E Shtunë, 31 Tetor 2026

Midis ndjenjës dhe arsyes



Jo rrallë, vihet re se si dy persona me të njëjtën shkallë njohurish e në kushte të barabarta, nuk janë njësoj të suksesshëm. Kjo shihet edhe në raste të emigrantëve nga skajet më të largta e më pak të zhvilluara të botës, të cilët brenda një kohe relativisht të shkurtër bëhen të suksesshëm në sipërmarrje të ndryshme, duke ua kaluar shpesh vendasve. Shkencëtarë neurologë dolën me idenë se arsyeja e pabarazisë në suksesin mes njerëzve, që janë në kushte të barabarta, duhet kërkuar jo te njohuritë, as te pervoja, zgjuarsia apo shkalla e arsimimit, por te një tjetër lloj aftësie që shoqëria dhe shkencat duket se e kanë anashkaluar. Sipas tyre, baza e suksesit është aftësia e njeriut për të kontrolluar emocionet e për t’i përdorur ato me pjekuri. Ata e quajtën këtë Inteligjencë Emocionale - EQ, emër i ri për një koncept të vjetër.

Në Bibël, për shembull, flitet mbi këtë lloj zgjuarsie; dyluftimi David – Goliat. Te Homeri, kur ky përshkruan fatin e Akilit që, i pushtuar nga ndjenja e hakmarrjes për vrasjen e Patroklit, humbi kontrollin e emcioneve, duke sfiduar madje edhe Perënditë që e kishin paralajmëruar të mos ndeshej me Hektorin e të mos e vriste princin trojan. Orakujt i kishin thënë Akilit se ai do të ishte i pavdekshëm, vetëm për sa kohë Hektori ishte gjallë. Për zgjuarsi, inteligjencë a maturi emocionale sikur flet edhe Shekspiri te “Hamleti”, “Makbethi” a “Mbrti Lir”. Po ashtu tregon Ezopi në fabulën Breshka dhe Lepuri, ku ky i fundit, megjithëse këmbëshpejtë, e humbi garën vetëm për shkak të euforisë, simptomë e emocioneve të shfrenuara.

Astrit LULUSHI (SHBA)

Zhvillime të shpejta ndodhin sot në të gjitha fushat. I shqetësuar se mos mbetet mbrapa, njeriu është vazhdimisht në kërkim të mjeteve e mënyrave për të vrapuar me të njëjtin hap.
Por duket se kjo është një garë, që kërkon përdorimin me zgjuarsi jo vetëm të njohurive, por edhe të emocioneve. Jo rrallë, vihet re se si dy persona me të njëjtën shkallë njohurish e në kushte të barabarta, nuk janë njësoj të suksesshëm. Kjo shihet edhe në raste të emigrantëve nga skajet më të largta e më pak të zhvilluara të botës, të cilët brenda një kohe relativisht të shkurtër bëhen të suksesshëm në sipërmarrje të ndryshme, duke ua kaluar shpesh vendasve. Ndodh kështu ngaqë mosnjohjen e gjuhës, të kulturës dhe zakoneve të vendit ata e kompensojnë duke punuar më shumë? Apo mos është euforia e vendasve, që i shtyn të ardhurit të tregohen më të matur e më të kujdesshëm me emocionet e tyre?
Kjo është një çështje e vjetër, me të cilën janë marrë shume sociologë e psikologë, por pa mundur të japin një përgjigje bindëse. Kohët e fundit, në këto debate janë përfshirë edhe përfaqësues të Neuroshkencës. Ata thonë se, në përpjekje për të shpjeguar dukuri të tilla, kërkimet janë bërë në drejtim të gabuar.

