E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë, garancia e fitores së PD-së



Nga Jozefina Topalli*

Të nderuara zonja,

Të dashura mike, motra, nëna që keni ardhur sot në këtë takim të jashtëzakonshëm.

Në fakt, po bëhen vite që jam bashkë me ju kudo, në çdo fshat, në çdo qytet, në çdo lagje, në çdo bisedim, për çdo problem, për çdo sfidë. Ka qenë një eksperiencë e pabesueshme, e jashtëzakonshme, e veçantë.

Unë dua të shpreh mirënjohjen edhe një herë për kontributin e çdo zonje, çdo nëne, çdo motre, çdo vajze të re, çdo studenteje, për vendin tonë, për familjen tonë, për të ardhmen tone!

Unë përherë ua kam thënë mikeve edhe zonjave të tjera, edhe atyre që kam njohur, edhe atyre që nuk i kam njohur, por edhe me ato jemi njohur më pas, gjatë takimeve: “Ne gratë, ne nënat mund të ndryshojmë shumë, për shumë gjëra në jetë, nga pozicioni, nga prejardhja, nga edukata, nga shkolla, nga vendlindja, nga si jemi rritur, por Zoti na ka dhënë mrekullinë e amësisë. Zoti ne na ka dhënë dhuratën më të çmuar, të përsërisim jetën, të japim jetën. Të qenit nënë nuk është detyrë, të qenit nënë është dhuratë që Zoti ne na ka dhënë”.

Dhe kjo është lidhja më e fortë. Është një lidhje e jashtëzakonshme, është lidhja me fëmijën. Është lidhja më e fortë në botë, sepse është lidhja me fëmijën. Është dashuria më e madhe në botë, sepse është dashuria për fëmijën, dhembshuria për fëmijën. Kjo na bën të ndryshme nga të tjerët. Kjo na bën më të dashura, më të buta, më të vendosura, më krenare. Një gjë ne kërkojmë nga pjesa tjetër, kërkojmë më shumë respekt, kërkojmë që të na respektojnë më shumë.

Të tjerat i bëjmë vetë. Të tjerat i bëjmë të gjitha ne. Unë besoj se kodi i ADN-së i nënave, i grave, që na bën ndryshe, na jep një kod të veçantë, të sakrifikojmë. Kodi ynë i ADN-së është dashuria, kodi ynë i ADN-së është dhembshuria. Kodi ynë i ADN-së është optimizmi. Kodi ynë i ADN-së është sakrifica për fëmijën, te koka kur është sëmurë, kur është mirë, kur fle, kur gabon, kur nuk gabon, kur nuk di të shpjegohet, ne jemi aty. Ne jemi aty dhe në thellësi të shpirtit e falim edhe kur gabon. Ne jemi optimiste, se ai nesër do ta kapërcejë, do të dijë ta kapërcejë dhe do të bëhet fëmijë më i mirë, më i dashur, që do të ecë nesër. Dhe nesër do të bëhet një qytetar i shkëlqyer i vendit tonë. Ne nënat jemi shtylla të pamposhtura. Jemi shtyllat e familjes. Jemi shtylla e kombit, jemi shtylla e vendit. Por ai që do fëmijën, do zemrën, ai që do familjen, do kombin. Ai që do kombin, punon për kombin, e bën me dashuri, e bën me përpjekje, e bën me vendosmëri.

Në takimet e shumta që unë kam pasur, natyrisht kam dëgjuar shumë histori. Më vjen mirë për historitë e pafundme të suksesit të grave, të nënave, të vajzave. I përgëzoj ato! Kanë arritur çdo gjë vetëm me punë dhe përpjekje. Pa dyshim, kam takuar shumë nëna të tjera që kanë probleme, që kanë halle, që kanë shumë fëmijë për të rritur.

Por, unë sot, nga kjo nisje e fushatës, të cilën e filloni ju gratë, zonjat, ju demokrate dhe unë e përsëris një mijë herë: burrat mund të jenë të majtë dhe të djathtë, por nënat janë demokrate dhe vetëm demokrate.

