E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një shkollë në qytetin e poetëve



“Mua më tërhiqte dhe më tërheq poezia e juaj për ndjeshmërinë e natyrshme, për lëvizjen e figuracionit dhe frymën humane të shprehur ndryshe poetëve të tjerë. Por më tërheq edhe ndjenja e miqësisë dhe e solidaritetit që keni”, do të vinte në dukje Dritëro Agolli. "Ne krijuam një komunitet krijuesish që unë e kujtoj me të vërtetë me nostalgji, - tregon N. Gjetja. - Ka qenë një shoqëri në një kohë ndalesash ideologjike, plot kufizime, ka qenë një risi që s’kishte ndodhur më parë në jetën kulturore e artistike të komanduar të vendit. Por ne i kemi qenë kundërvënë kësaj, duke krijuar një shoqëri që thuajse ishte në rangun e një shoqate, pa e pasur këtë emër dhe pa e shpallur pavarësinë nga Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve. Ajo ishte një miqësi e artë.”

Kujtim DASHI

Kohët e fundit, nga disa kronikëza që vijnë nga Lezha në media apo në bloge, për shkak të profanizmit të autorëve, të cilët ashiqare duket se s’kanë kurrëfarë lidhjeje me kulturën, letërsinë e aq më tepër me poezinë, apo të prirjes së tyre megallomane për t’u pahitur sa të munden nga hiri i një kohe të lavdëruar meritueshëm, po (sh)përdoret vend e pa vend e ashtuquajtura “shkolla poetike e Lezhës”. Për të davaritur keqkuptimet e, më së shumti teprimet që vihen re (“anëtarsojnë” në këtë shkollë njerëz që s’kanë shkruar kurrë në jetën e tyre një poezi!), nën smogun superlativ që mbizotëron te ne dhe për të dëshmuar se kjo shkollë vazhdon të mbetet një shembull mjaft i mirë sesi mund të mbëkëmbet doradorës atmosfera krijuese, për të cilën ankohen të gjithë, gjykova të shkruaj këto radhë.

* * *
Lezhës së disa bukurive, që i ka falë Zoti dhe historia, aty nga fillimi i viteve ‘70 të shekullit të kaluar, si duke ripërtëritur traditën që patën krijuar Bardhi, Zarishi, P. Doçi, De Martino, Ulqinaku, Fishta, Mjeda, Gjeçovi etj., iu shtua natyrshëm edhe një dimension i ri i identitetit të saj kulturor: ai i poetëve e shkrimtarëve.
Në qytetin e Lezhës, në kohën kur Rudolf Marku botonte cikle poetike në shtypin letrar të kohës dhe Ndoc Gjetja hidhte hapat e parë në poezi, derisa doli me vëllimin poetik "Rrezatim" (1971), mungonte gati fare atmosfera krijuese. Mund të thuhet se edhe lavdia e të parëve, si dritë për pasardhësit, për shkaqe të mirënjohura tashmë, po zbehej. Gjëndeshin aty-këtu vetëm disa dashamirë të letërsisë; zotëronte folklorizmi; kontaktet me shkrimtarët e njohur ishin tepër të rralla e të rastit.
Deri atëherë, dy-tre krijues lezhianë merreshin me krijime folklorike ose satirike në formën e bejteve. I kësaj natyre është edhe ndonjë libërth i botuar. Qyteti i vogël, i cili po zgjohej dalëngadalë nga letargjia, kishte vetëm një librari, një bibliotekë publike modeste në ngritje e sipër dhe, shyqyr, jo pak mejhane. Gjimnazit, i cili kishte hapur dyert për herë të parë në shtator të vitit 1957, i kishte ardhur mësuesi pasionant i letërsisë Mark Vuji, njëkohësisht drejtor i parë i gjimnazit, njeri që përpiqej t'i nxiste talentet e reja. Por dëshira e tij dhe e ndonjë kolegut, si e poetit pak të njohur Murat Nezha, apo mësuesit të letërsisë Col Dizdari, ishte e pamjaftueshme dhe nuk mund të krijonte kurrësesi atë atmosferën që rrit talentet. Në Lezhë atë e krijuan Ndoc Gjetja dhe Rudolf Marku. Kjo është një meritë e veçantë e tyre, do të thosha historike për kulturën e kësaj treve e më gjerë. Ata ishin prijësit. Mendoj se për këtë u janë dhe do t'u jenë gjithnjë mirënjohës jo vetëm lezhianët. Paskëtaj Lezha do të njihej edhe si Qytet i Poetëve.
Ky duet poetik i Lezhës, me kalimin e kohës, bëhet trio menjëherë pas botimit të disa cikleve poetike të Preç Zogajt, dhe pastaj kuartet pas ardhjes së Agim Isakut për të punuar e jetuar në Breg të Matit.

