"Ura e Kranesë" mbërthen tetë trafikantë
Tetë persona janë arrestuar teksa tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme 18 klandestinë për në Greqi. Ata kishin kohë që kryenin këtë trafik, ndërsa dje rreth orës 01:00 të mëngjesit, në afërsi të fshatit Konispol, është bërë e mundur kapja e tyre në kushtet e flagrancës. Pas një hetimi katërmujor, Policia e Fierit, në bashkëpunim me prokurorinë e këtij rrethi, nën operacionin e koduar "Ura e Kranesë" ka bërë të mundur arrestimin e shtetasve: Almir Troka 33 vjeç, banues në fshatin Adë të rrethit Fier; Qazim, Bledar dhe Gazment Kumanaku përkatësisht 30, 22 dhe 26 vjeç, banorë të fshatit Zhupan të rrethit Fier; Alket Ahmataj, 33 vjeç, banues në fshatin Kafaraj të rrethit Fiert; Neshat Bimaj, 41 vjeç, dhe Viktor Mataj, 27 vjeç, banues të fshatit Llakatund të Vlorës dhe Viktor Runaj, 41 vjeç, banues në fshatin Kotë të Rrethit Vlorë. Ndërsa numri i personave që do të kalonin kufirin ishte 18. Sipas Policisë së Fierit, trafikantët e klandestinëve merrnin 800 deri në 1500 euro për çdo person që kalonin jashtë kufirit. Rruga që ata ndiqnin ka qenë ajo Fier-Vlorë-Sarandë-Greqi. Gjatë arrestimit të tyre në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 10 aparate celularë, 500 euro, 100 mijë lekë të reja, si edhe 4 automjete. Ndaj të arrestuarve është ngritur akuza "dhënie e ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit". Një javë më parë, Policia e Lushnjës ka vënë në pranga dy trafikantë të tjerë, të cilët kalonin klandestinët përtej kufirit, kundrejt një pagese prej 900 eurosh për person.