Rama zbulon PS-në e Durrësit, të ndarë në tre pjesë
Kreu i PS-së s’po gjen dot rrugëdalje nga katastrofa e parashikuar elektorale e 2013-s. Në Durrës ai shpalli kryqëzatën e re kundër aleancës PD-LSI, por gjeti një degë partie të pashpresë, të ndarë në tre copa, në klientë të kryebashkiakut Dako, mbështetës të përzierjes Bizhga-Agasi dhe në ithtarë të themeluesit socialist, Fatos Nano. Dëshpërimi shtyu Edvinin të rimarrë terminologjinë për regjimin fashist, duke konfirmuar se s’ka asnjë alternative si do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare
Në një hark kohor të më pak se një muaji, Edi Rama udhëton në Duurës për të dytën herë. Ndërsa hera e parë kishte si pretekst promovimin e librit të tij “Kurban”, hera e dytë, ajo e djeshmja, ishte rrjedhojë e udhëtimit të parë.
I pakënaqur nga udhëtimi i parë, jo aq nga mos shitja siç pretendohej e “Kurban”-it, apo ca më keq, nga moskuptimi i tij (“Kurban”-it), Edi Rama këtë herë udhëtoi, si rrallë ndonjëherë, për “punë partie”, i shqetësuar nga rruga e keqe e përçarjes që ka marrë dega e kësaj partie.
Dhe realiteti që ka gjetur në Durrës, ka qenë, sikurse ia kishin thënë dhe sikurse kishte dëgjuar...
... Dega e PS-së, në Durrës, ishte ndarë e bërë në tre copa...
Pikërisht, këtë gjendje gjeti dje në Durrës Edi Rama, në më pak se një muaj pasi anëtarësia dhe udhëheqja e kësaj dege partie, “kishte bërë të tyren” idetë e “Kurban”-it të kryetarit Edi Rama.
Nuk ju desh shumë Edi Ramës, të konfirmonte tricopëzimin, gjithashtu edhe të identifikonte “përfaqësuesit” e secilës prej tri copave, në të cilën ishte katandisur dega e PS-së së Durrësit.
Copa e parë e partisë përfaqësohej nga Vangjush Dako, kryetari i bashkisë së Durrësit. Sipas standardit të Edi Ramës (gjatë kohës që ky vetë ishte kryetar i bashkisë së Tiranës), Vangjush Dako është kujdesur të krijojë rrjetin e vetë “të grupeve të interesit”, që natyrshëm janë klientët e tij. Kjo copë, nuk është se ka ndonjë lidhje afektive me PS-në, por për shkak të “lotarisë” që i ka rënë përfaqësuesit të saj, për të drejtuar bashkinë e Durrësit, nuk ka pse të mos “hedhë vickla”, jo vetëm për tu ndjerë më shumë protagoniste.
Copa e dytë dhe e tretë e PS-së së Durrësit, për hir të së vërtetës, kanë më shumë lidhje, jo vetëm afektive me PS-në, dhe përfaqësohen respektivisht nga njërës të kësaj partie të cilët, disa “i bëjnë fresk” Edi Ramës dhe disa të tjerë “i bëjnë fresk” Fatos Nanos.
Pra, sikurse mund të kuptohet, copa e dytë e tricopëshit të PS-së së Durrësit, përfaqësohet nga Gazmir Bizhga e Bardhyl Agasi. Këta dy persona veç e veç, nuk është se kanë ndonjë farë simpatie respektivisht për njëri-tjetrin, por “ua do mushka drutë”, që të lënë përkohësisht ndasitë mes tyre dhe të bashkohen kur vjen fjala te interesat. Afërmendsh, që interesat e tyre janë të lidhura “sipas vendit dhe kuvendi”. Ndërsa dikur ata nga anonimë u katapultuan në forumet e PS-së prej Fatos Nanos, tashmë, me paaftësinë e tyre “e kanë lidhur zorrën” me Edi Ramën..., për një çiki mbijetesë, jo në nivelin që i ngriti Fatos Nano, por të paktën ti vijnë deri te mesi Edi Ramës... sikurse besohet se ia kanë arritur
Copa e tretë e PS-së së Durrësit, përfaqësohet nga grupi i mbështetësve të vjetër të Fatos Nanos. Me një ndikim e ndjeshmëri ende në Durrës, ky grup përbën një kërcënim për Edi Ramën, por që s’ka ç’ju bën, veç ti marrë me të mirë sikurse bëri edhe dje “sa për sy e faqe”..., duke i nxjerrë në tribunën e Asamblesë së zgjeruar të qarkut Durrës, bashkë edhe përfaqësuesit e dy copave të tjera të PS-së.
Kjo ishte për pjesën që duhej të dukej, për gjendjen e padukshme, të degës së kësaj partie.
Për sa i përket për pjesën që duhej të dukej, për mosdukjen e përçarjes së degës së kësaj partie, Edi Rama kishte zgjedhur një “terminologji”, të harruar edhe nga babai i tij shpirtëror Enver Hoxha, që prej vitit 1944.
I kapur nga paniku dhe pamundësia për të bërë tri copat e partisë në një, zgjodhi dje në Durrës, t’ju tregonte përralla me “regjim fashist”, etj., asamblistëve të këtij qarku.
Duke “trashur gjuhën”, i xhelozuar ende prej koalicionit të Sali Berishës me Ilir Metën, në kushtet kur ai ende “nuk bën do zap” as degën e PS-së së Durrësit..., por për më tepër i tmerruar se humbja e zgjedhjeve të 2013, është thjesht dhe vetëm çështje kohe, Edi Rama, nuk mundi të bënte asgjë dje në Durrës, veç tu lutej në formën “nuk kemi pse të kemi luhatje”... por me nota prej qaramani...