E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jehona e përgjakshme e viteve ‘90

Nga Marko Matiç, e-Novine

Po qe se dikush rastësisht këto ditë do të ishte zgjuar nga gjumi njëzetvjeçar, do të ishte në dilemë të madhe, nëse kishte fjetur dy dekada apo vetëm një natë. Ante Markoviç në ndërtesën e Këshillit Federativ, histeria antikapitaliste e elitës intelektuale beogradase, Kosova si fjala më e ndritshme në fjalimet e politikanëve serbë dhe të mësuesve të tyre ideologjikë, ndërkohë që edhe me vetë përmendjen Bosnjë e Hercegovinës pararendësit e regjimit serb i shfaqin me ulërimë dhëmbët e syrit. Vizita e ministrit të Jashtëm në Uashington dhe intervista e tij dhënë për “The Washington Times” do të hyjnë në librat diplomatikë si shembull shkollor i hipokrizisë intelektuale dhe morale. Nuk e di çfarë i ndodhi shefit të diplomacisë rrugës për në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ajo që ai deklaroi aty lirisht mund të quhet një marrëzi e plotë politike.

Në intervistën për ditoren e Uashingtonit, ndërsa po fliste rreth pozicionit të sotëm të Bosnjë-Hercegovinës, Jeremiç theksoi se është “e çuditshme dhe jologjike” që shteti, i cili është protektorat i OKB dhe që e drejton përfaqësuesi ndërkombëtar që nga viti 1995, të bëhet anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB në janar të vitit 2010. “Duhet të vendosim se a do të lejojmë që të zhvillohet demokracia në BeH ose, nëse do të themi: “Ky s’është shtet, por protektorat dhe të emërojmë një përfaqësues të ri, i cili do të ketë autorizime si një guvernator ose si një nën-mbret i Indisë. Ndoshta është pikërisht kjo gjëja që na duhet, por eja të ndalemi pak dhe të shtiremi se BeH është vërtet shtet”, - tha Jeremiç.

Po ta kishte thënë këtë Vojislav Shesheli në vazhdën e konceptit të tij nebuloz gjatë gjykimit në Hagë, askush nuk do të habitej e as brengosej. Mirëpo, deklarata të tilla nga njeriu që kryen një detyrë të rëndësishme shtetërore dhe qëndrimet e të cilit, sipas normave elementare të së drejtës diplomatike, njehsohen me qëndrimet zyrtare të shtetit që përfaqëson, imponojnë si domosdoshmëri një distancim zyrtar të presidentit dhe qeverisë. Nëse një reagim i tillë mungon, atëherë bie në ujë përpjekja e Boris Tadiçit që gjatë krijimit të lojës së tij politike të policit të mirë dhe të keq para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, të prezantohet si një prej aktorëve të rrallë të mençur politikë brenda regjimit të çmendur beogradas.

Ekzibicionizmi i fizikanit më të mirë mes diplomatëve serbë është pasojë e disbalancave dhe ambivalencave shumë më të thella strukturale që e mundojnë shoqërinë serbe prej disa shekujsh. Në një nga studimet e shumta teorike sociologjike, dikush e karakterizoi Serbinë si shembull të një shteti grabitqar. Kjo grabitje shkon në dy drejtime, nga njëra anë ajo është ekspansive ndaj sferave autonome të shoqërisë së saj civile, në tjetrën shpreh një nivel edhe më të lartë agresiviteti ndaj fqinjëve. Dhe, njëmend, shikuar historikisht, kur, për shkak të paaftësisë së institucioneve politike për t’iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të popullatës së vet, ato janë përballur me deficit të legjitimitetit të brendshëm, prandaj janë drejtuar kah popujt dhe shtetet fqinje. Kjo pjesërisht ishte pasojë e tentimeve që, duke prodhuar armiq të jashtëm, të arrihet hegjemonizmi i brendshëm, ndërkaq pjesërisht ishte prodhimi i ambicieve të vazhdueshme imperialiste të elitës politike të Beogradit.

Brenda një konteksti të tillë historik dhe social mund të paramendohet se çfarë pështillej brenda vetëdijes së trullosur të mbidozuar me budallallëqet e ministrit. Po qe se bashkëbiseduesve të vet do të arrinte t’u impononte pikëpamjet e realitetit politik të fqinjit perëndimor në dilemën ose-ose... të dy përfundimet e mundshme do të çonin drejt mohimit të Bosnjë-Hercegovinës si shtet.

Në rast se pranohet ideja që Bosnja është protektorat, kjo do ta legjitimonte synimin e Serbisë që me kohë të thithë një pjesë të atij protektorati për t’ua “lehtësuar” kështu punën mbikëqyrësve të saj. Deri në atë moment do të mbetej e çimentuar ndarja faktike e fqinjit perëndimor, të cilën nën kontrollin e qeverisë së Beogradit po e realizon Milorad Dodik. Në rast të tërheqjes së plotë të bashkësisë ndërkombëtare nga kazani boshnjak, Beogradi zyrtar, me ndihmën e pasuesve të super-koordinuar, do të bllokonte plotësisht funksionimin e institucioneve boshnjake dhe kështu do të impononte tezën se ndarja është zgjidhja e vetme për tejkalimin e një gjendjeje të tillë. Kjo pastaj do t’ia hapte rrugën ndarjes së entitetit të atjeshëm serb, si një kompensimi pervers për humbjen definitive të Kosovës.

Por adhuruesi kujdestar i së djathtës serbe nuk është i vetëdijshëm ndaj deklasimit të plotë të këtyre qëndrimeve. Në Uashington sillen shumë më analitikisht me problemet komplekse të Ballkanit modern, ndërkohë që aranzhimi aq kompleks i Daytonit ishte pikërisht një pasqyrë e atij sensibiliteti për strukturën skajshmërisht të komplikuar të situatës boshnjake. Në vend që të përballen me përgjegjësinë personale të mëkateve nga e kaluara, ideatorët e nacionalizmit serb me këmbëngulje po mundohen që të përfitojnë nga kaosi që prodhuan vetë. Ndërsa garnitura politike në pushtet po i realizon qorrazi punët më të pista të “ziera” brenda asaj kuzhine të helmatisur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›