E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antikomunisti komunist, bile sigurims

Nga Bashkim KOPLIKU
Nëse ky z. Ahmet Sulstarova do të fliste privatisht, nuk do të denjoja ti ktheja përgjigje: ka tamam gjuhën shpifarake dhe mashtruese të një këlyshi të sigurimit komunist, që vesh lëkurën e qengjit, lëkurën e të përndjekurit nga komunizmi, për tu maskuar.  Por ai më është drejtuar publikisht (shkrimi i tij në Sot, datë 28.5.09, me titull Vijim i një replike të detyruar me z. Bashkim Kopliku), kështu që në respekt të lexuesve të gazetës, detyrohem ti përgjigjem.
1- Ai shkruan; Bashkim Kopliku [...] deklaron se komunist qenkam unë dhe shoqata Pronësi me Drejtësi...
Kjo është shpifje ... Unë nuk kam deklaruar një gjë të tillë, në asnjë mënyrë për shoqatën e nderuar të Pronësi me Drejtësi. Po kopjoj se çkam shkruar:
Nuk ia vlen të merrem me fyerjet komuniste që përmban shkrimi ndaj të cilit po replikoj: janë bërë tashmë bajate këto slogane prej antikomunisti komunist, si këto të këtij zotit z. Sulstarova.
Pra del e qartë se zotit A. Sulstarova i duhet të bëjë ortak shoqatën, në pisllëqet e tij. E pra, a nuk ju duket dredhje prej këlyshi sigurims, ky kalim.
2- Pastaj, si komunistët vakti, merret me biografitë e të afërmve të mi, natyrisht edhe ato duke i shpifur. E fillon me babën tim, me vjehrrin tim, pastaj me meritat e familjes së vet, etj.  
Nuk ia vlen të bie në fëlliqësirat e z. A. Starova, që nuk dallojnë shumë nga ato të vitit 1975, kur partia komuniste kishte vendosur të na i shihte biografitë në 7 brez.  Pra nuk po u përgjigjem gjërave që nuk lidhen me mua personalisht.
3- Shkruan, shpif se unë paskam bërë të përndjekur vjehrrin tim etj.  
Vjehrri im ka qenë i internuar nga komunizmi dhe i kanë takuar të gjitha zhdëmtimet e marra, sipas ligjit. Nuk e di a ka qenë i internuar z. A. Starova (jo njerëzit e tij, por ai personalisht).
4- Shkruan, shpif z. A. Starova si vijon: Ju, Bashkim Kopliku, kur u bë greva e urisë së pronarëve për të kundërshtuar ligjin 7501, ishit ministër i brendshëm.  Kini burrërinë të sqaroni në shtyp kush arrestoi në Shkodër kryetarin e degës së Shkodrës, z. Njazi Muka
Ka dy shpifje. E para, unë kam qenë ministri i Brendshëm nga data 16.4.1992 deri 07.4.1993, pra shumë para asaj greve. E dyta, z. Njazi Muka, që paskam arrestuar, është djali i dajës së babait tim!!!
Sa mjerane, të vjen keq vërtetë që njerëz me një gjuhë si kjo e këtij z. A. Starova, kanë depërtuar deri në krye të një shoqate shumë të nderuar, si ajo e Pronësi me Drejtësi.
5- Pastaj merret me një trumbetë të çjerrë prej kohësh, me mua, me babanë tim, me Enver Hoxhën etj. Po lë të flasin një grup ish-të përndjekurish, duke ribotuar shkrimin e tyre të para nja 15 vjetëve.

Nuk do të lejojmë njollosjen e intelektualëve demokratë

(Letër publike e pesë ish-të përndjekurve politikë, e botuar në Gazetën Dita Informacion, 27.8.1994)

