E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrava shokun, më solli vajzën me SIDA”

• Një person i akuzuar për vrasje pranoi dje në gjykatë se kishte ekzekutuar me armë zjarri mikun e tij të fëmijërisë, pasi mendoi se ai e kishte prezantuar me një vajzë të sëmurë me SIDA.Fatos Mahmutaj Sami Dafku, 38 vjeç, ishte i qetë dhe i vendosur dje kur pranoi para Gjykatës së Tiranës se ka qëlluar me armë shokun e fëmijërisë me një breshëri kallashnikovi në shenjë hakmarrje. Pasi është bindur se ishte hakmarrë, i akuzuari ka marrë rrugën drejt komisariatit të policisë, ku është dorëzuar bashkë me armën e krimit. Gjithçka kishte ndodhur pas një gjendjeje jo të mirë shëndetësore të shkaktuar nga gripi dhe fjalëve që ishin hapur se vajza me të cilën kishte kryer marrëdhënie i akuzuari për vrasje, ishte e sëmurë me SIDA. Më pas ajo kishte rezultuar se nuk vuante nga një sëmundje e tillë, e cila nuk është shfaqur në fakt as tek i arrestuari për vrasjen e shokut të tij. Në bazë të rrëfimit në proces, gjykata i pranoi gjykimin e shkurtuar 38-vjeçarit nga Bathorja, ç’ka do të thotë se ai do përfitojë uljen e një të tretës nga masa e ndëshkimit të parashikuar nga ligji. Vajza misteriozeFillesa e ngjarjes është në plazhin e Durrësit në verën e vitit 2006. Dy shokët e fëmijërisë, Sami Dafku dhe Artan Çela, kishin udhëtuar nga Tirana me qëllimin për t’u argëtuar. Çela, 42 vjeç, oficer policie në Tiranë, i prezanton Dafkut të dashurën e tij në një lokal në plazh. Ajo ndodhej me një shoqen e saj të quajtur Mira. Pasi drekojnë, dy shokët vendosin të kalojnë natën me vajzat. Për Dafkun ishte fillimi i një lidhjeje jashtëmartesore me vajzën e quajtur Mira, të cilës atë ditë ai nuk kishte arritur t’i mësonte as mbiemrin. Disa muaj më vonë, në fillim të 2007-ës, Dafku, baba i dy fëmijëve, vëren shenjat e një sëmundjeje që i shkaktoi temperaturë dhe shenja në lëkurë. Paranoja dhe frika e një fundi të shpejtë përfshiu menjëherë 38-vjeçarin, i cili e bindi veten se ishte infektuar nga HIV-AIDS. Sëmundja e rremePër këtë që po i ndodhte, ai ka vënë në dijeni mikun e fëmijërisë Artan Çela, të cilit i ka pohuar “tmerrin” e menduar për vdekjen dhe për më tepër infektimin e bashkëshortes. “Jam infektuar, do të vdes së shpejti. Jam i sigurt mik, jam me SIDA”, ka pohuar në panik Sami Dafku, deri në momentin kur Artan Çela ia kishte kthyer shkurt: “Mjaft tani. Edhe nëse je i infektuar, ka mjaft ilaçe kuruese. Mos u tremb nga kjo...”. Net të tëra pa gjumë dhe qëndrime të gjata i mbyllur në dhomë, i izoluar nga shoqëria dhe familja e prisnin Sami Dafkun deri mëngjesin e 20 qershorit 2007. Atë ditë ai vendosi të shkonte përsëri në shtëpinë e mikut të tij, të cilin e akuzonte si fajtor për takimin e tij me vajzën e infektuar me HIV-AIDS. Vetë 38-vjeçari ka treguar se në shtëpinë e mikut të tij më të mirë, grindja zgjati nga ora 07:30-08:00 të mëngjesit, për t’u kthyer atje rreth orës 15:00 i armatosur, duke i marrë jetën personit që e mendonte fajtor, ndërsa tani ky vetë dhe vajza kanë rezultuar negativ pas testit të SIDA-s.Analizat “Negativ”, ishin përgjigjet e testeve dhe analizave të shumta të HIV-AIDS të 38-vjeçarit Sami Dafku, i cili duke përjetuar panikun e vdekjes i mori jetën mikut të tij më të mirë, të cilin e fajësonte për infektimin e dyshuar me virusin HIV.AkuzatMbi Sami Dafkun, 38-vjeçarin kryeqytetas, rëndon akuza e vrasjes me paramendim sipas nenit 78/1 të Kodit Penal, i cili parashikon një dënim nga 15 deri në 25 vjet burg. Ndërkohë prokuroria ka ngritur ndaj tij edhe akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›