* * *
Në vitet 1980, shkencëtarë neurologë dolën me idenë se arsyeja e pabarazisë në suksesin mes njerëzve, që janë në kushte të barabarta, duhet kërkuar jo te njohuritë, as te pervoja, zgjuarsia apo shkalla e arsimimit, por te një tjetër lloj aftësie që shoqëria dhe shkencat duket se e kanë anashkaluar. Sipas tyre, baza e suksesit është aftësia e njeriut për të kontrolluar emocionet e për t’i përdorur ato me pjekuri.
Ata e quajtën këtë Inteligjencë Emocionale - EQ, emër i ri për një koncept të vjetër. Në Bibël, për shembull, flitet mbi këtë lloj zgjuarsie; dyluftimi David – Goliat. Te Homeri, kur ky përshkruan fatin e Akilit që, i pushtuar nga ndjenja e hakmarrjes për vrasjen e Patroklit, humbi kontrollin e emcioneve, duke sfiduar madje edhe Perënditë që e kishin paralajmëruar të mos ndeshej me Hektorin e të mos e vriste princin trojan. Orakujt i kishin thënë Akilit se ai do të ishte i pavdekshëm, vetëm për sa kohë Hektori ishte gjallë.
Për zgjuarsi, inteligjencë a maturi emocionale sikur flet edhe Shekspiri te “Hamleti”, “Makbethi” a “Mbrti Lir”. Po ashtu tregon Ezopi në fabulën Breshka dhe Lepuri, ku ky i fundit, megjithëse këmbëshpejtë, e humbi garën vetëm për shkak të euforisë, simptomë e emocioneve të shfrenuara.
Në fillim të viteve 1900, shkencëtarët dolën me idenë e Inteligjencës Njohëse – IQ, si metodë e shpejtë për matjen e njohurive të një personi dhe me sa zgjuarsi apo efektshmëri ai i përdor ato. Por shpejt u pa se një përqasje e tillë ishte e kufizuar, pasi shkencëtarët kishin vënë re se shumë njerëz, edhe pse me një shkallë të zakonëshme zgjuarsie e në disa raste nën atë normale, ishin më të suksesshëm në krahasim me personat që, megjithëse tepër inteligjentë, nuk shquheshin për arritje qoftë në punë, shoqëri a në jetë.
Në përpjekje për të treguar se IQ nuk ishte matësja e vetme e shkallës së intelektit, në mos aspak e tillë, psikologu Edward Lee Thorndike i universitetit Kolumbia në Nju Jork, doli me një koncept të ri, që ai e quajti Inteligjenca Shoqërore. Por kundërshtarët e idesë thonin se argumenti i tij mund të kishte vetëm vlera teorike, pasi ata nuk shihnin ndonjë shembull në praktikë nga mund të nisej për zbatimin e saj. Megjithëse sot është lehtë të identifikohen shembuj për të mbështetur këtë teori, dallimi i tyre para njëqind vjetësh ishte tepër i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kjo për arsye se në fillim të viteve 1900, shkenca për studimin e sistemit nervor, Neuroshkenca, as që ekzistonte, ndërsa shoqata e parë e shkencëtarëve të kësaj disipline u krijua vetëm në vitin 1969.
Por brenda pak dekadave, falë gjithashtu zhvillimeve teknologjike, Neuroshkenca renditet sot mes shkencave më të rëndësishme që shpjegojnë shëndetin fizik, mendor, sjelljet e deri fenomenet shoqërore.

