E Diel, 1 Nëntor 2026

13 dhjetori, një ditë e ngarkuar pune, për kryeministrin Berisha

14-12-2011 / Gazeta 55

Pas debolesës së 12 dhjetorit, kryeministri Berisha ka pasur dje një ditë të zakonshme pune, ku ka pasur takime jozyrtare, ku spikasin vizitat e kryeparlamentares Topalli dhe kryebashkiakut Basha 

Kryeministri, Sali Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe një ditë pas debolesës që pati në përvjetorin e 21-të të themelimit të Partisë Demokratike, i është rikthyer dje aktivitetit të punës. Kreu i qeverisë ka vijuar normalisht me axhendën ditore në zyrën e tij ku ka zhvilluar edhe një sërë takimesh.
Një sërë takimesh kanë zënë orët e qëndrimit të tij në zyrë, ku fillimisht u takua me kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Kreu i qeverisë la zyrën disa orë më vonë në përmbyllje të këtyre takimeve, për t’u kthyer në shtëpi rreth orës 15.00.
Ndërkohë Kryeministri Sali Berisha ka anuluar vizitën zyrtare që duhej të zhvillonte dje në Malin e Zi për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Në axhendën e kryeministrit Berisha ishte planifikuar ditën e djeshme një vizitë në shtetin fqinj, ku kreu i qeverisë shqiptare do të takohej me autoritetet malazeze dhe drejtuesit e partive politike të shqiptarëve.
Lideri demokrat, Kryeministri Slai Berisha, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e 21 vjetorit të Partisë Demokratike, pati një gjendje lodhjeje dhe, siç beri me dije zyra për shtyp e tij, pas një konsulte mjekësore u konstatua se gjithçka erdhi nga një gjendje lipotimie ose siç njihet ndryshe (debolesë), e lidhur me një virozë për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë diteve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar, ndërsa para largimit nga Pallati i Kongreseve Sali Berisha konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar dhe më pas u kthye në shtëpinë e tij. Një ditë më pas, kryeministri Berisha iu rikthye ditës aktive të punës, në zyrën e tij, ku ka zhvilluar një sërë takimesh, duke ndjekur ndërkohë dhe zhvillimet më të fundit në vend dhe në arenën ndërkombëtare.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi: “Shërim të shpejtë, për fitore të tjera”/Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka uruar shërim të shpejt kreut të qeverisë shqiptare. Në një mesazh drejtuar kryeministrit shqiptar, Thaçi i ka uruar kryeministrit Berisha shërim të shpejtë, në mënyrë që ai të vazhdojë të drejtojë shtetin shqiptar drejt rezultateve dhe fitoreve të tjera. “Me keqardhje e morëm lajmin për një krizë shëndetësore të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesisë së Tij, Sali Berisha. Përkeqësimi ishte i ndjeshëm, pasi ndodhi në një moment solemn, me rastin e 21-vjetorit të PDSH-së, parti që luajti rol historik në themelet e demokracisë shqiptare”, shprehet Thaçi në mesazhin e tij. Kreu i qeverisë kosovare i shpreh urimet në emër të qeverisë së Kosovës. “Të arriturat e PDSH-së janë meritë e kontributit dhe vizionit të kryeministrit Berisha, i cili qëndroi në krye të këtij subjekti qoftë në pozitë, qoftë në opozitë”, përfundon Thaçi.
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›