E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB, futet në rend dite projektrezoluta e Serbisë për Kosovën



Projektrezoluta e paraqitur nga Serbia është futur në rend dite për shqyrtim në fillim të shtatorit. Lajmin e bën të ditur “RTK”, duke iu referuar njoftimit të zëdhënësit të presidentit të Asamblesë së Përgjithshme. “Projektrezoluta është caktuar të shqyrtohet më 9 shtator, mirëpo, kjo datë mund të ndryshojë”", tha zëdhënësi. SHBA-të kanë deklaruar se mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka përforcuar në mënyrë të vendosur qëndrimin se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i nxisin ato shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të ndërmarrin këtë hap. Ndërkohë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni do të udhëtojnë për në Nju Jork javën e parë të shtatorit. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë Memli Krasniqi, të cilit i referohet “Telegraf”. Krahas diplomatëve perëndimorë, presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni do të përfshihen në lobimin kundër projektrezolutës serbe, të cilën Beogradi e ka deponuar për votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Shtete të fuqishme perëndimore që përkrahin Kosovën kanë paralajmëruar Serbinë se teksti i rezolutës së saj është i papranueshëm për shkak se bën thirrje indirekte për rifillim të negociatave për statusin. Për një fitore të mundshme në OKB është shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili deklaroi se Kosova me aleatët e saj do ta mundin Serbinë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kryetari i Kuvendit këto komente i bëri pas një takimi me arbëreshët e Italisë, madje sipas tij kjo do të jetë goditje e radhës për Serbinë nga ana e Kosovës. Krasniqi shprehu besimin se Asambleja e Përgjithshme, e cila dikur miratoi kërkesën e Serbisë për të dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e Kosovës, do ta respektojë mendimin pozitiv që i është dhënë shpalljes së pavarësisë së vendit nga kjo Gjykatë.

Ish-presidenti Xhimi Karter do të vizitojë Korenë e Veriut

Ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter thuhet se do të vizitojë Korenë e Veriut, me shpresën për të siguruar lirimin e një shtetasi amerikan, i cili mbahet i burgosur që nga muaji janar nën akuzën se ka hyrë ilegalisht në vend. Revista “Foreign Policy”, duke cituar burime të afërta me zotin Karter, thotë se nëse shkon, ish presidenti 85-vjeçar do ta vizitonte Penianin si qytetar privat. Në vitin 1994, ish-presidenti Xhimi Karter vizitoi Korenë e Veriut për bisedime mbi ambicjet e vendit për armë bërthamore. Tani ish-presidenti shpreson të shkojë përsëri në vendin e izoluar por me një mision tjetër, për të siguruar lirimin e një shtetasi amerikan. Policia koreano-veriore e arrestoi amerikanin Ajxhalon Mahli Gomes-in nga Bostoni i shtetit Masaçusets në muajin janar, nën akuzën se kishte hyrë ilegalisht nga Kina. Ai u dënua me 8 vjet burg dhe me një gjobë prej rreth 700,000 dollarësh. Media zyrtare e Koresë së Veriut njoftoi muajin e kaluar se Gomesi u përpoq të kryente vetëvrasje. Departamenti amerikan i Shtetit kohët e fundit dërgoi një ekip në Penian për lirimin e shtetasit amerikan por pa sukses. Zëdhënësi P.J. Krolli tha se zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar për shëndetin e zotit Gomes dhe se vazhdojnë përpjekjet në drejtim të Penianit për lirimin e tij për arsye humanitare. Disa ekspertë thonë se vizita e zotit Karter mund të përfshinte edhe çështje të tjera përveç lirimit të amerikanit. Lajmi i vizitës së mundshme të ish-Presidentit vjen ndërkohë që Kina bën përpjekje të reja për rifillimin e bisedimeve shumëpalëshe lidhur me programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe kur tensionet në gadishullin korean janë rritur.

