Flamuri, entuziast për luftën e Fevziut kundër servilëve
Flamuri pati dje një ditë të trazuar. Mëngjesin si zakonisht e nisi me gazetat, dhe dje u kënaq pa masë nga shkrimi i Fevziut. “Sa mirë ua ka bërë këtyre ambasadorëve! - tha. - Madje mirë ua ka bërë gjithë shqiptarëve që janë servilë të tyre.” E lexoi dhe rilexoi disa herë. U bë shumë entuziast. “U paska çjerrë maskën, - tha. - Gjithë këta ambasadorë, d.m.th., dhe çeku, dhe anglezi, dhe gjermani, dhe greku, dhe sidomos ai amerikani, folkan pa leje të qeverive të tyre. Ua paska kapur mirë Fevziu, - tha. - Se ka lidhje ky me qeveritë, i merr vesh të vërtetat. Këta ambasadorët marrin rrogën këtu.” I entuziazmuar mori në telefon Lul Bashën.
- E lexove shkrimin e Fevziut? - tha. - Ishte i paparë. Më ktheu dëshirën të lexoj gazetat, se kam kohë që s’i lexoj. I vetmi gazetar që ka ngritur një problem madhor në Shqipëri, ai është. I vetmi që ka goditur gjënë më të shëmtuar që ekziston në Shqipëri, SERVILIZMIN. Dhe s’ka gazetar më të qëlluar se ai që të flasë kundër servilizmit. Se gjithë të tjerët kanë konflikt interesi me servilizmin. Disa e kanë sulmuar si fenomen, disa e kanë mbrojtur. Ky i ka rënë në kokë.
- E lexova, e lexova, - tha Basha, - po lërë se s’e kam mendjen aty. Po ma kthejnë prapë çështjen në gjykatë. Janë plehra. Mezi i mbylla çështjet, harxhova paratë e dynjasë, këta ma kthyen prapë. Nuk e di nga e kam këtë. S’e kam as Fahriun këtu, se ai ma mori përsipër Spiro Spiron. S’di ç’të bëj.
- Më fal se s’e di ç’ka ndodhur, - tha Flamuri. - Pse prapë e hapën gjyqin tënd?
- Janë plehra Flamur. Rrëzuan vendimet me Kolegj Penal. Është turp. Duan të errësojnë ngjarjet e shekullit. Duan të errësojnë dorëzimin e aplikimit në Pragë. Janë plehra. Nuk e kanë me mua. E kanë me Shqipërinë. E kanë me të ardhmen tonë evropiane. U janë verbuar sytë që unë futa Shqipërinë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, që hoqa vizat për shqiptarët, që i bëra qytetarë të barabartë si gjithë Evropa, që e ktheva këtë vend aty ku e ka vendin…
- Dale, dale, - tha Flamuri. - Pse vërtet i hoqe dhe vizat o...?
- Po do hiqen Flamur, s’kanë ç’të bëjnë. Aplikimi kishte rëndësi. Tani që bëmë aplikimin, të gjitha vijnë më pas. Nuk ka rëndësi se kur bëhet.
- Ëhë, thashë se i hoqët, se dëgjova te “Klan”-i që thanë në lajme se “tani me aplikimin hiqen dhe vizat”.
- Flamur, s’ka rëndësi koha. Kur ishim në Pragë, na çuan te restoranti i Shvejkut. Nuk di në ke qenë ndonjëherë. Mrekulli.
- Jo, unë s’kam dalë jashtë ndonjëherë, - tha Flamuri. - E kam emrin tek ata 700 mijë vetat që marrin karta me 2 mijë lekë. Ndaj thashë të marr dy karta, t’i kem.
- Ëhë, mos ma ndërprit mendimin. E kam për Shvejkun. Kishte të shkruar një parullë të madhe në krye të restorantit. “Në Bugjevicë ne do vemi/Kush beson, faj nuk i kemi.” Dhe ne drejt BE jemi nisur, kush nuk beson, problem i tij, vizat do hiqen një ditë. Në mos mot, pas dy vjetësh. Dhe në BE do hyjmë një ditë. Në mos mot, pas pesë vitesh, pas 15 vitesh, rëndësi kishte aplikimi. Atë kush e bëri? Dhe atë e bëra unë. Ndaj më dënojnë këta plehra, se u janë errur sytë nga suksesi.
- Qenka punë dreqi, - tha Flamuri. - Nuk e dija. Sa u gëzova nga shkrimi i Fevziut, s’të lë njëri të gëzohesh.
- Kjo s’është gjë fare, - tha Luli. - Po këta amerikanët janë çmendur fare. Kanë botuar sot një sondazh që na nxjerr si qeveri më e korruptuar se ajo Fatos Nanos. Dhe spekulojnë, se ne s’kemi vjedhur më shumë se ata. Mirë mua që më thonë ke vjedhur 220 milionë, po Mediu i shkretë s’ka vjedhur gjë, se Gërdeci plasi. Aty s’fitoi asnjë. Madje të gjithë dolën me humbje. Vetëm Fahriu që i mori lekët paradhënie nga Delijorgji s’doli keq. Të tjerët janë me humbje. Dhe Shkëlzeni, dhe Rrahmani. S’i guxojnë ata që thonë kemi vjedhur më shumë?! Ky është turp.
- Të drejtë ke, - tha Flamuri. - Na është qepur me bukë në torbë ai. Ia ka bërë mirë Fevziu. Nuk duhet pasur mëshirë ndaj këtyre. Dhe këtë mund ta bëjnë vetëm gazetarë që nuk janë shquar kurrë për servilizëm. E kishte qarë ai sot. Tani po m’u shtoka respekti, se s’i doja gjithë këta.
- Po, po, ti e ke në terezi, po mua po më shtohet frika. S’i dihet se ç’ndodh. Merr të njëjtin vendim dhe Kolegji i bashkuar dhe unë shkoj në Gjykatë pastaj. Me se të merrem më përpara, me integrimin e Shqipërisë në BE apo me këta plehrat? Po ishallah i fitojmë zgjedhjet, se di unë ç’u bëj këtyre plehrave.
- Nuk di ç’të të them Luli, - i tha Flamuri. - Zgjedhjet varen shumë nga lista. Kam çdo ditë mijëra telefonata që më thonë: “Ty të duam deputet”, dhe unë u them, do jem, por nuk e di, do jem a s’do jem. Shpresoj të mos zhgënjehen njerëzit, pa unë nuk dua. Por po u bënë ca gabime dhe nuk u vlerësuan intelektualë si unë, zor se fitojmë.
- Do jesh patjetër Flamur. Për ty dhe Fahriun do këmbëngul vetë, do vë veton. Të tjerët i di ai burri.
- Rrofsh! - i tha Flamuri. - Jo për gjë, po e kërkojnë njerëzit, se unë s’kam ndonjë interes, më mirë jam këtu te partia, kam më shumë pushtet, se kam gjithë gjërat në dorë. Në Kuvend do kem vetëm kartonin.