E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antikorrupsioni aleatë me “anti-Berishën”

Nga Mero Baze

Gjëja e parë që të bie në sy nga rezultati i sondazhit për korrupsionin në Shqipëri, organizuar me mbështetjen e USAID, është se nga 20 grupe/institucione të vlerësuara, 14 prej tyre konsiderohen si më shumë të korruptuara. Koincidenca fatkeqe për qeverinë është se 6 grupet që nuk konsiderohen aq të korruptuara prej publikut janë presidenti, media, ushtarakët, mësuesit e shkollave publike, drejtuesit e OJF-ve dhe drejtuesit fetarë. Po të përjashtosh nga ky grup drejtuesit fetarë, gjithë grupet e tjera janë grupe, të cilat së paku dy vitet e fundit janë dhe targeti i sulmeve të qeverisë. Presidenti i Republikës, ushtarakët dhe media, dhe më tutje, prokuroria dhe Gjykata e Lartë, e cila ka përmirësim, sipas sondazhit, kanë qenë beteja e kryeministrit Berisha në retorikën e tij antikorrupsion. Kryeministri ka shpallur luftë kundër presidentit dhe ushtarakëve në rastin më korruptiv të historisë së Shqipërisë dhe ndoshta më gjerë, siç ishte historia tragjike e Gërdecit, ku 26 vetë u vranë, për shkak të një historie korruptive që shkon deri te familja Berisha. Kryeministri akuzoi ushtarakët dhe presidentin si të përfshirë në përpjekje për të fshehur korrupsionin, ndërsa bëri një mbrojtje publike për ish-ministrin Mediu dhe një nga njerëzit më të afërt të tij në media, botuesin e gazetës “55”, i cili rezultoi se kishte ndërtuar fabrikën e vdekjes në Gërdec.

Gjatë vitit që shkoi po ashtu kryeministri u angazhua në një betejë të pashembullt kundër medias kritike ndaj tij. Ai nuk la gazetar dhe botues pa akuzuar si të korruptuar, madje akuzat e tij shkuan deri te “New York Times” apo media rajonale, si të blera nga opozita shqiptare. Ky vrer i tij ndaj medias kritike duket se ka bërë efektin e kundërt në opinionin publik, i cili vlerëson medien si një nga luftëtarët më të mëdhenj kundër korrupsionit. Ky është një ndëshkim i ri publik për kryeministrin, dhe një vlerësim negativ për betejat e tij. E njëjta gjë ndodh dhe me shoqërinë civile, e cila po ashtu ka qenë objekti i luftës politike të kryeministrit, i cili jo rrallë ka denigruar figura të saj publikisht. Interesant është dhe fakti që beteja e vetme e zotit Berisha kundër korrupsionit, e cila është gjuetia e tij kundër disa mësuesve që i ka arrestuar për shkak të mitmarrjes, në sondazh është zhvlerësuar. Mësuesit konsiderohen nga qytetarët kategoria më pak e korruptuar e nëpunësve publikë.

Në kah të kundërt me këtë gjithë institucionet, të cilave Berisha u ka bërë avokatin gjatë vitit që shkoi, rezultojnë të korruptuara dhe shumë të korruptuara. Sektorët kryesorë të qeverisjes, si taksat, tatimet, doganat, administrata publike, shëndetësia, policia etj., rezultojnë kategori shumë problematike për qytetarët.

Në tërësi sondazhi vëren se korrupsioni është rritur në raport me vitet e tjera dhe se kryeministri në vitin e tij të fundit ka humbur betejën e tij kryesore, të cilën e ka pasur kalë beteje, kur ka ardhur në pushtet katër vite më parë. Ai po dorëzon një Shqipëri shumë herë më të korruptuar nga sa e ka gjetur katër vite më parë.

Rezultatet e sondazhit po ashtu janë një ndëshkim dyfish për kryeministrin, pasi ato zhvlerësojnë betejën e tij publike. Fakti që gjithë ato institucione që ai ka luftuar rezultojnë se janë në rrugë të drejtë dhe gjithë ato që ai mbron janë në rrugë të gabuar, na dëshmon, jo vetëm që kemi një qeveri të përfshirë në korrupsion, por dhe një luftë të saj në drejtimin e gabuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›