Gjykata e Lartë rrëzon Gjykatën e Faktit dhe Apelit për Bashën
Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Faktit dhe Apelit për mbylljen e dosjes penale ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i cili është i pandehur për abuzime gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Vendimi i marrë gjatë ditës së djeshme është argumentuar me faktin se mbyllja e dosjes së Bashës nga Gjykata e Faktit dhe Apelit është kryer në shkelje të hapur të Kushtetutës. Dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit e kishin mbyllur dosjen ndaj ish-ministrit të Transporteve për tejkalim të afateve hetimore nga ana e prokurorisë. Kjo e fundit tashmë ka të drejtën të rishikojë dosjen ndaj Bashës, i cili, edhe pse u përpoq me të gjitha mënyrat për të mbyllur dosjen në ngarkim të tij, tashmë mund të merret i pandehur. Në fakt, Gjykata e Lartë vetëm 20 ditë më parë vendosi mbylljen e dosjes ndaj Bashës me argumentin e shkeljes së procedurave nga ana e prokurorisë.
Vendimi
Dosja penale ndaj ish-ministrit të Transporteve, aktualisht ministër i Jashtëm, Lulzim Basha, kur dukej se tashmë ishte mbyllur përfundimisht, ka shënuar një surprizë. Kjo, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, e cila ka rrëzuar vendimin e marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në kryeqytet, të cilat kishin vendosur mbylljen e hetimeve për dosjen e rrugës Durrës-Kukës. Këto të fundit, me argumentin e shkeljes së afateve hetimore nga ana e prokurorisë, kishin vendosur mbylljen e njërës prej dosjeve më të bujshme gjatë këtyre viteve të fundit. Sipas vendimit të djeshëm, Gjykata e Lartë është shprehur se Gjykata e Faktit dhe Apelit kanë shkelur Kushtetutën gjatë dhënies së vendimit për mbylljen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Transporteve. Kjo, duke qenë se, sipas saj, këto të fundit kanë shkelur Kushtetutën, pasi nuk kanë pasur kompetencën për të marrë në shqyrtim një kërkesë nga ana e Bashës, ndaj të cilit nuk kishte nisur hetimi. Me vendimin e djeshëm prokuroria ka të drejtën për të rishikuar dosjen në ngarkim të ministrit të Jashtëm. Në fakt, 20 ditë më parë, edhe vetë Gjykata e Lartë, me relator gjyqtarin Spiro Spiro, ishte shprehur në favor të vendimeve të këtyre dy gjykatave, duke mbyllur dosjen në ngarkim të Bashës. Argumenti për këtë vendim ishte për shkelje të procedurave hetimore nga ana e organit të akuzës. Sipas gjykatës, marrja e ministrit Basha në cilësinë e të pandehurit dhe njoftimi i akuzës u bënë jashtë afateve ligjore. Por, burime pranë prokurorisë shprehen se vendimi i djeshëm i gjykatës lë vend për rishikimin e vendimit të 10 prillit dhënë nga po kjo gjykatë, e cila pushoi çështjen për rrugën Durrës-Kukës. Megjithatë, ende nuk dihet se si do shkojë dosja ndaj ministrit Basha, pasi kryeprokurorja Rama deklaroi disa ditë më parë se për momentin nuk ka asgjë të re në lidhje me këtë dosje.
Mbyllja e dosjes
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me në krye gjyqtarin Spiro Spiro, pushoi akuzat më 10 prill për ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha. Një vendim i formës së prerë i shkallës më të lartë të gjyqësorit pushoi çështjen në ngarkim të ish-ministrit, aktualisht ministër i Jashtëm, për shkak të procedurave të parregullta hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas vendimit të gjykatës, marrja e ministrit Basha në cilësinë e të pandehurit dhe njoftimi i akuzës është bërë jashtë afateve ligjore. Në të tilla kushte, Kolegji Penal e cilësoi si “Absolutisht të pavlefshëm” aktin e dërgimit të dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë. Relatori i seancës, gjyqtari Spiro Spiro, u shpreh gjatë arsyetimit të vendimit se dosja nuk mund të shqyrtohet, pasi organi i akuzës u ka mohuar të pandehurve të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm. I pavlefshëm u shpall akti i fletëthirrjes së datës 24 nëntor 2008, për marrjen në cilësinë e të pandehurit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ndërsa po ashtu i pavlefshëm u shpall edhe akt-njoftimi i akuzës me postë ndaj tij në datën 27 nëntor 2008. Bashkë me ish-ministrin e Transporteve i pandehur në këtë dosje ishte dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë në tender apo ankand publik”, duke i sjellë dëm shtetit shqiptar në një shifër rreth 230 milionë euro. Këto vepra penale janë konstatuar gjatë hetimit të përgatitjes së tenderimit dhe shpalljes fituese të firmës që po ndërton segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e financuar nga buxheti i shtetit. Prokuroria e Përgjithshme, më datë 5 dhjetor të 2008, vendosi të mbyllë fazën hetimore dhe të dorëzojë dosjen penale për gjykim pranë Gjykatës së Lartë ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, dhe ish-vartësin e ministrit, Andi Toma, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
Zgjatja e hetimeve
Në nëntor të vitit të kaluar, Prokuroria e Përgjithshme pohoi se do të zgjaste deri më datë 6 dhjetor afatin për mbylljen e hetimeve për dosjen e rrugës Durrës-Kukës. Motivi i shtimit të këtij afati me një muaj, sipas prokurorisë, ishte për t’i njoftuar aktakuzën ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i cili akuzohet se ka abuzuar me detyrën gjatë kohës që ka drejtuar Ministrinë e Transporteve. Por, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, pretendon se prokuroria nuk i ka vënë në dispozicion dosjen me akuzat ndaj tij. Për këtë arsye, Basha kërkoi nga ana e gjykatës pushimin e çështjes në ngarkim të tij. Pretendimi i tij u hodh poshtë nga ana e prokurorit Arben Kraja, i cili pohoi se ministrit dosjet hetimore ia ka dërguar me anë të postës. Por, në të njëjtën ditë që dosjet kanë mbërritur në Ministrinë e Jashtme, vartësit e Bashës i kanë kthyer pas ato, duke i lënë në shkallët e prokurorisë. “Dosjet janë dërguar me postë, por persona nga Ministria e Jashtme i kanë hedhur ato sërish ato para dyerve të prokurorisë”, - bëri të ditur disa ditë më parë prokurori Kraja. Ndërkohë, Basha shprehet se këto janë fabula të prokurorisë dhe nuk ka ndërmend të merret me to, por do të presë vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin ose jo të çështjes. Por kërkesa e Bashës për pushimin e çështjes në ngarkim të tij është marrë në konsideratë nga të tria shkallët e gjykatës, ajo e Faktit, Apelit dhe Gjykata e Lartë, të cilat vendosën mbylljen e dosjes hetimore ndaj tij. Kjo, duke qenë se, sipas tyre, prokuroria kishte shkelur procedurat hetimore.