PD pas Berishës
Për të kuptuar nëse Partia Demokratike është një institucion politik apo një pronë private, mjafton të risillni në mendje atë që ndodhi më 12 Dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Pasi kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ra të fikët duke folur në podium dhe u detyrua të largohet nga salla, pushoi së ekzistuari Partia Demokratike dhe institucioni i festës së saj. Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli u shfaq në tribunë sa për të treguar se ajo është njeriu më i rëndësishëm pas tij, por përtej këtij gjesti askush nuk guxoi të bënte një gjë thelbësore për Partinë Demokratike. Të dilte në tribunë de të thoshte me njerzillëk, se kryeministri u largua për në spital, por festa do të vazhdojë. Festa është e Partisë Demokratike dhe jo e Sali Berishës. Fyerja e asaj feste dhe personalizimi i saj me Sali Berishën është një fenomen sa primitiv, aq dhe autentik për Partinë Demokratike. As Partia e Punës së Shqipërisë nuk e identifikoi ndonjë herë 16 Tetorin me 8 Nëntorin, edhe pse Enver Hoxha ishte lider absolut i tyre.
Ana primitive e atij gjesti është se askush në atë parti nuk e konsideron veten pjesëtar apo themelues të Partisë Demokratike. Ata që janë aty janë njerëz të kontraktuar nga Sali Berisha për të qenë ata që janë, herë si pushtetarë, herë si shërbëtorë, por gjithmonë si njerëz të emëruar. Në atë sallë nuk ekzistonte më vetëdija se ishin në festë të Partisë Demokratike, që u themelua pas Lëvizjes Studentore, por të gjithë ishin të bindur se ishin ftuar në Kullën e Sali Berishës në Tiranë, dhe meqë i zoti i Kullës u sëmurë, ata ikën të dëshpëruar nga festa.
Gjesti primitiv i mbylljes së festës, bile pa provuar as tortën tradicionale të saj, tregon qartazi se askush nuk e konsideronte atë festë, si diçka që lidhet me një institucion politik në Shqipëri, aq më tepër me partinë që themeloi pluralizmin. Një pjesë e atyre që kanë qenë themelues të asaj partie dhe që ishin në atë sallë, janë aty për shkak të kontratave personale me Sali Berishën dhe jo si njerëz që janë në shtëpinë e tyre. Të tjerët janë përgjithësisht njerëz për të cilët PD është një parti e huaj për ta. Ata janë aty për rastësi, për taraf, për lidhje aksidentale apo korruptive me njerëz të pushtetit, apo për shkak të koalicionit të ri të Berishës me ish- kryeministrat e Partisë Socialiste, Fatos Nano dhe Ilir Meta.
Duke e konsideruar veten të ftuar të Sali Berishës, shumica e atyre njerëzve u larguan instinktivisht nga salla sapo panë shefin e tyre të shtrirë mbi tri tavolina druri 20 metra më tutje sallës së ceremonisë, me një urolog dhe psikiatër neurokirurg tek koka, ndërkohë që u tha se vuan nga tensioni!!!
Por ajo ngjarje ka dhe anën e saj autentike për PD. Ajo parti nuk ekziston pa Sali Berishën. Ajo nuk është më parti e demokratëve të Shqipërisë dhe as ndonjë institucion politik që drejtohet mbi rregulla të qarta loje. Jozefina Topalli për shembull, që u ngjit në tribunë, nuk është nënkryetare e Partisë Demokratike. Ajo është zgjedhur e tillë në vitin 2005, por mandati i saj ka mbaruar në vitin 2009 dhe ajo akoma nuk është rizgjedhur apo konfirmuar si e tillë. Ridvan Bode nuk është Sekretar i Përgjithshëm i asaj partie, pasi dhe ai njësoj si Topalli është zgjedhur për herë të fundit në vitin 2005 dhe ka mbi dy vjet që i ka skaduar mandati. Ajo parti ende nuk ka sekretarët e saj dhe ende nuk ka përfunduar Kuvendin e nisur në vitin 2009. Arsyeja është se Sali Berisha i mban të gjithë pezull, të gjithë në dispozicion të tij dhe askënd në vendin e vet në institucionin e partisë. Ai i ngjan një plaku të lig, që ka sunduar me dorë të hekurt në atë shtëpi dhe nuk ia lë askujt komandën, edhe kur është duke dhënë shpirt. Edhe pse shumë burime afër tij thonë se situata e tij është kritike, ai ishte aq në gjendje sa të këshillonte vazhdimin e festës dhe respektimin e një date që nuk është vetëm pronë e tij dhe PD-së, por gjithë shqiptarëve. Ai nuk e bëri atë. Me cinizmin e njeriut të vogël dhe me moton e tij të shpalosur disa herë gjatë këtyre 21 viteve, pas meje qameti, ai në të vërtetë e donte mbylljen e asaj feste pas ikjes së tij nga salla. Ai nuk mund ta duronte në ato momente agonie idenë se njerëzit mund të festonin dhe pa të, mund të argëtoheshin dhe pa fjalimin e tij dhe mbi të gjitha ajo parti mund të vazhdonte rrugën dhe pa të në krye. Të gjitha këto makthe e bëjnë që ai ta mbajë atë parti me dhunë brenda mureve të kullës së tij, të krijojë me të një marrëdhënie të ndërlikuar dashurie dhe frike, incesti dhe impotence, që në të vërtetë bashkojnë fundin e asaj partie me fundin e tij. 21 vjet pasi mijëra vetë mbushën Qytetin Studenti për të themeluar Partinë Demokratike, ne pamë se si një grusht njerëzish u shpërndanë të dëshpëruar duke mos pasur në mendje Partinë Demokratike, por Sali Berishën.
Nuk ka rëndësi nëse Berisha do të ikë nga sëmundja, nga vota apo nga revolta popullore. Nuk ka rëndësi nëse ai do ta turpërojë dhe më PD-në apo jo, rëndësi ka që ajo parti vetë shpërndahet pa të. Ajo që u pa në atë sallë është se ai e do atë parti për vete dhe jo për demokratët e Shqipërisë, e do për tu mbrojtur deri në minutën e fundit të jetës së tij nga akuzat për plaçkitje të Shqipërisë nga familja e tij, e do që të mos hapet gjyqi i Gërdecit për të birin e tij, e do që të mos hetohet kurrë oferta për përqindje e studios ligjore të së bijës së tij për koncesionet që firmos i ati i saj, e do që të mos hetohet kurrë gruaja e tij për milionat që mbledh nga njerëz të dyshimtë në ballo bamirësie, dhe mbi të gjitha e do që askush të mos ia tundë si këmishë të përgjakur dhe gjak të pamarrë 21 janarin. E tmerron ideja se ata që mund të marrin partinë pas tij, mund ti bien shkurt dhe të thonë se 21 Janarin e bëri Sali Berisha. Nuk di cili dizajner ia kishte projektuar 21 në çdo cep në billbordin e vendosur pas tij, por e sigurt është se ishte gjetje e duhur. 21 është numri që ndoshta do të diktojë fatin e tij. Është dita që ka vrarë për të qëndruar në pushtet.
