Atentat me bombë të telekomanduar biznesmenit të hekurit
POGRADEC/ Ervin Braho, 34 vjeç, është plagosur mëngjesin e djeshëm teksa automjeti i tij shpërtheu
POGRADEC - Një biznesmen hekuri është plagosur, pasi automjeti i tij ka shpërthyer teksa ishte në lëvizje. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit para agjencisë së pasagjerëve, në qytetin e Pogradecit.
Ervin Braho, 34 vjeç, është transportuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës për shkak të dëmtimeve të shumta të marra, ndërsa policia bën të ditur se po heton lidhur me ngjarjen, ku si pistë kryesore rezulton të jetë ajo e konkurrencës.
Ngjarja
Ervin Braho ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij fuoristradë, tip "Land Rover", me targa TR 8114. Ka qenë ora rreth 7 e mëngjesit kur automjeti po kalonte pranë agjencisë së pasagjerëve, në qytet.
Në këtë kohë, makina ka shpërthyer nga poshtë, duke i sjellë dëmtime serioze 34-vjeçarit në pjesën e këmbëve. Në vendngjarje ka qenë një polic i qarkullimit rrugor, i cili ka njoftuar kolegët e tij, ndërsa i plagosuri është nisur menjëherë në spital, i mbuluar me gjak.
Plagët ai i ka marrë në pjesën e poshtme të trupit dhe pas marrjes së ndihmës së parë, Braho është dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi, sipas mjekëve, kishte nisur një enjtje masive në pjesën e poshtme të trupit.
Hetimi
Nga hetimet paraprake të nxjerra nga grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje rezulton se tek pjesa e poshtme e automjetit, midis motorit dhe kabinës, në krahun e drejtuesit të mjetit është vendosur një sasi tritoli. Dyshohet se kjo sasi është shpërthyer me telekomandë, ndërsa në rastin konkret, katalizator ka shërbyer një celular.
Bëhet e ditur se mendohet që ky veprim të jetë kryer nga njerëz profesionistë, ndërsa vendosja e sasisë së eksplozivit duhet të jetë bërë gjatë natës, tek vendparkimi i makinës. Sipas policisë, Braho është ndjekur në distancë dhe në momentin që ka qenë pranë agjencisë së pasagjerëve është kryer edhe shpërthimi.
Po hetohet në disa pista, por më kryesorja ngelet ajo e konkurrencës, pasi transporti i mineralit të hekurit bëhet nga disa firma. Ervin Braho është biznesmen i hekurit mineral, ndërsa prej dy vitesh mësohet se transportonte hekur me disa kamionë nga Pogradeci në kombinatin e hekurit në Kavardac të Maqedonisë.
Dëshmitarët
I ndodhur në vendngjarje, shtetasi Hilmi Lilo, pronar lokali pranë agjencisë ku ndodhi shpërthimi, shprehet për gazetën "Shekulli": "Ishte vërtet diçka e tmerrshme. Një shpërthim i madh, i shoqëruar me një re tymi".
Ndërkohë, Xhevat Xhemollari, shofer furgoni, i cili gjithashtu ndodhej pranë vendngjarjes, thotë se kanë shpëtuar për mrekulli nga shpërthimi që ndodhi. "Nga presioni janë thyer vetëm disa xhama të godinave përreth. Këtu rrotull ka pasur shumë njerëz, por vetëm Zoti na ka shpëtuar", thotë ai.
Disa atentate me eksploziv, asnjë i zbuluar
Brenda pak muajve në Pogradec janë kryer disa atentate me eksploziv, por ende policia nuk ka zbardhur asnjërin prej tyre. Kështu, pak kohë më parë u vendos eksploziv në shtëpinë e ish-shefit të krimeve në Elbasan, banues në Pogradec, duke iu rrezikuar jetën 12 personave.
Por edhe pse kanë kaluar disa muaj, ngjarja vijon të jetë e pazbardhur. Rasti tjetër ishte vendosja e eksplozivit në garazhin e makinës së ish-kryetarit të gjykatës, Liradin Lila, por edhe ky rast nuk është zbardhur ende. Po kështu, asnjë përgjigje zyrtare nuk ka edhe djegia e ish-shefit të komisariatit.
Minatorët, kundër "mafies së minierave"
Para disa kohësh, sindikata e minatorëve të rrethit u fut edhe në grevë urie disa ditë. Mes kërkesave të tyre, ata akuzuan edhe atë që e quajtën si "mafia e minierave".
Sipas tyre, persona që nuk kanë lidhje me minierat, por që kanë marrë një licencë pas së cilës fshihen pushtetarë, po shfrytëzojnë minierat, duke e shitur djersën e tyre në Maqedoni dhe duke mbushur xhepat.
Vladimir Mimini, kreu i sindikatës së minatorëve, deklaroi gjithashtu se po grabitej hekuri i Debrovës. Ai kërkoi që Kontrolli i Lartë i Shtetit të ushtronte kontroll në këto lloj aktivitetesh dhe të vinte para përgjegjësisë personat abuzues.