Mitrovicë, serbët protestojnë ndaj vendimit të Beogradit

Mëse 100 serbë, kanë protestuar dje në veri të Mitrovicës, në shenjë të pakënaqësisë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, për heqjen e fondit shtesë për Kosovën. Protestuesit kanë kërkuar korrigjimin e këtij vendimi, duke vlerësuar se heqja e shtesave për 45 mijë punonjësit serb, që marrin paga nga Serbia, do të ndikojë në largimin e kuadrove të kualifikuara serbe nga Kosova. Vlerësohet se të gjithë këta punëtorë, marrin paga nga Serbia, për angazhimin e tyre ne institucionet e shëndetit, arsimit, postës dhe administratës paralele serbe, të krijuar në Kosovë. Mesazhi që iu dërgua Qeverisë së Serbisë nga kjo protestë, ishte që pagesat të vazhdojnë me shtesa deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër, e cila do t’i nivelizonte pagat e punonjësve serb të Kosovës me ata të Serbisë.

Ballkan
Kryediplomati gjerman Vestervelle, tur treditor në rajon

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Andreas Peshke, ka bërë të ditur se shefi i diplomacisë gjermane Guido Vestervele do të nisë një turne treditor nëpër vendet e Ballkanit. Gjatë udhëtimit të tij, Vestervele do të qëndrojë edhe në Kosovë.
“Është koha të fokusohemi në hapat praktikë për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Peshke gjatë një konference për media. Ndërkohë dy ditë më parë ministri gjerman i bëri thirrje Beogradit zyrtar të ndryshonte ose anulonte projektrezolutën për Kosovën, thirrje kjo që nuk u mor në konsideratë nga autoritetet.

Somali
Viktimat nga sulmet në hotel 32

Persona të armatosur sulmuan një hotel prane pallatit presidencial ne Mogadishu të Somalisë dhe vranë disa deputetë në ditën e dytë të një ofensive islamike në zonë. Zëvendëskryeministri somalez tha se numri i viktimave është 32 dhe 6 prej tyre janë ligjvënës. Agresorët, militantë të krahut të Al Kaedes në vend, ishin maskuar si ushtarë qeveritarë. Ata iu afruan hotelit Muna, qëlluan mbi rojet e më pas njëri hodhi veten në erë brenda ndërtesës. Sulmi vjen në ditën e dytë të luftimeve të ashpra që kanë shpërthyer mes militanteve islamikë Al Shahab dhe trupave të qeverisë së tranzicionit të mbështetur nga unioni afrikan.

Kili
Manjati i minierave u ofron para familjeve të minatorëve

Një manjat i minierave në Kili i ka ofruar rreth 7600 euro çdo familjeje të minatori të bllokuar në 700 metra thellësi prej disa ditësh. "Ky është një cek që secili do ta marrë pasi të dalë prej andej", tha Leonardo Farkas, padroni multimilioner i kompanisë minerare Santa Fe. 33 minatorët, janë të bllokuar prej dy javësh në minierën e San Jose dhe do ta shohin dritën e diellit pas 3 ose katër muajsh. Dy ditë më parë presidenti i vendit bëri të ditur se sondat kishin mundur të nxirrnin nga thellësia një letër në të cilën minatorët shkruanin se ishin gjallë.

Irak
Mbeten më pak se 50.000 ushtarë amerikanë

Sipas të dhënave të forcave të armatosura amerikane në Irak janë të stacionuar tani më pak se 50.000 ushtarë amerikanë. Me tërheqjen e njësive të fundit luftarake përfundoi në këtë mënyrë para kalimit të afatit të 31 gushtit operacioni "Liria irakiane", bëri të ditur më tej një ëdhënës. Trupat e mbetura do të aftësojnë forca irakiane të sigurisë, do t'i mbështesin këto gjatë aksioneve të mbrojtjes kundër terrorit dhe do të mbrojnë ndërtesat amerikane. Sipas planeve të presidentit Barak Obama deri në fund të 2011-ës të gjithë ushtarët amerikanë do të jenë larguar nga Iraku.

25 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›