E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antidroga prangos katër të rinj në Durrës

Një operacion i gjerë antidroge ka çuar në pranga 4 persona nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Operacioni është shtrirë në zona të ndryshme të qytetit bregdetar, duke kapur në flagrancë katër të rinj dhe një sasi lënde narkotike që është sekuestruar në cilësinë e lëndës narkotike. Dy kilogramë e 106 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë, 9.6 gramë kanabis sativa dhe dy armë zjarri, njëra prej të cilave pistoletë TT dhe një automatik prodhim zviceran. Ky është bilanci i operacionit antidrogë me emrin "Sënduku", zhvilluar në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga hetimet paraprake rezulton se të katërt vepronin për llogari të tyre, ndërsa droga e sekuestruar ishte e destinuar për në tregun vendas. I arrestuari kryesor i këtij operacioni ka qenë 25-vjeçari Fation Çore, i cili, sipas burimeve policore, shfrytëzonte shtëpinë e boshatisur të xhaxhait të tij emigrant, për të kryer aktivitetin e paligjshëm, prej të cilit siguronte fitime të konsiderueshme. Heroina u gjet në shtëpinë e xhaxhait të të arrestuarit në lagjen nr. 7 të qytetit port, ku u gjet edhe njëra prej armëve. Arma tjetër u gjet gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Mercedes Benz 190" me targa të huaja që zotëronte i riu. Një informacion i siguruar në rrugë operative e ka orientuar policinë drejt aktivitetit të 25-vjeçarit. Nga vlerësimi paraprak ka rezultuar se 2.1 kilogramët e drogës janë heroinë e pastër, e cila do t‘i nënshtrohej përzierjes para se të hidhej në treg për t‘u shpërndarë. Agjentët antidrogë dhe prokurori i çështjes po punojnë për të zbuluar të implikuarit e tjerë në këtë rrjet trafiku, si dhe vendin e origjinës së mallit. Ndërkaq, përveç 25-vjeçarit Çore, janë arrestuar në flagrancë nga agjentët antidrogë dhe tre të rinj të tjerë, të cilët janë kapur me sasi të vogla lënde narkotike. Kështu, pas mesditës së djeshme është arrestuar në flagrancë 20-vjeçari Geraldo Rama, banues në lagjen nr. 12 të Durrësit, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet policore në shtëpinë e tij iu gjet e sekuestruar 4.2 gramë lëndë narkotike, që dyshohet të jetë heroinë. Një orë më pas, prangat janë shtrënguar edhe në duart e Armando Rexhepit, 21 vjeç, nga lagjja nr. 17 e qytetit dhe Isa Kajës, 23 vjeç, lindur në Shijak e banues në lagjen nr. 1 të Durrësit. Burimet policore thanë se arrestimi i tyre u bë pasi të dy janë kapur nga policia gjatë natës, në lagjen 18, pranë stadiumit të Durrësit, me një sasi prej 9.6 gramë lënde narkotike, e cila dyshohet të jetë kanabis sativa. Ndërkaq dhe për këto raste po hetohet për të gjetur njerëzit, nga të cilët të arrestuarit sigurojnë drogën, si dhe vendet ku e shpërndajnë atë. Gjithsesi, burime të tjera policore bënë të ditur se tre të arrestuarit e tjerë, përveç 25-vjeçarit Çore, janë përdorues të drogës dhe jo të implikuar në shpërndarjen e saj. Ndonëse në shumë raste përdoruesit përdoren edhe si shpërndarës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›