Presidenca e BE ripërsërit ftesën për statusin e kandidatit

Në një konferencë të përbashkët shtypi, ambasadorja e Polonisë në Tiranë, vend i cili ka presidencën e Unionit si dhe ambasadori Etore Sequi konfirmuan vlerësimin pozitiv për kërkesën shqiptare të kandidimit, me kusht që të plotësohet miratimi në parlament i nismave-parakushte të BE-së
Që prej 1 korrikut Polonia ka marrë presidencën e Bashkimit Evropian. Ambasadorja e Polonisë në Tiranë Irena Tatarzynska dhe ai BE-së, Ettore Sequi takuan ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, të cilit i dorëzuan prioritetet e presidencës polake ndër të cilat më të rëndësishmet janë thellimi i integrimit evropian, si burim zhvillimi dhe rritje ekonomike për mbarë Bashkimin Evropian si dhe një Evropë gjithnjë e më të sigurt dhe e hapur, përfshi këtu edhe promovimin e mëtejshëm të zgjerimit. “Është kënaqësi dhe privilegj i madh për mua që në emër të presidencës polake të BE-së, të rikonfirmoj këtu mbështetjen për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, një mbështetje kjo e cila në fakt është konfirmuar edhe më parë. Presidenca polake e BE-së do të bëjë përpjekje për të zbatuar strategjitë e BE-së për zgjerimin. Prandaj, ka shumë rëndësi në këtë drejtim që vendet kandidate si edhe vendet që aspirojë për t’u bashkuar me BE-në, të tregojnë vendosmërinë e tyre në këtë proces. Kushtëzimi në këtë drejtim siguron edhe cilësinë e procesit të zgjerimit të BE-së. Prandaj, ne e shikojmë këtë si një faktor, i cili lehtëson procesin e zgjerimit, por edhe të kohezionit të BE-së. Prandaj, përfitoj nga ky rast për t’i shprehur urimet më të mira popullit shqiptar, qeverisë shqiptare, që të ecë me shpejtësi drejt realizimit të kritereve të përcaktuara nga BE-ja, në mënyrë që ajo të bashkohet me BE-në kur të ketë plotësuar këto kritere”- tha ambasadorja Tatarzynska. E rëndësishme është që gjatë presidencës polake, Shqipëria të realizojë detyrat e vëna nga BE, në mënyrë që në nëntor, kohë kur edhe dorëzohet progres-raporti i Komisionit Evropian, Shqipëria të jetë gati për të marrë statusin e vendit kandidat.