre.

Organizata synonte rritjen e territoreve nëpërmjet dhunës
NJU JORK - Qëllimi i kësaj organizate ishte pasurimi i drejtuesve, anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të organizatës "Krasniqi" me anë të veprimtarisë kriminale; ruajtjen, mbrojtjen dhe rritjen e pushtetit, territorit dhe fitimeve financiare të organizatës "Krasniqi", drejtuesve të saj, anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve me anë të përdorimit të kërcënimit, dhunës dhe kërcënimeve për dëmtim fizik dhe ekonomik; mbajtjen e viktimave dhe qytetarëve nën frikën e organizatës "Krasniqi", drejtuesve të saj, anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve duke kryer dhe duke kërcënuar për të kryer dhunë fizike dhe duke shkaktuar dhe kërcënuar për të shkaktuar dëmtim ekonomik.

Anëtarët e organizatës kriminale
Bruno Krasniqi, 26 vjeç
Sajmir Krasniqi, 29 vjeç
Erkiliant Sula 25 vjeç
Plauret Cela, 29 vjeç
Shkëlzen Balidemaj 39 vjeç
Skënder Cakoni ose Neri, 44 vjeç
Gjovalin Berisha, ose Cuz, 30 vjeç
Nazih Nasser, ose Naz
Gentian Nikolli ose Genti, 33 vjeç
Albert Tamali ose Berti, 32 vjeç
Gentian Cara 27 vjeç
Marjan Tamali 35 vjeç
Jonana Pakulsi
Florian Veshi
Almir Rrapo
Në kërkim
Dukajin Nikollaj ose Duke
Visi Lun

26 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›