* * *
Këta poetë iu bashkuan natyrshëm atyre autorëve tashmë të afirmuar, të cilët shkruanin më ndryshe, në një mënyrë më humane, më meditative, më figurative, jashtë normave dogmatike, himnizimeve të thata e patetizmit, duke përçuar në indet e poezisë limfën e jetës. Duke qenë me identitet origjinal e me një konceptim më modern të poezisë, ishin katër krijues që spikatën qysh në hapat e parë, por që si individualitete ndryshonin gjithashtu me njëri-tjetrin, çka ishte një dukuri vërtet për t'u nënvizuar.
Ndoci Gjetja melodioz, me sens të posaçëm shoqëror dhe emocional, Rudolfi poet i mendimit dhe I kulturës perëndimore, ndërsa Preç Zogaj dhe Agim Isaku harmonizonin bukur ndjenjën me mendimin, secili përmes një vokacioni origjinal. Kështu, ata çelën një perspektivë tjetër, për një art me kërkesa më të larta estetike, kundër diletantizmit e amatorizmit. Ky kuartet poetik më vonë u bë sektet pas botimit të cikleve e të librave të parë poetikë të Shpresa Kapisyzit dhe Silvana Gjebresë. N. Gjetja, R. Marku e krijues të tjerë qenë ata që, me veprën e tyre poetike, e shkëputën njëherë e përgjithmonë letërsinë që krijohej në këtë trevë nga folklorizmi e provincializmi, ata e sintonuan artin e tyre me prirjet më të përparuara të kohës, madje duke u vënë shumë shpejt vetë në pararojë të këtyre zhvillimeve. Sigurisht që për këtë kanë meritë edhe krijues të tjerë, që dolën pas tyre dhe u rritën në atë atmosferë. Për shumë vite kritika e kohës e, më së shumti dashamirësit e poezisë, e quajtën këtë gru “shkolla poetike e Lezhës”, paçka se ndonjë autor delirant apo studiues skolastik, nga ata që ende maten me hijen e mëngjesit, as sot nuk do ta njohë si të tillë, qoftë edhe në kuptimin metaforik. E pa institucionalizuar si “shkollë”, pa akte themelimi e traktate poetike, me tiparet e saj më esenciale si antikonformizmin, humanzimin e frymën demokratike, me origjinalitetin, novatorizmin e polifoninë e zërave të saj, me kërkesat artistike e përpjekjen qytetare për të dalë jashtë kornizave apo “vijave të bardha” kufizuese të kohës, ajo shfaqi më tepër aftësi përbashkuese e ripërtëritëse njëkohësisht, një gravitacion të pandërprerë.
Prurje interesante në poezi sollën edhe Tropoja, Tepelena, Lushnja etj., por e vërteta është se ato nuk arritën të shfaqnin këto prirje të spikatura. “Mua më tërhiqte dhe më tërheq poezia e juaj për ndjeshmërinë e natyrshme, për lëvizjen e figuracionit dhe frymën humane të shprehur ndryshe poetëve të tjerë. Por më tërheq edhe ndjenja e miqësisë dhe e solidaritetit që keni”, do të vinte në dukje Dritëro Agolli në një intervistë të viteve të fundit. Ndjenjat e miqësisë e të solidaritetit për krijuesit e kësaj treve i dëshmojnë edhe sërë poetësh e shkrimtarësh, si M. Zeqo, Xh. Spahiu, Z. Çela, B.Londo, V. Zhiti, F. Rreshpja, B. Shehu, I. Zhupa, B. Mustafaj, P. Risto etj. E deri te "birësimet" që arriti të bëjë ajo, siç është rasti i poetit A. Isaku. Lezha filloi të bëhet vend pelegrinazhi për mjaft krijues të rinj të kryeqytetit e të rretheve të tjera, të cilët e quanin metaforikisht atë "Meka jonë", çka ishte njëfarë stonimi e prirje seperatiste nga socrealizmi partiak. Mjafton të shfletosh antologjinë poetike “45 poetë për Lezhën” (EBP “Gj.Fishta”, Lezhë, 1996), për të parë se ç’vend zë Lezha në krijimtarinë e tyre poetike, si refleks i këtij afrimi.
"Ne krijuam një komunitet krijuesish të mrekullueshëm që unë e kujtoj me të vërtetë me nostalgji, - tregon N. Gjetja. - Ka qenë një shoqëri në një kohë ndalesash ideologjike, plot kufizime, ka qenë një risi që s’kishte ndodhur më parë në jetën kulturore e artistike të komanduar të vendit. Por ne i kemi qenë kundërvënë kësaj, duke krijuar një shoqëri që thuajse ishte në rangun e një shoqate, pa e pasur këtë emër dhe pa e shpallur pavarësinë nga Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve. Ajo ishte një miqësi e artë.”
Një miqësi jo e mbështetur në këmbim të favoreve, po që kishte për bazë fisnikërinë e shpirtit, që poezinë nuk e kishin shkrimtarësi, por shpirtësi. Të gjithë i vlerësonin jo vetëm si krijues të talentuar e të veçantë, që kultivonin shije të përparuara estetike, por edhe shkollë e marrëdhënieve të pastra, e nxitjes dhe e inkurajimit jo vetëm të njëri-tjetrit, por edhe e talenteve të reja; i vlerësonin si njerëz duke e shprehur hapur admirimin se "ju jeni modeli i sjelljes dashamirëse të krijuesve ndaj njëri-tjetrit". Sikur vetëm këtë dukuri nga më karakteristiket e talenteve të kësaj treve të vinim në spikamë, do të mjaftonte ta quajmë shkollë, shkollë e miqësisë, solidaritetit, të marrëdhënieve të pastra, e nxitjes, e ndihmës dhe e mbështetjes të ndërsjelltë, e humanizmit, e mirësjelljes, e paprekur nga cmira, egoizmi, megalomania, protagonizmi falls, deliriumi etj.
Vetë prijësit, Ndoci dhe Rudolfi ishin një dyshe model i përkryer, pse jo i rrallë mes qarqeve letrare të vendit tonë, që të gjithë i admironin. Në zemrat e tyre cmira s'kishte arritur të zinte vend në një kohë, kur ky virus gërryente mjaft degë të LShA në rrethe më me tradita kulturore. V. Zhiti e përcjell kështu këtë kohë: “E kisha të pamundur të shkoja në Shkodër, ku vazhdoja studimet e larta, pa u ndalur në Lezhë. U miqësova me R. Markun, N. Gjetjen dhe, nuk e tepëroj po të them, më shumë se nga instituti, shkolla, leksionet unë mësova se ç'është njeriu, ç'është poezia, diçka më shumë se kaq, ç'është qëndresa nga këto dy poetë. Pastaj u njoha me Preçin. Lezha në njëfarë mënyre u bë për ne Meka e poezisë. E them këtë gjë jo në mënyrë letrare, por ishte një realitet. Poezia më e bukur filloi të dilte nga Lezha. Poezia më e re po dilte nga Lezha. Poezia më njerëzore po dilte nga Lezha.”

