E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë vjet në BE, fitimtarë dhe të humbur

Nga “Deutsche Welle”

Anëtarësimi i Çekisë në Bashkimin Evropian ka bërë që shumë njerëz të përparojnë, ndërkohë që të tjerë janë shtyrë në kufirin e ekzistencës. Dy portrete si këto nuk mund të ishin më të ndryshme.

Helena Fejkova e ka sallonin e saj të modës në një kalim elegant, të dekoruar në stilin modern në Pragë. Ajo e ka filluar punën si stiliste, menjëherë pas rënies së Perdes së Hekurt.

“Një e treta e klientëve të mi ndërkohë janë të huaj - nga Gjermania, Skandinavia dhe Franca. Po ashtu, vijnë edhe shumë amerikanë, të cilët jetojnë këtu në Pragë. Por puna ka filluar të shkojë mirë vetëm pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Anëtarësimi i Çekisë në Bashkimin Evropian u bë më 1 maj të vitit 2004. Në këtë mënyrë u zhdukën nuancat e zymta të epokës postkomuniste dhe me to edhe pengesat burokratike.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian na solli vetëm përparim, unë personalisht më parë kam patur gjithnjë probleme me doganat. Për shembull, nga Parisi kisha marrë njëherë shumë porosi dhe pastaj ishte shumë vështirë që gjërat t'i kaloje përmes doganës. Tani mund të punoj në tërë Evropën dhe e kam mundësinë që të gjej vend në shtete të ndryshme”.

Helena Fejkova sot ka 16 të punësuar. Prezantimet e saj të mëdha janë sfilatat e modës midis Pragës, Parisit dhe Pekinit. Për një koleksion mode ajo ka udhëtuar disa herë në Barcelonë dhe është frymëzuar nga arkitektura e Antoni Gaudi-t.

Nga ana tjetër, pensionistja Eva Smela nuk ka dëgjuar kurrë për Antoni Gaudi-n. Vetëm pak kilometra larg studios së Helena Fejkovës 66-vjeçarja jeton në një ndërtesë 11-katëshe, të ndërtuar me parafabrikate. Gardëroba e saj është gjëja e fundit, për të cilën brengoset sot shitësja e dikurshme.

“Unë jam prej shtatë vitesh në pension. Dhe unë mund të siguroj gjërat ushqimore, vetëm në rast se gjithnjë kërkoj ofertat më të lira. Çmimet për gaz, energji elektrike dhe ujë ngrihen çdo ditë e më shumë. Dhe po ashtu edhe qiraja. Ne kemi frikë se qiradhënësi mund të na nxjerrë në rrugë, sepse nuk mund të paguajmë më qiranë. Ne jemi të moshuar - ku të shkojmë? Ne kemi shumë frikë nga e ardhmja”.

Eva Smela dhe burri i saj marrin të dy bashkë 500 euro pension. Banesa e tyre me dy dhoma, e cila është ende tërësisht e mobiluar me mobiliet e kohës së socializmit të viteve ‘80, kushton 380 euro. Për të përmirësuar sadopak pensionin e saj Eva Smela ka punuar disa vite si pastruese. Por që kur ka pësuar hernie diskale, ajo nuk mund të pastrojë më.

“Ne blejmë vetëm ushqimet e domosdoshme: bukë, qumësht, gjalpë, disa banane, katër mollë e kështu me radhë. Çmimet ngrihen çdo ditë. Ne përdorim vetëm gjërat tona të vjetra. Rrobat tona të vjetra mund t'i arnoj. Për këpucë të reja as që më shkon në mendje. Me të vërtetë është një kohë e vështirë për ne”.

Të rinjtë, çekët e shkolluar, përfitojnë nga zhvillimi ekonomik, i cili është forcuar edhe më nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Prandaj shumica e njerëzve e ndiejnë veten më mirë që prej anëtarësimit në BE. Megjithatë, të moshuarit nuk mendojnë kështu dhe shkaku për gjendjen e tyre të vështirë, sipas tyre, dihet: Bashkimi Evropian dhe Brukseli.

“Nuk më pëlqen fare që ne varemi nga Brukseli. Dikur kemi prodhuar vetë çdo gjë këtu në Çeki. Tani ne duhet të pyesim Brukselin se çka guxojmë e çka jo. Pa Bashkimin Evropian do t'i kishim punët më mirë”.

Dritë dhe hije. Ndërkohë që njëra grua nuk e di se si do ta paguajë qiranë muajin e ardhshëm, tjetra planifikon kapitullin e ardhshëm të historisë së suksesit të saj evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›