Ministri i Jashtëm, Haxhinasto: Opozita të kthehet në Kuvend, do plotësojmë 12 rekomandimet
Në një prononcim për mediat pas takimit me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi dhe ambasadoren polake Irena Tatarzinska, zv/kryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto tha se ekziston koha e mjaftueshme që Shqipëria të kualifikohet pozitivisht në opinionin e ardhshëm të Bashkimit Euopian. Zv kryeministri Haxhinastoi theksoi se mesazhi që ka marrë nga Ambasadorja e Polonisë dhe Ambasadori i BE-së, është se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të ecë me një shpejtësi të re në procesin të integrimit. “Ky mesazh u bë i qartë edhe në takimin që unë pata me zonjën Ashton. Pra, ky është viti i mundësisë së madhe për Shqipërinë që të angazhohet në realizimin e prioriteteve të caktuara nga BE-ja në opinionin e vjetshëm për Shqipërinë”- u shpreh zv/kryeministri Haxhinasto. Po ashtu ministri i Jashtëm Haxhinasto ftoi opozitën të bëhet pjesë e reformave të rëndësishme në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ndërsa e cilësoi si të vonuar vendimin e opozitës për të hyrë në Kuvend vetëm gjatë muajit shtator. “Opozita duhet të jetë e angazhuar në trajtimin e të gjithë problematikave, ligjeve dhe reformave për të plotësuar prioritetet por nëse nuk do të vazhdojë dialogu sigurisht që situata do të jetë krejt ndryshe”- theksoi Haxhinasto. Ai gjithashtu e ka cilësuar si të gabuar vendimin e opozitës për të hyrë në Kuvend gjatë muajit shtator pasi vendi duhet të shkojë me një cilësi të re në mbledhjen e Këshillit të Europës në 19 korrik.“Kthimi i opozitës në shtator është i gabuar, pasi në 19 korrik zhvillohet mbledhja Këshilli të Asociimit. Ky është kontakti më i lartë ku do të bëhet një rishikimin i institucioneve dhe ecurisë së përmbushjes së prioriteteve dhe mendoj që në këtë moment Shqipëria duhet të shkojë me një cilësi të re të dialogut politik ndryshe do të jetë shumë vonë”- theksoi zv/kryeministri në fjalën e tij, Haxhinasto.
Më tej, Haxhinasto u shpreh optimist se nëse Shqipëria angazhohet për përmbushjen e kritereve ka gjithë mundësitë për të pasur sukses në vlerësimin që do t`i bëhet gjatë muajit tetor nga Bashkimi Europian.
Zoti Ministër! A besoni se Shqipëria gjatë presidencës polake do të mund të arrijë të përmbushë 12 prioritetet e BE-së?
Unë besoj që Shqipëria i ka të gjitha mundësitë. Nëse do të angazhohemi në një proces institucional politik, janë të gjitha mundësitë, që të realizohen ato prioritete që janë vënë para nesh vitin e kaluar nga opinioni i BE-së. Absolutisht që ekziston koha e mjaftueshme dhe mundësia që ne të kualifikohemi pozitivisht në opinionin e ardhshëm të BE-së.
Kur thoni absolutisht, ekziston mundësia dhe koha, keni parasysh dhe bashkëpunimin e opozitës? Po në rast se opozita do të vijojë të mbajë sërish të njëjtin qëndrim në raport me zhvillimet më të fundit politike dhe mazhorancën?
Kjo është një përgjigje shumë e thjeshtë. Kur them absolutisht, kam parasysh që të jetë e angazhuar edhe opozita në një proces normal, institucional dhe parlamentar, pra të angazhohet në trajtimin e reformave, ligjeve që janë të parashtruara tashmë në planin kombëtar të veprimit për plotësimin e prioriteteve. Nëse nuk ka një bashkëpunim të tillë dhe nuk do të vazhdojë dialogu, nëse nuk do të jepet kontributi politik i opozitës brenda institucioneve, sigurisht që situata do të jetë krejt ndryshe.
Opozita ka lajmëruar që në muajin shtator do të kthehet në parlament për të bashkëpunuar për integrimin, në tetor del raporti. Mjafton një muaj për ta marrë statusin?
Mendoj se kushtëzimi i kohës për kthimin e opozitës në parlament është i gabuar. Në datën 19 korrik, zhvillohet Këshilli i Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së. Do të jetë takimi më i lartë me BE-në, ku do të bëhet një rishikim i ecurisë së deritanishme të institucioneve shqiptare për sa i përket detyrimeve që kanë ato, sigurisht edhe i opozitës, dhe mendoj që në këtë moment Shqipëria duhet të shkojë me një cilësi të re të dilalogut politik, të dialogut institucional politik, përndryshe besoj se do të jetë shumë vonë.
A pati ndonjë qëndrim nga dy zyrtarët e lartë në raport me deklaratat më të fundit të opozitës?
Nuk kemi trajtuar deklarata të opozitës. Takimi ishte për të paraqitur prioritetet e presidencës polake, për të theksuar gatishmërinë e BE-së, se nëse Shqipëria angazhohet seriozisht në realizimin e prioriteteve tashmë të lëna të qarta dhe të përkthyera në një plan pune, ka gjithë mundësitë për të pasur sukses në vlerësimin që do të bëhet në muajin tetor të këtij viti.