E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikomunizmi fals i Edvinit, i thërrmuar përfundimisht në këtë dhjetor

14-12-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Është thënë prej 20 vitesh, gjatë ditëve festive të dhjetorit, se keqbërësit e pandëshkuar të diktaturës nuk dalin shumë me shoqërinë e tyre të preferuar, të të përlyerve të qëmotit. Kërkojnë t’u shmangen ndonjë romuzi të atyre kalimtarëve të cilët s’mund të harrojnë dot torturat e komunizmit, që janë bërë plotësisht të njohura, hap pas hapi, ditë pas ditësh, javë pas javësh...
Si për të harruar krimet e asaj kohe, sot kanë dalë edhe kujtime të atyre që mund të quhen “lule mos më prek” për ndonjë goditje që kanë marrë nga policia, ç’është e vërteta për të ulur paksa agresivitetin e synimeve që të merrnin pushtetin me dhunë. Pas 1992-shit, për të vënë në dorë pushtetin e humbur, e kishin kaluar kufirin e tolerancës kushedi sa herë. Edvini ishte plagosur në njërën nga provokimet e së majtës së skajshme. Kjo gjuante rastin për të krijuar një gjendje kritike si ajo e nëntëdhjetë e shtatës, që do të vinte për ta tërhequr zvarrë përparimin e gjeratëhershëm, vite pas.
Në mozaikun e tij të mashtrimeve, ER-ja e dramatizon plagosjen e tij. Sipas përshkrimit përrallor në “Kurbanin” e tij të pabesueshëm, gjurmët e plagëve në kokë do t’i  dukeshin edhe sot. Siç ndodh me duar të gjymtuara, të paralizuara, me këmbë të cunguara, apo në persona të katandisur pa gjymtyrë fare (në rastin e të mjerit Dom Lazër Shantoja, në hetuesinë e mizorisë enveriste), në kohën e diktaturës enveriste. Së paku, gënjen se gënjen, E. Rama mund të bënte një ndërhyrje tatuazhi, me zografisjen e një “plagosjeje” të dikurshme!...
Hiperbolizimet e E. Ramës shkojnë paralelisht me megalomaninë e tij. Shtoji këtyre ceneve të karakterit edhe përdhosjen në shoqërinë e horrave të vegjël, në kohën e diktaturës kur mëtohej se në shkolla jepej edukatë dhe jo perversion seksual bunkerëve. Dhe del, kështu,  fizionomia e adoleshentit që ua binte në majë të hundës prindërve. Paçka se sot na flet me lot të nxehtë aktoreskë, për një “harmoni” familjare, në vëllimin 2 të rrenave, të cilat kundërshtohen nga vëllimi 1 i tyre. Kemi të bëjmë me një dëshmi të thekshme inkoherence.
Si antikomunist i rremë dhe autor kujtimesh të pabesueshme, Edi Ramna nuk deshi të ishte i pranishëm në festën e dhjetoristëve. Në gazetën e PD-së, “Rilidja Demokratike”, lexojmë: “Ashtu si 21 vjet më parë, sikurse në çdo dhjetor, këlyshët e diktaturës struken. Në këto ditë të këtij muaji u kujtohet perandoria e humbur e etërve të tyre, u kujtohen krimet e kryera ndaj popullit shqiptar, u kujtohet diktatura që i servirën shqiptarëve për gjysëm shekulli. U kujtohen vrasjet pa gjyq dhe varjet në litar, u kujtohen kampet e internimit (...) dhe mbyllen në zyra dhe shtëpi. Për ta, dhjetori është një muaj makthi. PD kishte ftuar dje në këtë festë në Pallatin e Kongreseve edhe kryetarin e PS-së.  Por ai nuk mund të ishte aty. Ai vajtonte perandorinë e humbur të krimit. Ndërsa, për shumicën e shqiptarëve këto data janë një përkujtim për ditët e përmbysjes së madhe, për PS-në dhe Kryetarin e PS-së, nuk mund të jenë veçse dita e vajtimit për privilegjet e humbura”. Si i ftuar, kryetari i opozitës mund të merrte një grup të njerëzve të tij dhe të ishte  i pranishëm, bashkë me “të vetët”  në këtë festim.  Këtë s’e bëri, jo vetëm për inatçillëk, që është një tjetër tipar i karakterit të tij. S’e bëri sepse në këtë parti ai e kishte të vështirë të zgjidhte elementët. I mbetej rruga e vetme që “të zgjidhte” ata që kishin ngritur të dy gishtat,  21 vite më parë, por pastaj iu ngatërruan gishtat dhe iu bënë grusht në ballë! Por, duke ardhur me ata që i bishtnuan PD-së për interesa të ulëta meskine, për përfitime të padenja e për gjëra të tjera të dyshimta, kishte kuptuar se kështu, në vend që t’i vinte vetullat imazhit të tij të cenuar, do t’i nxirrte sytë!
*   *   *
Me qenë se “Kurbani” po zvetënohet çdo ditë e më tepër, do ta mbyllim me një thënie që duhet ta kenë vash në vëth njerëz që nuk duan të cilësohen si të paskrupullt: Në shtëpinë e të varurit nuk kujtohet litari! Por ky autor, si pa të keq, na flet edhe për firmën “e munguar” të Kristaq Ramës, për të vënë në zbatim varjen e Havzi Nelës ; edhe për vatfërinë e tij të skajshme, gjer në shtëpinë  me qira; edhe për  vjedhjen e autorësisë së veprimtarisë mbi parkun “Rinia” dhe mbi lumin e Lanës; edhe për sjelljen e tij “të përkorë” me seksin fëmëror; edhe për.... (të gjitha subjektet e tjera tematike që i shndërron kokëposhtë). Në “Kurban” përmendet edhe 21 janari, duke iu rrëshqitur 20 janarit, që zbulon synimet e ditës së nesërme. Problematika e 21 janarit kërkon shqyrtim më vete. 21 janari u projektua sipas agresionit të 20 janarit, kur Edi zbuloi vetveten duke thënë se situata do t’i dilte jashtë kontrollit(!) A thua se këto gjendje ishin spontane, domethënë s’ishin krijuar nga ai dhe vetëm nga ai! Më 21 u duruan plagosjet e rojave të obbjektit, që përfunduan spitaleve, ndërsa mësymësit goditnin sa të mundnin dhe nuk patën asnjë kundërveprim. Mund të mbyllej me kaq. E, megjithatë, ky manifestim do të quhej i dhunshëm édhe pa të vrarë, madje pa asnjë të plagosur nga ana e manifestuesve të komanduar nga Edvini, kuptohet. Por kërkohej tjetër gjë. Sehirxhiu përkundrejt selisë kryeministrore nuk e ndaloi manifestimin edhe pas thyerjes së portës së hekurt të kryeministrisë. Ky ndalim gjer këtu ishte krejtësisht i mundshëm. Një telefonatë me  celular dhe gjithçka do të përfundonte me kaq. Përse s’e bëri?- kjo është një pyetje së cilës ai nuk i ka dhënë asnjë përgjigje në “Kurbanin” e tij. Do të dilte ai ideatori i një incidenti, këtë herë i përgatitur me vrasës të paguar. Do të ishte mirë që në “Kurban” të përmendej edhe roli i “sindikalistit” Fiqri Xibri, pagatorit të incidentit kriminal, që u shpërblye me titullin e anëtarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›