* * *
Në muzeun Warren, pranë shkollës mjekësore të Universitetit të Harvardit në Boston, ndodhet e ekspozuar një kafkë njeriu, pranë saj një shufër hekuri dhe, krahas tyre, një mbishkrim i shkëputur nga një studim mjekësor që ka lidhje me objektet në fjalë. Mbishkrimi lexohet: “Nëse mendoni se këto rreshta kanë vlerë të mjaftueshme për të zënë vend në bllokun e shënimeve tuaja, mos ngurroni.” Këto fjalë, nëse lexohet edhe midis rreshtave, sikur duan të thonë se sendet e ekspozuara janë parë nga shumë vetë, por ju mund të zbuloni diçka të re, nëse mendoni atë që asnjë tjetër nuk e ka menduar.
Kafka e ekspozuar në muzeun e anatomisë në Harvard nuk është e lashtë, por as e zakonëshme. E vendosur aty rreth viteve 1870, ajo dallohet për një vrimë relativisht të madhe, që fillon në mollëzën e majtë e del vertikalisht në pjesën e sipërme të përparme të kokës. Deri pak dekada më parë, këto dy eksponante ishte simbol i suksesit të mjekësisë së asaj kohe, sepse njeriu, të cilit i përkiste kafka, kishte mbetur gjallë, pasi i kishin nxjerrë shufrën e hekurit nga koka, për të jetuar kështu edhe shumë vite të tjera
Dihet se natyra ka ligjet e veta dhe njeriu, me vetëdije a jo, zhvillohet e mendon në bazë të tyre, Çdo gjë në këtë botë është natyrë ose burim prej saj, ndërkohë që edhe pse njerëzit a shoqëritë zhvillohen e ndryshojnë në drejtime a ritme të ndryshme, ata nuk shkëputen dot nga varësia e ligjeve të natyrës. T.S Eliot, poet i njohur (1888 – 1965), thoshte se njeriu kurre nuk ndalet së eksploruari dhe fundi i të gjitha eksplorimeve vjen, kur ai kthehet atje ku kishte filluar.
Kështu ndodh edhe me shkencëtarët. Neurologët e dinë se truri i njeriut ndahet në tri zona a sfera: e mbrapme, e mesme dhe ballore; secila me një funksion të veçantë, por të tria në shërbim të njëra-tjetrës. Nëpërmjet të prekurit a ngacmimit, thonë ata, ndjesitë hyjnë në trup fillimisht nëpërmjet fijeve nervore te shtyllës kurrizore. Prej andej, ato mbërrijnë në zonën e mbrapme të trurit dhe aty shndërrohen në ndjenja, të cilat pastaj hyjnë në zonën e mesme të trurit, ku shndërrohen në emocione. Nga truri i mesëm, emocionet e kalojnë në pjesën ballore ku aty përzgjidhen, frenohen, kontrollohen, përpunohen, zbuten e arsyetohen, para se të shprehen a shfaqen jashtë në formë sjelljeje, me të qeshura a të qara, me butësi a zemërim.
Kjo është udha midis ndjenjës dhe arsyes, e cila kalon përmes lumit të emocioneve. Nëse bëhet një paralelizëm, e njëjta gjë ndodh edhe me një shoqëri, ku rolin e pjesës ballore e luan udhëheqja, dhe mund të kuptohet çfarë ndodh kur ajo mungon, është e paaftë a nuk funksionon, ose e kundërta. E njëjta gjë mund të thuhet për çdo aspekt të jetës së organizuar; njerëzit i drejtohen së kaluarës për t’u frymëzuar apo mbushur me ndjenja, që shndërrohen në emocione, të cilat shprehen të kontrolluara ose të shfrenuara, në varësi të aftësisë së pjesës ballore, udhëheqjes, kompetentëve, profesionistëve, intelektualëve, akademikëve e politikanëve.

