E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet kushtetuese gjejnë mirëkuptimin e Kongresit Amerikan

Ndryshimet kushtetuese të pak ditëve më parë janë konsideruar nga Kongresi Amerikan si një arritje e madhe e politikës së vendit. Pas konsensusit të arritur me PS e PD për ndryshimet në reformën zgjedhore dhe zgjedhjes se presidentit, tre deputetë; Preç Zogaj, Arta Dade dhe Arian Starova ishin për një vizitë në zyrat e Kongresit Amerikan në të cilën diskutuan sfidat e Shqipërisë pas marrjes së ftesës për në NATO dhe kanë përgëzuar ndryshimet. Ata kanë folur për ndryshimet gjatë një vizite në SHBA për sfidat e Shqipërisë pas marrjes së ftesës së NATO-s. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kryetari i komisionit te jashtëm parlamentar, Preç Zogaj, ka deklaruar se zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar konsensusin politik të arritur në Shqipëri. “Ne sollëm në Kongresin amerikan atë konsensus që është realizuar në Shqipëri dhe për këtë jemi mirëpritur nga partnerët tanë amerikanë. Ata kanë shprehur dëshirën që Shqipëria të ecë në këtë rrugë dhe ne jemi të vëmendshëm që kjo rrugë të vazhdojë”, ka pohuar Zogaj, i cili ka theksuar se një ndikim të madh në këtë konsensus ka pasur edhe ftesa për anëtarësimin në NATO. I pyetur lidhur me ecurinë e ngjarjes së Gërdecit, ku së fundmi prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, Zogaj nuk ka bërë komente, por ka shprehur mbështetjen dhe besimin e tij tek hetimet e drejtuara nga prokuroria. “Nuk mund të flas për gjurmët e Mediut në tragjedinë e Gërdecit, pasi prokuroria po vazhdon hetimin. Kemi kërkuar asistencën e SHBA për t‘i dhënë më shumë transparencë këtij hetimi dhe mbështesim prokurorinë për të çuar fajtorët para drejtësisë. Do uroja që përgjegjësia e Mediut të ngelet në persuazën politike”, është shprehur Zogaj. Më tej, duke e vënë theksin tek sistemi elektoral i miratuar nga PD dhe PS, Zogaj ka nënvizuar se ky sistem do të shmangë deformimin e votës së shqiptarëve. “Ky është një sistem që u adoptua për të shmangur problemet si ai i ‘Dushkut’. Ka qenë një kërkesë e partnerëve të NATO-s që të bëhet një sistem që shmang deformimin e votës dhe ky sistem e mundësonte këtë. Gjithashtu, Shqipëria do të levize drejt një sistemi që krijon më shumë transparencë”, ka shtuar ndër të tjera deputeti Zogaj. Ndërkohë Arta Dade duke është përpjekur të zbusë dyshimet për marrëveshje të fshehte mes PD dhe PS. “Sigurisht janë spekulime per marrëveshje të fshehura apo aq me keq marrëveshje në kurriz të partive më të vogla. Personalisht nuk do t’i konsideroja parti të vogla apo të mëdha sepse secila parti ka një shans tani të konfirmojë peshën që ka në elektorat dhe janë të gjithë të lirë të marrin pjesë dhe të mbledhin votat që ata mendojnë se mund t’ua japë elektorati”, tha Dade. Në lidhje me miratimin e ndryshimeve në Kushtetute Arian Starova deklaroi se përsa i përket objektivave strategjike të vendit, forcat politike vazhdimisht kanë gjetur konsensus. Zogaj, Dade dhe Starova u priten nga dy anetarë të Komisionit per Marrëdheniet me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Robert Ueksler dhe Eliot Engel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›