(Anti)Demokratizimi i filozofisë (edvin)socialiste
Al Gore, kandidati për President i SHBA-së, në momentin më kritik të dyshimit të rezultateve të votimeve në Flodida, pranoi hapur fitoren e kandidatit republikan Xhorxh Bush Jr. Me ndershmërinë politike Al Gore e pranoi rezultatin e votimeve në Florida (edhe pse kishte prova të mjaftueshme që dyshonin në manipulimin e votave), dhe shpjegoi që nuk mund të ankohej në Gjykatën Kushtetuese të SHBA-së, pasi, me atë akt padie ndaj mosbesimit të rezultateve të votimeve në Florida, do të gjymtohet imazhi i Demokracisë në SHBA. Ndoshta ky qëndrim politik i Al Gorit është një pikë referimi e cilësisë së Demokracisë në SHBA.
Në Partinë Socialiste të Shqipërisë, edhe pse demokracia jonë mbush dekadën e dytë, akoma ora politike ka mbetur në orën e vitit 1991. Kur PPSH-ja e Ramis Alisë jepte shpirt, dhe udhëheqësit e tjerë të PPSH-s reformonin PPSH thjesht në një emërtim më kohor (nuk mund të cilësohet kapërcim cilësor politik i PPSH në parti pluraliste), në atë PS.
Që të bindeni, që PS është po ajo PPSH e fundvitit 1991, (dallimi i PPSH me PS mund të duket vetëm që nuk është (më) udhëheqës i saj Ramis Alia), është qëndrimi mohues, negativ, konsevator, dhe tejet i rrezikshëm për vetë cilësinë e Demokracisë në Shqipëri i PS pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Numri 2 i PS, (fatkeqësisht për PS) Gramoz Ruçi – pinjolli më besnik i plejadës enveriste i cili në vitin 1991 organizonte kryengritjen e Jugut që në emër të idealeve enveriste të gjakosnin gjithë ata që guxonin të shembnin themelet e shtetit enverist – pikërisht pas shpalljes të rezultateve të zgjedhjes të 28 qershorit, hapur, pa asnjë etikë politike e demokratike, kërcënon gjithë sistemin demokratik në Shqipëri, duke bërë thirrjen (e njohur të 1991-shit për kryengritjen e Jugut) që populli (me atë nocion enverist të pronësisë që populli është bagëti e partia është çobani) të ngrihet e të derdhë gjak për disa vota.....të socialistëve Ruçianë.
Edi Rama, udhëheqësi i PS, akoma nuk ka pranuar “ABC”-në e Demokracisë, në një sistem politik: Pranimin e rezultateve të votimeve.
Shpallja e rezultateve të votimeve, kurrsesi (dhe për askënd, e ca më pak ta cilësosh këtë për të justifikuar humbjen politike), nuk mund të jetë produkt i njëanshëm i asnjë force politike, të cilën udhëheqësi i PS ta përdorë si argument të manipulimit të Demokracisë. Edi Rama, ndoshta i pushtuar i tëri nga paniku - jo dhe aq i humbjes politike të PS - por më shumë i panikuar për fatin e karrikes së vet politike në krye të PS-së, harron se një akuzë e tillë e manipulimit të votimit në Shqipëri, nuk mund të qëndrojë vetëm në rrafshin e akuza-ndërakuzave politike partiake. Të akuzosh sot, në 2009, që në Shqipëri manipulohen votimet, nuk është e njëllojtë sikurse edhe në vitin 1992. Të akuzojë sot në 2009, partia më e madhe opozitare se në Shqipëri manipulohen votimet, PS –njëkohësisht - i deklaron gjithë Botës se në Shqipëri nuk ka deri më sot aspak evoluim, nuk ka demokratizim, nuk ka pluralizëm politik,
Dhe, nuk e besoj se ndokush - Edi Rama kupton këtu udhëheqësit evropianë - mund të besojë se mosevoluimi i proçesit të demokratizimit, të pluralizmit të Shqipërisë, është fryt politik vetëm i katërvjeçarit të qeverisjes të Berishës. Ishte PS ajo që deri në vitin 2005, qeverisi Shqipërinë për gati 8 vjet.
Antitezat në politikë kanë të bëjnë me cilësinë e filozofisë politike. Partia Socialiste (akoma) deri më sot nuk ka bërë analizën e humbjes politike. Nuk e besoj që edhe më injoranti i politikës të pranojë si ...analizë politike të PS kërcënimet e saj politike për braktisjen e gjithë strukturave demokratike. Këshilli Drejtues i PS (sikurse edhe këshilli i Ndrikullave në ...përralla) secili nga anëtarët po tregon një zell e devotshmëri (në garë me njeri-tjetrin se cili është më i flaktë nga tjetri) deklarojnë gjithandej që ai - I Vetmi - që nuk fajësohet për humbjen politike të PS me 28 qershor është ...kryetari Edi Rama. Motoja politike e Enver Hoxhës ishte që ...komunistët nuk gabojnë Kurrë!!!
Ky është thelbi i antidemokratizimit të filozofisë edviniane të Partisë Socialiste. “ABC” e demokratizimit të filozofisë politike është të dish që të pranosh Humbjen Politike. Dhe PS e Edi Ramës, me të gjithë kërcënimet politike se do të braktisë strukturat demokratike, dhe nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, dëfton se sa antidemokratike është filozofia politike e vetë Edi Ramës si kryetar i PS. Sistemet politike diktatoriale, moniste nuk pranojnë asnjëherë Humbjen Politike. Sistemi pluralist politik dhe treguesi i cilësisë të Demokracisë është që partitë politike të pranojnë Humbjen Politike.
Në Demokraci nuk mund të ketë vullnet të lirë të popullit po qe se kërkon - sikurse Gramoz Ruçi edhe në 2009, sikurse Gramoz Ruçi në 1991 - që populli (kuptohet fanatikët partiakë) të rrëmbejnë armët kundër votimit të lirë. Dhe në Demokraci, nuk mund të përdoren termat politikë të Enverizmit e Stalinizmit, sikurse përdor në çdo fjalim publik tashmë kryetari i PS Edi Rama. Termat politikë “tradhtar” për aleancën e Ilir Metës me Sali Berishën, dëshmojnë se sa fanatike i qëndron antidemokratizimit të filozofisë politike edhe Edi Rama me cilësinë e udhëheqësit të opozitës. Sistemi demokratik dhe pluralist janë të tillë sepse janë produkt, janë rezultat i çfarëdo aleance politike, pa kurrfarë mentaliteti politik, pa kurrfarë shikimi dhe paragjikimi politik nga e kaluara, dhe produkti i çdo aleance politike në sistemin demokratik është e mira e funksionimit të vetë Demokracisë.
Me antidemokratizmin politik Edi Rama së pari akuzon botërisht cilësinë e Demokracisë në Shqipëri, i shton Demokracisë në Shqipëri hijen e dyshimit. Sepse udhëheqësit evropianë e kanë të pamundur që të mos kuptojnë pranimin e rezultateve të votimeve. Mospranimi i rezultateve të votimeve, thirrjet e hapura partiake që populli të dalë në rrugë e me forcën e dhunës të pranohet diktimi i rezultatit të votimit, janë produkt i sistemeve politike diktatoriale, moniste.
Nuk e di, nëse Edi Rama politikisht, me mospranimin e rezultateve të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, dhe me mospranimin e humbjes politike të PS arrin deri në këtë pikëreferimi për Demokracinë në Shqipëri.
Politikisht, kjo do të jetë e barabartë me atentat politik ndaj vetë Demokracisë shqiptare.
...