* * *
Por le të kthehemi te kafka e ekspozuara në muzeun e Harvardit. Historia e saj zë fill në shtetin e Vermontit rreth 160 vjet më parë. Në atë kohë, 25 vjeçari Phineas Gage (kafka e tij është e ekspozuar) punonte si përgjegjës në një stacion hekurudhor mallrash. I edukuar, i sjellshëm dhe i dashur siç ishte, thonë burimet, drejtuesit e stacionit e mbanin si një nga menaxherët më të mirë e më të suksesshëm. Por ai gëzonte edhe dashurinë e respektin e vartësve. Me të gjithë, pa dallim, Phineas sillej në mënyrë të shkëlqyer; motivues, frymëzues, drejtues dhe, mbas pune, shok i mirë.
Ishte mbrëmje e 13 shtatorit 1848, kur në stacion të gjithë nxitonin për të lënë punën. Dhe ndërsa Phineas jepte udhëzimet e fundit e bëhej gati të zbriste nga treni, makinisti, që po provonte frenat, shkaktoi një dridhje të fortë të vagonëve. Phineas u rrezua në tokë. Kaluan minuta dhe ai nuk po lëvizte. Koka i kishte rënë mbi një shufër hekuri, që kishte kaluar tejpërtej nga mollëza e majtë, pastaj nëpër sy, për të dalë në pjesën e sipërme të përparme të kokës. Të gjithë menduan se Phineas vdiq. Por kur panë se ai po merrte frymë, e vunë trupin në një karocë dhe e nisën urgjentisht në spital. Çuditërisht, pas një javë Phineas doli nga spitali. Plaga i ishte mbyllur dhe, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ai u kthye në punë.
Kushdo që e njihte, u gëzua. Por kaluan vetëm pak disa ditë dhe ata mbetën të zhgënjyer. Phineas nuk ishte ai, që ata kishin njohur para aksidentit. Tani ai bëhej nevrik, shante, mallkonte, bërtiste dhe shpesh jepte urdhëra kundërthënëse. Aq i padurueshëm, grindavec, i dhunshëm dhe i paarsyeshëm u bë, sa që drejtoria e hekurudhave e pushoi nga puna. Pas kësaj, ai filloi të shkonte nga një spital në tjetrin, por mjekët nuk shihnin tek ai ndonjë problem fizik, as edhe mendor. Ata i thonin se nuk kishte gjë, dhe e këshillonin të tregohej më i sjellshëm me të tjerët. Por ata që e kishin njohur para aksidentit, mendonin se Phineas kishte ndryshuar plotësisht, në sjellje dhe karakter. Mbi të gjitha, atij nuk i rrihej në një vend. Kështu, filloi jetën e endacakut nga qyteti në qytet. Në New York, për shembull, ai zinte vend në ndonjë rrugë me shumë kalimtarë dhe, për të fituar disa dollarë, u tregonte atyre se si kishte mbetur gjallë nga aksidenti, edhe pse shufra e hekurit i kishte hyrë nga një anë dhe i kishte dalë në anën tjetër të kokës. Për të vërtetuar ato që thoshte, Phineas mbante në njërën dorë shufrën e hekurit dhe me tjetrën tregonte vendin bosh, ku më parë ndodhej syri i majtë. Pastaj dora e tij prekte shenjën në faqe dhe gjurmën e vrimës së mbyllur në pjesën e sipërme të kokës.
Para dy dekadash, shkencëtarët iu kthyen edhe një herë konceptit të Inteligjencës Shoqërore, por këtë herë e quajtën Inteligjencë Emocionale - EQ. Me këmbëngulje, ata u hodhën në kërkim të argumenti se IQ nuk është e vetmja zgjuarsi. Ata iu kthyen edhe një herë dorëshkrimeve të Thorndajkut dhe aty ndeshën me shënimet e tij rreth aksidentit të Phineas. as një shqyrtimi të vemendshëm, shkencëtarët arritën të kuptonin se ndryshimi në sjelljen e Phineas dhe dështimi i tij në karrierë, në shoqëri e në jetë, nuk ishte pasojë e humbjes së zgjuarsisë të njohurive, por rrjedhojë e dëmtimit të pjesës ballore, që është përgjegjëse për kontrollin apo shprehjen me arsye a maturi të emocioneve.
Megjithëse rasti i Phineas shikohet si shembull klasik në mbështetje të konceptit të Inteligjencës Emocinale, debatet, ashtu si qind vjet të shkuara, vazhdojnë të përqëndrohen rreth së njëjtës pyetje: Eshtë IQ apo EQ çelësi i suksesit, ose metoda më e mirë për matjen e zgjuarsisë? Për këtë shkencëtarët nuk binden lehtë, sepse, si qenie të arsyeshme, edhe ata vetë udhëhiqen herë nga njohuri, herë nga emocione.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›