* * *
Tregues i vitalitetit të kësaj treve poetike është se “shkolla” u përtëri në vazhdimësi me një brez të ri poetësh brenda dy dekadash, si Arben Prendi, Shpëtim Kelmendi, Mark Simoni, Alban Bala, Marash Mirashi, Armela Hysi, Dritan Mesuli, Alfons Zeneli, Mehdi Dashi, Viktor Vokrri etj.
Pesha iluministe e themeluesve rritet më shumë sidomos sot, kur mendon se ka plot treva në Shqipëri që ende s'e kanë kryer këtë akt të lartë qytetar e kulturor shkëputjeje, pasi mjaft talente poetike që lindin, i bluan e i shuan mokra provinciale e mediokritetit. Pak prej tyre mbijetojnë dhe promovohen tepër vonë në qarqet letrare të vendit, shpesh duke mbetur gjithnjë periferikë. Apo kur mendon se edhe në Lezhë sot, pas ikjes së një aradhe krijuesish seriozë në kryeqytet e gjetkë, ndjehet kërcënimi i vazhdueshëm i shuarjes së kësaj e përvoje, që i dha vendit poetë e shkrimtarë të njohur, duke rrezikuar për ta fituar terrenin ose mediokriteti, folklorizmi, grafomania etj. Presioni që bëjnë disa syresh, hobistë të letërsisë, “të hershëm” a “të vonuar” që, duan të ndjehen me zor autorë librushkash sa “një librezë dritash elektrike” ose dikushi, me pseudoartin e tyre amatoresk a komercial nën ombrellën e këtij reputacioni që gëzon ende Lezha në qarqet letrare, e kanë dhe do të kenë të hapur frontin me krijuesit seriozë, me njerëzit e kulturuar të këtij vendi, të cilët përpiqen të krijojnë një art të vërtetë, bashkëkohor, por edhe të ruajnë e të zhvillojnë më tej traditën e shkëlqyer të “shkollës poetike të Lezhës”. Kjo shkollë vazhdon të mbetet një shembull mjaft i mirë se si mund të rimëkëmbët e të përtërihet kudo atmosfera krijuese, mjaft e nderë muajt e fundit, si nga brenda e jashtë këtij komuniteti, përçarja absurde organizative, debati damkosës “nëse janë apo jo provincialë shkrimtarët shqiptarë” etj. etj.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›