E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: “Kontratat për ndërtimin e HEC-ve kanë vetëm një pronar: Arian Tartarin”



Partia Socialiste ka sjellë fakte të reja për zhytjen në aferat korruptive të ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti. Ka qenë deputeti Taulant Balla, i cili ka publikuar dokumente që vërtetojnë se 6 koncesionet për ndërtimin e HEC-ve mbi lumin Kardhiq u janë dhënë kompanive me të njëjtin pronar, Arian Tartari, bashkëshort i deputetes demokrate, Albana Vokshi. Ndërsa ministri Prifti, dy ditë më parë, pranoi publikisht se hidrocentralet mbi lumin Kardhiq janë 6, por sipas tij, ato nuk i janë dhënë vetëm deputetes Albana Vokshi dhe bashkëshortit të saj, Arian Tartari, por një konsorciumi prej 4 firmash të ndryshme.
Deklarata
Deputeti Balla deklaron publikisht me fakte në dorë se konsorciumi për të cilin flet ministri Prifti, sipas kontratës së bërë publike prej tij, përbëhet nga këto kompani: “Albaenergiaplus”, “Impuls 95”, “Pacific Petroleum Albania” dhe “Art Construction”,
Balla i është përgjigjur edhe pyetjes ironike të kryeministrit Sali Berisa se ku fle lepuri. “Lepuri i parë i korrupsionit: kompania ‘Albaenergiaplus’, pjesë e konsorciumit që ka përfituar koncesionin për ndërtimin e gjashtë hidrocentraleve, ka si përfaqësues të saj juridik dhe pronar, partnerin e Albana Vokshit, Arian Tartarin. Lepuri i dytë i korrupsionit: kompania ‘Pacific Petroleum ALBANIA’, edhe kjo pjesë e konsorciumit, sërish përfitues i gjashtë hidrocentraleve, ka si përfaqësues të saj juridik dhe pronar zotin Arian Tartari. Mund ta merrni me mend vetë se kush është lepuri i tretë i korrupsionit: kompania ‘Art Construction’, që sërish ka si përfaqësues juridik dhe pronar zotin Arian Tartari. Meqë Sali Berisha kishte merak të dinte se ku fle lepuri i korrupsionit, përgjigjja që vjen nga këto dokumente është e qartë: Lepuri i korrupsionit fle në familjen e Sali Berishës, me Albana Vokshin e kompanitë”, - u shpreh Balla.
Ministri Prifti
Ndërsa ministri Prifti, dy ditë më parë ka paraqitur para mediave kontratën e nënshkruar mes firmës së Arian Tartarit dhe Ministrisë së Ekonomisë për koncesionet e hidrocentralit mbi lumin Kardhiq. Prifti u shpreh se kjo kontratë që sulmohet nga opozita është e ligjshme dhe është dhënë në përmbushje të të gjitha ligjeve të vendit. “Ka qenë një konsorcium prej katër kompanish që ka marrë kontratën e koncesionit për lumin Kardhiq. Unë nuk shoh asnjë nxitim, asnjë problem me këtë kontratë. Kjo është një kontratë që është negociuar më shumë se kontratat e tjera”, - vuri në dukje Prifti. Madje, në këtë kontekst, Prifti bëri me dije se në çdo moment që opozita kërkon të ketë kopje origjinale të kontratave të lidhura me këtë ministri, ato do t’u vihen në dispozicion nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë. Por, në gjykimin e ministrit Prifti, opozita, përpara se të akuzojë, duhet të kërkojë dokumente dhe të flasë për abuzime dhe korrupsion. “Më vjen keq që PS-ja vazhdon me një politikë ekzagjerimesh dhe shpifjesh. Nuk është meritë të manipulosh të vërtetën. Nuk bëhet politikë. Unë, në syrin e një eksperti nuk shoh asnjë nxitim, asnjë shkelje ligji në këtë kontratë. Koncesioni është vetëm për një kaskadë dhe ka vetëm një licencë”, - u shpreh Prifti.

Vokshi: “Arian Tartari ka marrë vetëm një kontratë për ndërtimin e HEC-ve”