Që intelektualët demokratë të goditen, të kritikohen dhe të përfliten e të shpifet nga ana e opozitës, është e pritshme dhe nuk çudit njeri. Por që të sulmohen nga ish-të-përndjekurit politikë, kjo nuk është e mundur!  Ata që këto ditë po godasin edhe z. Kopliku, a thua se janë të pasqaruar?! Jo! Edhe në gazetën "Liria", edhe në Rilindja dhe në RD, ai ka botuar sqarimin, ku hedh poshtë shpifjet për sa gjoja paska thënë "një herë, diku.  Pas këtij sulmi fshihen forca diabolike të ish-Sigurimit të shtetit dhe të shërbimit sekret serb, që veprojnë kundër të gjithë atyre personave, që nuk i korruptojnë dhe blejnë dot.  Në rastin e Bashkim Koplikut është fjala për atë person që si Ministër i Rendit Publik, gjate viteve1992-1993, "mbushi policinë me ish-te përndjekur", siç e akuzojnë rëndom zërat e opozitës.  Këto dite, nga ndonjë gjoja ish-i-përndjekur, dëgjohen zëra që përpiqen të errësojnë punën vetëmohuese të z. Kopliku për ngritjen e shtetit demokratik.  Asnjë akuzë konkrete s'janë në gjendje të bëjnë kundër tij, veçse thirrje, zhurmë, mbjellje opinioni mbi bazë shpifjesh.  Tamam loja e njohur e sigurimsave të shtetit dhe e udbashve.
Dikush e quan atë të përkëdhelurin e komunizmit.  Më poshtë po rendisim disa momente biografike të tij
U lind e u rrit në një familje qytetare shkodrane.  Më 1961 Kopliku filloi Universitetin e Tiranës, pasi mbaroi gjimnazin shkëlqyeshëm dhe me dy gjuhë të huaja.  
Më 1969 nuk e lejojnë të fillojë punën si pedagog në Universitetin e Tiranës si njeri me biografi "të tmerrshme" (shprehje kjo e përdorur nga sekretarja e partisë e rajonit).  A është kjo përkëdhelje e komunizmit?!  
Më "1973 nuk i japin të drejtën të mbrojë temë për kandidat shkencash (prapë biografi e keqe).  
Më 1974 babai i së dashurës së tij të ndjerë, përpiqet, por pa sukses, të pengojë martesën e çiftit të dashuruar, sepse ekstremistët komunistë nga Shkodra e nga Durrësi e kërcënonin me biografinë e keqe të dhëndrit.
Më 1975, gjashtë muaj pas martesës, deshën e bënë çmos që ta detyronin të ndante gruan me që babain, nënën e motrën e saj, komunistët i internuan.  Z. Kopliku i përballoi të gjitha, madje edhe një mbledhje tetë-orëshe të kolektivit, me moton "kur e mora për grua, nuk e mora për hir të të atit, e tani nuk do ta le për të atin".  A është kjo, përkëdhelje e komunistëve?!
Më 1975 e kthyen punëtor, për tu riedukuar në gjirin e klasës punëtore, dhe ndërkohë, Sigurimi i shtetit i bën presion për muaj me radhë për ta kthyer në agjent e spiun.  Po, as kërcënimet e as premtimet joshëse, nuk e thyen z. Kopliku.  E ai as për oportunitet nuk firmosi.  A është kjo, përkëdhelje e komunistëve?!
Më 1976 e dëbuan si qen nga Kampi i Punëtorëve, ku kishte filluar pushimet me gjithë gruan dhe fëmijën e vogël, sepse një njeri me biografinë e tij, sipas ideve maoisto-enveriste. nuk duhet të pushonte në një kamp punëtorësh.  I organizuan edhe një mbledhje demaskuese në ndërmarrje.  A është kjo përkëdhelje e komunistëve?!  
Më 1985, megjithëse ishte kryetar i grupet të studimit për prodhimin ne vend të televizorit me ngjyra (ai vetë kishte bërë edhe studimin ekonomik veç atij teknik) e përjashtuan nga grupi që shkoi jashtë shtetit për këtë problem.  Z. Kopliku pati guximin, nën rrezikun e burgut, të reagojë "me grevë", u tërhoq publikisht e në mënyrë protestuese nga puna e më tejshme e tij për prodhimin e televizorit me ngjyra.  A është kjo, përkëdhelje e komunisteve?!  
Më 1990, kolektivi i ndërmarrjes e zgjedh kryeinxhinier për surprizë e kundër rekomandimeve të Komitetit të Partisë së Durrësit.  
Më 1991. si kandidat për deputet i PD-së, megjithëse kishte konkurrentë kryetarët respektivë të PS-së, PR-së, PSD-së e PDNJ-së, fitoi duke marrë trefishin e votave të atyre të katërve së bashku.  Edhe shumë komunistë të ndershëm ia dhanë zotit Kopliku votën duke respektuar aftësitë e tij intelektuale, burrërinë dhe ndershmërinë e tij.  A është kjo, përkëdhelje e komunistëve?!
Po e mbyllim këtë shkrim duke qenë të bindur se, duke shkruar për Bashkim Koplikun, kemi shkruar për të gjithë ata intelektualë shqiptarë, që jetuan periudhën komuniste në Shqipëri e që mundën t'u bëjnë ballë goditjeve duke ruajtur dinjitetin e tyre njerëzor e duke rritur vazhdimisht aftësitë e tyre intelektuale.  Janë këta intelektualë që përkrahën të parët lëvizjen demokratike e u bënë figurat e para të ndritura të demokracisë se re shqiptare.  Të gjithë intelektualët tanë demokratë duhet të punojnë të qetë, sepse sot janë të nderuar dhe të përkrahur nga ish-të përndjekurit e nga gjithë shqiptarët e ndershëm.  Nuk do t'i lëmë vetëm para sulmeve të sigurimsave, udbashëve e vagabondëve ordinerë të kamufluar si ish-të-përndjekur.

lsh-të përndjekurit politikë: Vedat Sazani, Lindita Prifti, Nevruz Çela, Dhimitër Miho dhe Dr. Koçi Moisiu

Duket sikur z. Ahmet Sulstarova ka shpifur që në vitin 1994, duke u bërë edhe ai shkak për shkrimin e kësaj Letre publike të atyre ish-të përndjekurve politikë.

Last Updated on Friday, 29 May 2009 10:06

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›