E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Antigona kërkon të atin"

Fatos Sela, Edi Luarasi, Ahmet Pasha, Ina Gjocni dhe Gjergji Mena do të çelin këtë sezon të ri artistik të Teatrit Kombëtar. Ata janë protagonistët e dramës shqipe "Antigona kërkon të atin". Vepra mban firmën e Mihal Luarasit, ashtu sikundër edhe regjia. Premiera në Tiranë e shfaqjes së shkruar nga Luarasi pritet të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar në datat 25,26 dhe 27 shtator, duke shënuar edhe fillimin e sezonit të vjeshtës në Teatrin Kombëtar të Tiranës. "Antigona kërkon të atin" e ka pasur premierën absolute në Teatrin Bylis të Fierit. Ngjarjet e veprës na çojnë disa vite më parë, ku një vajzë e re niset të kërkojë eshtrat e të atit të pushkatuar gjatë regjimit komunist. Ndihma e saj e vetme vjen prej njërit nga ushtarët që ka qenë pjesë e skuadrës që i pushkatoi të atin. Ky njeri është i vetmi që ndihet fajtor për atë që ka ndodhur, kur në gjendje të tillë duhet të jenë ata që dhanë urdhër për ekzekutimin e mijëra njerëzve. Antigona është një vajzë e cila e ka kaluar të gjithë jetën duke kërkuar eshtrat e të atit. Ajo e ka përjetuar dënimin që i është bërë atij që kur ka qenë në moshë të vogël. Është një histori, e cila i ka lënë gjurmë të thella në shpirt dhe për këtë, ajo i bën një betim vetvetes. Kërkimi i eshtrave të babait kthehet për vajzën në një mision të vërtetë, i cili duhet përmbushur por është njëkohësisht edhe çuarja e amanetit të gjyshes së saj deri në fund. Këtë përgjegjësi ajo e kishte marrë përsipër edhe për shkak të nënës së saj që është sëmurë. Ajo nuk ka motra epo vëllezër ku të mbështetet dhe është e vetmja që mund të niset në kërkim të pjesëtarit të dashur të familjes. Në këtë mënyrë, vajza ka "eliminuar" veten e saj në të gjitha drejtimet, madje edhe si femër. Jeta e saj i kushtohet përmbushjes së një amaneti. Edhe zgjedhja e këtij emri për personazhin qendror nuk ka qenë një zgjedhje e rastësishme për regjisorin. Ajo ka një lidhje të fortë me Antigonën e antikitetit. Antigona, e cila kërkon të varrosë të vëllanë e vrarë, të cilin mbreti e ka dënuar të mos këtë një varr, pasi është shpallur tradhtar i atdheut, guxon të thyejë çdo rregull e të bëjë një veprim njerëzor. Ta varrosë atë. Edhe pse e dinte që do të kishte një fund tragjik, ajo nuk ngurroi ta bënte. Nuk mungon paralelizmi mes dy Antigonave. Shqiptarja, është simbol i padrejtësisë, kundrejt mijërave shqiptarëve që të eliminuar prej sistemit komunist në vend, ende nuk e kanë një varr. Ajo përcjell të njëjtin mesazh që në thelb është i njëjtë me atë që përcjell Antigona e antikitetit: çdo njeri i vdekur meriton të ketë një varr.

Më parë regjisori ka deklaruar se për realizimin e kësaj vepre ai ka njohur dhe ka kontaktuar nga afër me njerëz realë, të cilët kanë pasur të njëjtin fat si ai i Antigonës. Shkëndija për të shkruar këtë vepër i ka lindur Mihal Luarasit disa vite më parë, por shtysa përfundimtare erdhi disa muaj më parë kur në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës u çel një ekspozitë e cila pasqyronte të gjithë kalvarin e të dënuarve politikë në kohën e diktaturës gjatë të cilës u burgosën dhe u pushkatuan mijëra njerëz. "Antigona kërkon të atin" sigurisht që nuk trajton vetëm këtë problem, por ajo trajton dhe një tjetër më të madh dhe më të rëndësishëm, atë të kërkimit të faljes, pra mjetin e shkëputjes nga e kaluara diktatoriale. Shkaktarët kryesorë, ende nuk po kërkojnë të falur për krimet e kohës së diktaturës. Mesazhi që Mihal Luarasi na përcjell me këtë dramë të re është që shoqëria shqiptare duhet të shkëputet përfundimisht nga koha e diktaturës dhe e komunizmit. Qëllimi i autorit, njëkohësisht edhe regjisor i shfaqjes është t‘i bëjmë thirrje të tjerëve, që të distancohen nga diktatura dhe nga koka kryesore e diktaturës që ishte Enver Hoxha. Për këtë dramë regjisori ka zgjedhur aktorë të rinj si Ina Gjonçi, Gjergj Mena, por dhe emra të tjerë të njohur si Edi Luarasi, Fatos Sela dhe Ahmet Pasha.

Regjisori Mihal Luarasai ka një krijimtari të pasur në dramaturgjinë shqipe. Atij gjithnjë i kanë interesuar pjesë teatrore të cilat frymëzohen nga realiteti shqiptar. E në këtë kuadër, ai ka shkruar pjesë të cilat kanë pasur sukses në skenë si "Korbi i bardhë", e cila trajton çështje të korrupsionit dhe njerëzve në segmente të veçanta të politikës, që kanë qenë të korruptuar apo drama tjetër "Gomone" e cila trajton temën e eksodit, të largimit të njerëzve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›