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Socialiste se 6 kontratat koncesionare i janë dhënë bashkëshortit të saj, Arian Tartari. Vokshi sqaroi se bashkimi i kompanive, ku bashkëpronar në tri prej tyre është edhe Arian Tartari, ka marrë vetëm një kontratë koncesionare për lumin Kardhiq, për ndërtimin e 6 HEC-ve të vgla me kapacitet total prej 10.3 MW. “Frika, zotit 20 përqindësh ia ka errësuar jo vetëm sytë, por edhe mendjen dhe logjikën. Shpifjet në drejtimin tim dhe familjes sime po vijnë vetëm si pasojë e denoncimeve publike të korrupsionit të Edvin Kristaq Ramës, gjë që do të vazhdojë ta bëjë edhe në ditët në vijim. PS-ja doli me zbulimin tjetër të radhës, që Arian Tartari na qenka pronar apo bashkëpronar në 4 kompani. Dhe ky qenka krimi më i madh. Askush nuk paska të drejtë të bëjë biznes në Shqipëri përveç lepujve dhe sekserëve të Edvin Ramës?!” - u shpreh Vokshi. Ajo tha se deri më tani janë dhënë rreth 100 kontrata, ku është parashikuar ndërtimi i 240 HEC-ve dhe se çdo garë për koncesion bëhet mbi kapacitetin energjetik, e jo mbi numrin e hidrocentraleve që do të ndërtohen mbi një lumë. “Mbase simulantët e përdorur, as tani nuk ju lënë të kuptoni që ndërtimi i HEC-ve brenda një kontrate, për arritjen e kapacitetit energjetik të kërkuar, përveç se shton koston dhe vlerën e investimit në kurriz të investitorit privat duke ulur fitimet, nuk i jep atij asnjë lloj privilegji. Në fakt, kjo duhet të ishte shumë lehtë e kuptueshme nga ju z. Rama, pasi për një pallat, vetëm një leje ndërtimi jepni, pavarësisht kateve apo apartamenteve që ai pallat ka, përfshirë edhe pjesën e 20 përqindëshit të Lepurit tënd”, - tha Vokshi.

Paloka: “Nuk do të lejojmë që Rama të betonizojë Liqenin Artificial”

Deputeti demokrat, Edi Paloka, në një deklaratë për shtyp dje ka denoncuar projektin e Bashkisë së Tiranës për shkatërrimin e Liqenit Artificial dhe shndërrimin e tij në godina me shumë kate. Paloka i ka kërkuar kryebashkiakut Rama që të bëjë transparencë mbi pasuritë e partnerëve të tij. “Si banor i Tiranës, jam sot para jush për të përcjellë shqetësimin e qytetarëve të qytetit tim për projektin e shkatërrimit të së vetmes zonë të gjelbër të mbetur pranë Liqenit të Tiranës, nga kryetari fukara dhe i pashtëpi i Bashkisë së Tiranës. Sipërfaqja, me kod U12-07, e parashikuar për 130 mijë m2 ndërtim e në një lartësi prej 30 katesh, është masakra e fundit urbane që Mistër 20 përqindëshi ka ideuar në zonën më të bukur të kryeqytetit”, - u shpreh Paloka, duke deklaruar: “90% të këtij projekti mostër prej betoni, Mistër 20 përqindëshi ia ka akorduar firmave të lepujve që kanë lidhje me të”. Deputeti Paloka u shpreh se nuk mund të “heshtim për 20 përqindëshin e lejeve të ndërtimit që kryetari i Partisë së Leprit ia shton pasurisë së tij në emër të Dritan Avllajt, i njohur si Tan Lepri, si dhe në emër të partnerëve të tij. Unë, bashkë me kolegë të tjerë, i kërkojmë kryeministrit Berisha që të gjejë hapësirat e mundësitë që zonën e sipërpërmendur ta kthejmë në një lulishte të madhe, një park e zonë çlodhjeje për burrat, gratë, fëmijët, të rinjtë e të rejat e qytetit tonë”, - tha Paloka.

Topalli: “Shqipëria ndodhet në momentet më të mira të saj”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje delegacionin e fondacionit holandez “Eduardo Frei”, fondacion i Partisë Kristiandemokrate, të kryesuar nga Bart van Winsen. Zoti Winsen vlerësoi transformimet e mëdha të Shqipërisë, të njohura tashmë në mbarë botën përmes studimeve më të fundit prestigjioze mediatike si “Newsweek”, apo të raporteve globale ekonomike dhe të biznesit. Duke u ndalur pikërisht në studimin e “Newsweek”, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 57-të, ndër 100 vendet më të mira për të jetuar, kryetarja e Kuvendit tha se nuk mund të gjendet vend tjetër si Shqipëria, që të ketë arritur kaq shumë në pak vite. Topalli e njohu delegacionin holandez me punën intensive të Parlamentit, ku vetëm këtë vit janë miratuar mbi 250 ligje e vendime, pjesë e reformave të mëdha. “Në një kohë të krizës ekonomike globale, falë doktrinës ekonomike e vizionit të qartë, Shqipëria, jo vetëm pati rritje ekonomike pozitive, por vijoi rritjen e pagave e pensioneve edhe pse një vend me taksat më të ulëta në Europë. Vetëm pak ditë më parë, USAID-i, në raportin mbi performancën e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri konfirmoi suksesin e reformave të ndërmarra për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Po ashtu, Shqipëria u vlerësua nga OKB-ja me çmimin e ekselencës për prokurimet elektronike”, - u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se tashmë Shqipëria ndodhet në momentet e saj më të mira, falë angazhimit dhe punës intensive për finalizimin së shpejti të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë, duke pasur si prioritet të qartë; integrimin në familjen europiane, familje së cilës i përkasim.

26 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›