SUKSESI, mbërrin trofeu i katërt në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi
Studentët e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, marrin dhe dy çmime të tjera në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Studentor EarlyBird, që u mbajt nga data 20 deri në 25 tetor në Sofie të Bullgarisë. Në edicionin e 5-të të këtij festivali, u paraqitën 12 shkolla të filmit nga Europa Juglindore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. AFMM u paraqit me pesë produksione të vitit akademik 2008 - 2009. Filmat ashtu si të gjithë filmat e studentëve në Europë dhe më gjërë, janë ekskluzivisht produksione studentore, të krijuara nga vetë studentët në rotacion dhe pa buxhet. Juria ndërkombëtare vlerësoi me çmimin Best directing (Regjia më e mirë) filmin “Kohë e Lirë”, me regji dhe skenar të Kreshnik Serjanit, si dhe çmimin Best editing (Montazhi më i mirë) për Arian Gjonbalajn. Gjithashtu, u vlerësua filmi “Për ters at’çast” me regji të Gentian Koçi dhe skenar të Bora Yllit.
Këto dy çmime bëjnë që të renditen katër trofe në AFMM pasi vetëm në gusht, në edicionin e sivjetshëm të festivalit Dokufest në Prizren, filmi “Antena” me regji të Gentian Koçit u nderua me çmimin “Best National Film”. Rektori Kujtim Çashku thotë se “Kujtojmë që këta filma, të cilët sot përfaqësojnë AFMM-në dhe kinematografinë shqiptare në kompeticione ndërkombëtare, janë realizuar gjatë agresionit të vazhdueshëm të administratës kulturore dhe nën heshtjen dashakeqe të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ndaj talenteve të reja.”
“Miss Globe 2009” mbyll turin në Shqipëri dhe në Kosovë
Elona Nallbani dhe Piter Bross prezantojnë spektaklin
Producenti Petri Bozo rinovon kontratën për ta zhvilluar këtë spektakël deri në 2015
Rrugëtimit nëpër trojet shqiptare prej së martës i ka ardhur fundi. Konkurentet e këtij viti të “Miss Globe International” janë në përgatitjet e fundit. Nata finale është në prag dhe të dielën mbrëma në Pallatin e Sportit në Durrës vetëm njëra prej tyre do të fitojë kurorën e më të bukurës së Globit. Në atmosferën e ndezur buzë Adriatikut, ndihet konkurenca. Vajzat sfilojnë, punojnë me koreografen Kozeta Bakiu, ushtrojnë performancat, provojnë veshjet. Emocionet dhe qëllimi final, ai i një prezantimi dinjitoz në një garë të fortë, paralajmëronjë një spektakël që pritet të mbahet mend gjatë. Ndërkaq, e marta në mbrëmje ishte dita që i dha fund një rrugëtimi krejt të veçantë të bukurosheve të “Miss Globe”. Turi i nisur në Sarandë, pasi përshkoi qytetet buzë detit, Shkodrën dhe Kukësin vazhdoi për disa ditë në Kosovë. “Ka qenë një tur i jashtëzakonshëm. Kemi vizituar Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Gjilanin dhe kudo kemi gjetur një mikëpritje të jashtëzakonshme. Kudo pamë porta që na hapeshin, njerëz që na këndonin, që organizonin pritje madhështore, një atmosferë vërtetë e paharrueshme”, thotë producenti Petri Bozo. Sivjet, spektakli do të prezantohet nga një çift vërtetë interesant, kombinimi i një balerine dhe koreografeje të njohur për skenat shqiptare, me një shoumen familjar për skenën dhe turin e Miss Globe. Elona Nallbani dhe Piter Bross, ish menaxher i Hotel Rogner, kanë shoqëruar gjithë këto ditë vajzat në turin e tyre, duke qenë gjithaq protagonistë sa edhe bukuroshet. Një lajm i mirë është rinovimi i kontratës të Petri Bozos me bashkëshorten e pronarit të ndjerë të “Miss Globe International”, e cila i ka besuar sërish producentit shqiptar zhvillimin e këtij spektakli përgjatë 6 viteve të ardhshme.
30 Tetor 2009