Vlora, vetëm 6 operatorë për kartat e identitetit
Rritja e interesit të qytetarëve për të aplikuar për kartat e identitetit, tashmë që ku proces po shkon drejt fundit, duket se ka shtuar dhe problemet pranë zyrave të aplikimit dhe shpërndarjes në qytetin e Vlorës. Ndonëse janë bërë përpjekje të shumta për shtimin e numrit të operatorëve apo edhe për shtimin e zyrave ku punojnë këta operatorë, problemet jo vetëm që nuk janë zgjidhur përfundimisht, por po shtohen dita ditës.
Situata në këto zyra është gumëzhitëse qysh në orën 7:00 të mëngjesit kur venë në këto sportele qytetarë të ndryshëm, më së shumti të moshës së tretë që kanë aplikuar dhe presin të marrin kartën apo edhe nga ata që aplikojnë për të parën herë. Sepse duhet theksuar fakti se problemet e shumta këto ditë janë edhe në sportelet ku aplikohet për karta edhe atje ku merren kartat, ndonëse sportelet janë të ndara dhe ambientet po ashtu. Tek ambientet e aplikimit, problemet lindin se në të gjithë sallën ku të presin për aplikim 6 operatorë, pak për një qytet si Vlora që 130 mijë banorë vetëm qyteti, ka vetëm një derë hyrjeje dhe më së shumti zhurma bëhet pikërisht këtu sepse punonjësi i rojeve private, i caktuar për të mbajtur radhën, më së shumti fut vetëm miq e shokë dhe gjullurdia këtu është e madhe. Po ashtu problemi lind edhe nga raporti i çekuilibruar midis operatorëve që janë pak dhe shtetasve që vijnë për aplikim dhe që janë shumë. Ndërkohë probleme kanë lindur këto ditë edhe në tre sportelet ku bëhet dhënia e kartave të identitetit të sjella të mbaruara nga Tirana. Aktualisht në këto sportele kishin ardhur me postë plot 33 mijë karta që priten të merren nga shtetasit që kanë aplikuar por që torturohen gjatë marrjes së kësaj karte. Siç tregojnë vetë qytetarët, rrëmuja e parë krijohet nga vetë ata që vijnë dhe shtyhen pa asnjë arsye tek sporteli, gjithmonë me dëshirën për të marrë sa më shpejtë kartën e identitetit. Pastaj rrëmuja tjetër vjen prej faktit se punonjëset e caktuara për ta bërë këtë detyrë kanë ngathtësi në dhënien e kartave. Edhe vetë këto operatore e pranojnë faktin e vonesave në dhënien e kartave dhe këtë e justifikojnë me atë se kartat nga Tirana kanë shumë parregullsi në listim dhe është e vështirë të gjesh shtetasin që ka aplikuar për kartë identiteti. Mirëpo shtetas të ndryshëm pohojnë pa dashur të identifikohen se operatoret punojnë më shumë nga dera se nga sportelet, çka do të thotë se marrin më shumë porositë që vijnë prej miqve e shokëve dhe të tjerët presin në radhë me orë të tëra apo edhe me ditë siç tregojnë disa shtetas që nga sportele marrin përgjigjen se nuk është bërë ende karta e tyre kur ata kanë aplikuar nga të parët në qytet. Madje, ndonjë shkon edhe më tej teksa ka parë se shtetas të ndryshëm shkojnë dhe dorëzojnë tek sporteli kuponin e marrjes me lekë brenda dhe atyre nuk u vonohet aspak karta. Në radhë edhe dje kishte shtetas të shumtë që prisnin në sportel qysh nga orët e para të mëngjesit dhe nuk kishin mundur të dorëzonin ende kuponin e marrjes së kartës. Mesa duket, mbledhjet e gjata nga prefektura dhe kontrollet e shpeshta nga bashkia nuk kanë dhënë frytet e tyre dhe qytetarët vlonjatë vazhdojnë të torturohen gjatë aplikim apo edhe gjatë marrjes së kartave të identitetit.