E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkanasit dhe marrëdhëniet e vështira, tema e ditës

Leximet autoriale të "Poetekës 2009" janë zhvendosur në ambientet e jashtme të Muzeut Etnografik në Durrës. Godina e gurtë dhe e drunjtë u ka krijuar hijen e duhur poetëve nga Shqipëria, Kosova, Spanja, Polonia dhe Portugalia në recitimet e tyre të paradites. Shqipëria në këtë sesion të parë është prezantuar nga poetët Ledia Dushi, Anton Papleka, Bardhyl Londo, Leka Ndoja dhe Nikolla Spathari, ndërsa Kosova nga Ali Podrimja. Një poet tepër interesant, polaku Jaroslau Mikolajevski, është prezantuar me krijimet e veta, duke tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve. Gjithashtu është mirëpritur edhe spanjollja Blanka Andreu. Portugalia është prezantuar me poezinë e Ameriko Rodrigues, i cili gjithashtu i ka lexuar vetë një pjesë të krijimeve të tij. Në ditën e dytë të festivalit u bë promovimi i dy librave dhe një mbrëmje letrare me poetin amerikan Tom Sleigh, në të cilën morën pjesë autoritete të larta të ambasadës amerikane. Tema e trajtuar gjatë kësaj mbrëmjeje nën tingujt e klarinetës së Fatos Qerimajt ishte "Surealizmi kundër klasicizmit ose përse unë gris togën time". Këtë vit, aktivitetet e "Poetekës" kanë përfshirë dhe gjimnazet kryesore të qytetit. Kështu, në shkollën e mesme publike "Naim Frashëri", të qytetit bregdetar, është organizuar promovimi i librit "Tespihet prej fosfori" të poetit malazez Jovan Nikolaidis që është një vështrim mbi marrëdhëniet mes fqinjëve. Promovimi u shoqërua me një forum me studentë të cilët kanë qenë aktivë për të ndarë mendimet e tyre, por dhe marrë përgjigje për pyetjet që lindin mbi këto marrëdhënie me autorin e librit dhe dy moderatorët e aktivitetit Ilir Paja dhe Arian Leka. Ndërkaq një tjetër libër u promovua në ambientet e muzeut etnografik, ai i titulluar "Ulcera dhe zëri i saj" i Pietro Santagadës. Nuk është mbyllur këtu ditë-nata poetike, e cila ka ofruar një tjetër temë ballkanike me lexime, intervista dhe pjesë instrumentale muzikore në temën "Si të vajtosh e të këndosh për tjetrin", një temë kjo gjithashtu e bazuar në marrëdhëniet e vështira kulturore dhe etnike mes ballkanasve. Në panelin e diskutimeve përballë pjesëmarrësve dhe nën drejtimin e Ben Andonit kanë qenë kosovari Edi Shukriu, greku Demostenes Agrafitios, shqiptari i Maqedonisë Kim Mehmeti dhe kroati Tomislav Bilosnic.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›