Kapet autori, atentati te “Mine Peza” për një femër
• Arrestohet autori i atentatit me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e të hënës në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, ku mbeti i plagosur rëndë një 23-vjeçar nga Kukësi.Avni Morina ra në prangat e policisë së kryeqytetit i akuzuar se është personi që mbrëmjen e të hënës qëlloi tri herë me armë zjarri në një rrugicë të errët mes pallatesh mbi Behar Elezin, 23 vjeç nga Kukësi. Atentati mësohet se ka ndodhur pas një konflikti që ka lindur mes dy protagonistëve të ngjarjes lidhur me një femër. Avni Morina, 50 vjeç, banues në Tiranë është arrestuar dje pasdite me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Ai dyshohet se ka tentuar të vrasë Behar Elezin, 23 vjeç, në rrugën “Mine Peza”, mbrëmjen e të hënës, vetëm rreth 100 metra larg Prokurorisë së Tiranës. Autori i krimit është identifikuar dhe më pas ndaluar nga policia e kryeqytetit, pas disa mesazheve telefonike të gjetura në celularin e viktimës së ngjarjes. Pas arrestimit i dyshuari ka pohuar se Behar Elezaj ka provokuar një të afërme të tij dhe e ka prerë në besë, pasi ai i kishte kërkuar ta merrte me vete në makinën e tij nga Kukësi për në Tiranë. “Ai ka abuzuar me të dhe e ka provokuar seksualisht dhe ka tentuar të kryejë me të marrëdhënie seksuale”, mësohet të ketë pohuar në polici i arrestuari Avni Morina. Pavarësisht konfliktit me viktimën e atentatit, Morina nuk ka pranuar të pohojë se ishte ai autori i tentativës së vrasjes, ndërsa ka heshtur përpara hetuesve kur ata i kanë komunikuar akuzën. Shkak për atentatin sipas burimeve të policisë ka qenë një vajzë rreth 30 vjeçe. Ajo është afërt e autorit të atentatit të ndodhur në rrugën “Mine Peza”. Pas hetimeve të para, policia ka mundur të zbardhë autorin e dyshuar të krimit, si dhe konfliktin mes palëve. Policia i ka komunikuar të arrestuarit akuzën e vrasjes me paramendim për motive të dobëta e mbetur në tentativë.