Unë dua të them që ditën e djeshme, kur kam pasur një takim me zonjat e njësisë bashkiake nr. 10, unë i falënderoj zonjat e njësisë nr. 9, e njësisë nr. 10 dhe të të gjitha njësive të tjera ku jemi takuar. Pasi mbaroi takimi, erdhi një zonjë të më takonte dhe më kapi për dore. Në fakt unë po nxitoja, sepse pas atij takimi do të nisesha për një qytet tjetër se kisha një takim tjetër. “Më falni zonjë, - i thashë, - nuk kam kohë për t’u ndalur, por do të takohemi. Hajdeni në zyrën time dhe unë do t’ju takoj!”

Ajo ishte një nënë që kishte katër jetimë. Unë sot i them asaj që nesër ti do të fillosh punë në Parlament. Secila prej jush, çdo zonjë që ka një pozicion, çdo zonjë që ka një mundësi, çdo grua dhe cilado që është në këtë sallë e bën këtë gjë. Jam e sigurt se e bën. Nuk e bëj vetëm unë. E bën secila prej jush. E bën secila prej grave, në cilindo pozicion që ato janë kur ato e kanë një mundësi.

Unë u them atyre grave që janë të detyruara të rrisin vetëm fëmijët, për shkak të divorcit: unë dua të jem aty me ato, që në katërvjeçarin e ardhshëm do të bëj çdo gjë për t’i mbështetur.

Dua t’u them grave, që rrisin fëmijët vetëm, sepse bashkëshortët i kanë në emigracion, në mandatin e ardhshëm në të gjitha drejtimet, në të gjitha shërbimet, mjekësore, shkollore, sociale, financiare, ekonomike, të shkollimit: unë dua të jem mbështetësja juaj, dua të jem avokatja juaj. Unë besoj dhe e kam besuar gjithmonë, sepse këtë model e kam parë te nëna ime. Ajo kurrë nuk është ankuar, kurrë nuk e kam parë të mërzitur. Madje edhe kur ka qarë dhe kur ka pasur hall është fshehur. Janë gra me karakter. Janë gra me optimizëm, që besojnë se vështirësitë mund të kapërcehen. Pa dyshim, jeta jonë është ndryshe nga jeta e nënave tona, që janë heroina. Janë heroinë. Janë krenare.

Ndaj po e përsëris edhe një herë. I admiroj gratë që kanë bërë karrierë, gratë që kanë arritur në ambiciet e tyre, por ato që unë i kam këtu në zemër janë heroinat. Heroinat e vërteta janë ato që ia përkushtojnë gjithë jetën e tyre fëmijëve, prindërve, atyre që kanë nevojë, familjes së tyre.

Një mirënjohje të jashtëzakonshme për të gjitha gratë, për të gjithë sakrificën e tyre. Dhe, së fundi, duke falënderuar secilën prej jush, unë kam një bindje të thellë: atë që mund të bëjë gruaja nuk e bën dot kurrë burri. Atë që mund të bëni ju nuk mund ta bëjnë as të gjithë burrat e Partisë Demokratike.

Unë jam e sigurt se, në qoftë se ju jeni të bindura fort brenda vetes dhe unë jam e sigurt se ju jeni, ditën e votimit ju do të shkoni shtëpi më shtëpi, në çdo pallat, te hyrja e pallatit, te porta, te dyqani, te mikja, te kushërira, te e njohura, arsimtarja, infermierja, cilitdo që takoni: Hajdeni të shkojmë të votojmë! Hajdeni të vazhdojmë të ndryshojmë Shqipërinë! Shqipëria po ndryshon!

Unë e di se fitoren e kemi. Unë e di se fitorja është e sigurt, por ajo që unë pres kësaj radhe dhe këtë e pres prej grave, gratë kësaj radhe do ta bëjnë fitoren më të thellë. Unë jam e sigurt se ju do ta bëni atë më të thellë. Ju do t’i jepni Shqipërisë këtë mundësi.

Kryeministri Berisha ditën e parë të mandatit të dytë do të bëjë të mundur që qytetarët të lëvizin pa viza. Në vitin 2013 këtë Shqipëri tonën, këtë vendin tonë ta bëjë gati për të t’u anëtarësuar në BE.

Unë besoj te ju. Ju besoni te fëmija. Unë besoj te gruaja. Ju besoni te familja.

Unë besoj se gruaja është princesha, është mbretëresha, është Shqipëria.

*Kryetare e Kuvendit. Fjala në takimin e Forumit të Gruas të PD-së

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›