E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet trafikim dhe kultivim i narkotikëve

Prishtinë, 5 gusht - Në dy raste të ndara, Policia e Kosovës  ka zbuluar trafikim dhe kultivim të narkotikëve. Ajo menjëherë pas marrjes së njoftimit ka intervenuar.
 
Sipas një njoftimi të policisë, mbrëmë janë njoftuar se në lagjen ”Bregu i Diellit”, gjendet personi i dyshuar V. Sh. 25 vjeç, i cili merret me trafikim të narkotikëve.

Policia pas marrjes së informatës menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes ka bërë identifikimin dhe ka ndaluar personin e dyshuar. Pasi që është bërë ndalimi i të dyshuarit në xhepin e pantallonave të tij policia ka gjetur dy qese me bari ngjyrë e gjelbër, substancë kjo e dyshuar të jetë e llojit marihuan.

Pasi që është bërë ndalimi dhe kontrolli i të dyshuarit, policia ka marrë autorizimin nga Prokuroria Publike komunale për të bërë edhe bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit. Gjatë bastisjes njësitë patrulluese policore kanë gjetur edhe një qese të madhe të najlonit me bari ngjyrë të gjelbër, një substancë e dyshuar e llojit marshuan, me peshë rreth 100 gram.

Gjithashtu gjatë kontrollimit të shtëpisë, policia ka gjetur edhe një revole të tipit GRIZLLY, 6.35 mm, një karikator të zbrazur dhe një kuti me 11 fishekë të po të njëjtës revole, një fishek 7.62 mm i revoles TT, një fishek 7.62 mm i AK-47.

Me urdhër te prokurorit personi i dyshuar V. Sh. është ndaluar për 48 orë, ndërkohë që janë përgatitur të gjitha procedurat dhe kallëzimi penal ndaj të dyshuarit është ngritur dhe ai është dërguar në Gjykatën e Qarkut.

Po të njëjtën ditë Policia e Kosovës ka pranuar informatën për disa bimë të mbjella, të dyshuara si kanabis. Ankuesi S. Z. pronar i tokës ku është vërejtur kjo bimë e mbjellë ka njoftuar policinë.

Prona ku është gjetur bima e mbjellë e dyshuar të jetë e llojit kanabis, është gjetur në fshatin Harilaq, komuna e Fushë-Kosovës. Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje dhe kanë vërejtur se aty ka pasur bimë të mbjella të llojit kanabis, 15 bimë prej 30 cm deri në (1) një metër të gjata.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë së Qarkut bimët e kanabisit janë shkulur dhe janë shkatërruar në arën ku edhe janë gjetur të mbjella, ndërkohë që janë përgatitur të gjitha procedurat për hetime të mëtutjeshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›