Qëndrimet manipulative të Ramës, nuk e ndihmojnë të ndryshojë rezultatin e humbjes

Reagon LSI, pas deklaratave destruktive të PS TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar menjëherë dje ndaj deklaratatës destruktive të Partisë Socialiste, nëpërmjet zëdhënësve të Edi Ramës, se PD dhe LSI, po grabisin mandatet e PS në qarqe. Partia opozitare, PS, e vetëndëshkuar në zgjedhjet e 28 qershorit, si pasojë e një basti personal të Edi Ramës, tani pas shpalljes së rezultateve zyrtare dhe konfirmimit të koalicionit qeverisës, i bie pa arsye kambanave të alarmit, për mandatet e deputetëve të saj, megjithëse është mandatuar si forcë humbëse dhe se edhe, për katër vitet në vijim do të ngelet në opozitë. Përpos akuzave të panumërta në drejtim të PD dhe LSI, ishte kjo e fundit që reagoi dje, duke i bërë thirrje Ramës që të heqë dorë nga deklaratat manipulative, të cilat nuk e ndihmojnë atë të ndryshojë rezultatin humbës në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetari i Komitetit Drejtues në LSI, Edmond Haxhinasto, deklaroi se dje se “të tilla deklarata të mbushura me mllef nga ana e lidershipit të PS, nuk e ndihmojnë atë të ndryshojë rezultatin e humbjes që ka pësuar në zgjedhjet e 28 qershorit”. Haxhinasto deklaroi se PS-PD, duhet të marrin pjesë në administrimin e procesit zgjedhor, të realizojnë sa më parë deklarimin e rezultatit përfundimtar, për të mos dëmtuar më tej standardet e nevojshme për zgjedhje të lira e të ndershme. Në kundërpërgjigje të akuzave të PS, Haxhinasto shtoi se “i kujtojmë Ramës, me insistimin kushtëzues të lidershipit të PS, LSI nuk është pjesë e administrimit zgjedhor, e KQZ apo e ndonjë strukture tjetër që administron rezultatin zgjedhor”. “Përkundrazi, LSI ka pësuar një dëm të jashtëzakonshëm zgjedhor pikërisht nga pamundësia për të marrë pjesë në tryezat e numërimit të votave për të manaxhuar votat e saj. Qëndrime të tilla manipulative dhe të mbushura me mllef nga ana e lidershipit të PS, nuk e ndihmojnë atë të ndryshojë rezultatin e humbjes që ka pësuar në zgjedhjet e 28 qershorit”, u shpreh Kryetari i KDK-së në LSI, Edmond Haxhinasto.
...