Konflikti për pronën, nipi ekzekuton xhaxhanë
39-vjeçari Agustin Tuçi është qëlluar për vdekje nga nipi i tij, ndërsa ky i fundit është arrestuar nga policia pak orë pas vrasjes
MIRDITË Një tjetër krim brenda familjes ka ndodhur në fshatin Konaj të komunës Fanë të rrethit të Mirditës. Viktima e këtij krimi është 39-vjeçari Agusin Tuçi, i cili është vrarë nga djali i vëllait të tij, Fatmir Tuçi. Ndërkohë që policia e Mirditës në bashkëpunim me forcat e drejtorisë së policisë së Lezhës kanë bërë të mundur edhe arrestimin e autorit të krimit, 25-vjeçarit, vetëm pak minuta pas ngjarjes. Sipas burimeve nga policia lokale, mësohet se ngjarja mund të ketë ndodhur pas një konflikti pronësie, ndërsa familjarët e autorit kanë pohuar se vrasja ka ndodhur aksidentalisht.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Mirditës, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13.00 të ditës së djeshme. Ndërsa Fatmir Tuçi është zënë me xhaxhanë e tij Agustin Tuçi në oborrin e banesës së tyre, pasi kishin shtëpitë ngjitur me njëra-tjetrën. Pas zënkave Fatmiri ka hyrë në banesën e tij dhe pasi ka marrë një automatik ka qëlluar mbi xhaxhain tij Agustin Tuçi. Policia e Mirditës me të marrë njoftimin është nisur menjëherë për në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që operacioni është drejtuar nga drejtori i policisë së Lezhës, Muharrem Furriku, i cili gjithashtu me forca të policisë së Lezhës ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke izoluar të gjithë zonën, për të mos i lënë mundësi autorit të krimit të largohej nga komuna Fanë. Policia pasi ka marrë të dhënat e para operative mbi autorin dhe se ishte i armatosur, ka bërë në mënyrë urgjentë planin e masave për të mos dëmtuar efektivat e policisë dhe ka nisur edhe krehjen e zonës.
Arrestimi
Fillimisht policia ka gjetur afër një ure, në mesin e disa pishave, Lekë Tuçin, 60 vjeç, të atin e autorit të krimit, duke u larguar me shpejtësi. Menjëherë policia e ka ndaluar dhe pasi e ka pyetur për identitetin e tij e ka ndaluar duke i kërkuar se ku i ndodhej i biri dhe se ku e kishte fshehur. Pasi e ka ndaluar Lekë Tuçin, duke e marrë përpara policisë e ka detyruar atë të tregonte vendndodhjen e të birit, i cili ishte fshehur në pyll të dendur afër një ure, në afërsi të autostradës Mirditë – Kukës, duke tentuar të priste errësirën e më pas të largohej në drejtim të Kosovës, për t’i shpëtuar arrestimit të policisë. Uniformat blu me të vënë re lëvizjen me armë të 25-vjeçarit Fatmir Tuçi i kanë bërë thirrje atij të dorëzohej, pasi nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi apo largimi pasi ishte i rrethuar. Në këto kushte 25-vjeçari nuk ka bërë rezistencë, por është dorëzuar, duke hedhur armën e krimit e pranuar autorësinë. Ndërsa në shpjegimet e para Fatmir Tuçi është shprehur se vrasja ka qenë aksidentale, kjo nuk ka bindur policinë, e cila ka nisur edhe hetimet dhe si mundësi të krimit, sipas saj, mendohet se ka të bëjë konflikti për pronën. Në polici është arrestuar autori i krimit Fatmir Tuçi si dhe është shoqëruar edhe i ati Lekë Tuçi. Policia ka nisur hetimet duke marrë në pyetje edhe familjarët, për të marrë edhe motivet e ngjarjes dhe zbardhur të plotë atë, ndërsa ka sekuestruar edhe armën e krimit.