E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria u përgjigjet studentëve të Inxhinierisë



Studentët e Inxhinierisë Matematike dhe Fizike pranë Universitetit Politeknik do të pajisen së shpejti me diploma. Ministri i Arsimit, Fatos Beja, i ka dërguar një letër rektorit dhe Senatit të Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT), në përgjigje të një grupi studentësh të Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike të këtij universiteti, të cilët nuk janë pajisur me diploma dhe se Universiteti Politeknik nuk u ka dhënë mundësinë për të vijuar ciklin e dytë të studimeve. “Vendimi Nr. 824, datë 5.12.2007 i Këshillit të Ministrave, pika 3, saktëson se diplomat e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike të jenë diploma ndërdisiplinore dhe se UPT-ja duhet të përcaktojë fakultetet që do të bëjnë administrimin e këtyre diplomave”, - shkruhet në letër. Sipas MASH-it, është detyra e UPT-së që të vendosë fakultetin që do të administrojë këto diploma, duke pasur parasysh aftësinë e përmbajtjes së këtyre programeve të studimit me programet e tjera të studimit të ofruara nga ky universitet, si dhe modelet e marra nga universitetet e huaja. MASH-i ka kërkuar nga drejtuesit e Politeknikut që të veprojnë me shpejtësi për të zbatuar vendimin e Këshillit të Ministrave të sipërcituar që është një detyrim ligjor, duke plotësuar në këtë mënyrë kërkesën e drejtë të studentëve për t’u pajisur me diplomë. Ndërsa për sa i përket programeve të studimit të ciklit të dytë, për Inxhinieri Matematike dhe Inxhinieri Fizike, MASH-i sqaron se aplikimi i studentëve për të nisur këto studime nuk është një e drejtë e mohuar, por studentët kanë aplikuar me shumë vonesë. Kërkesa juaj ka ardhur në MASH në datë 28.10.2008 ndërkohë që viti akademik kishte filluar. Gjithsesi miratimi i këtyre programeve do të ndjekë procedurat përkatëse ligjore. Ju siguroj se MASH do të mbështesë miratimin e tyre në përputhje me ligjin”, – përfundon letra.

Qendra “Let’s Dance”, ditën e hënë, koncert bamirësie

Qendra “Let’s Dance”, ditën e hënë do të organizojë një koncert bamirësie “Dhurojmë dashuri” për shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet. Ky koncert do të organizohet edhe me mbështetjen e rektorit të Akademisë së Arteve”, i cili ka vënë në dispozicion për realizimin e tij sallën e madhe të Akademisë. Koncerti do të nisë në orën 17:00 të ditës së hënë. Drejtore Artistike e këtij koncerti do të jetë Roberta Mone, ndërsa regjisore Aneta Malaj.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›