E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna ndaj arbitrave, reagon ashpër ambasada italiane

Nga Bledar Lumani

Ambasada italiane ka reaguar ashpër ditën e djeshme ndaj dhunës së ushtruar në Peqin ndaj tre gjyqtarëve italianë. Në një komunikatë për shtyp, kjo ambasadë e ka cilësuar atë si një ngjarje të rëndë dhe ka kërkuar marrjen e masave ndaj përgjegjësve. Gjyqtarët anësorë italianë, Gianantonio Pugiotto e Gianluca Kaccialdo, u goditën dhe shanë nga tifozët e skuadrës së futbollit të Peqinit, gjatë ndeshjes gjysmëfinale për Kupën e Shqipërisë që kjo e fundit zhvilloi me Flamurtarin e Vlorës.

Reagimi

“Pardje, më 29 prill, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shkumbini-Flamurtari, që u zhvillua në Peqin nën drejtimin e gjyqtarëve italianë, (treshe e arbitrave të “Serisë A”), arbitri dhe dy bashkëpunëtorët e tij janë bërë objekt i një agresioni të rëndë nga ana e spektatorëve që asistonin në këtë event sportiv”, - bëri të ditur gjatë një komunikatë për shtyp ditën e djeshme ambasada italiane. Kjo e fundit e ka dënuar këtë akt të rëndë, duke i cilësuar masat e marra të sigurisë nga ana e policisë si të papërshtatshme. “Ambasada italiane nënvizon aspektin e rëndë të kësaj ndodhie që ka goditur qytetarët italianë të angazhuar në një aktivitet sportiv zyrtar në territorin shqiptar dhe papërshtatshmërinë e masave të sigurisë të ndërmarra në mbrojtje të pjesëmarrësve në këtë event sportiv, dhe në mënyrë të veçantë mbrojtjen e stafit të arbitrave italianë, objekt të këtij agresioni”, - thuhet në reagimin e ambasadës. Ndërkohë, kjo e fundit ka kërkuar marrjen e masave të duhura të sigurisë dhe ndëshkimin e përgjegjësve për ngjarjen e rëndë të ndodhur gjatë pasdites së të mërkurës në qytetin e Peqinit, kur u ushtrua dhunë ndaj gjyqtarëve italianë të ndeshjes së futbollit Peqini-Flamurtari. “Ambasada italiane, duke theksuar veprimtarinë e vazhdueshme të promovimit të kontakteve midis shoqërisë civile shqiptare e asaj italiane, dhe në veçanti në sektorët e rinisë e sporteve, dhe në përgjithësi në projektimin e një imazhi pozitiv të këtij vendi, uron sinqerisht që sjellje të këtij lloji të mos përsëriten me dhe që do të merren masat e duhura e në kohë ndaj përgjegjësve të kësaj ngjarjeje”, - përfundon reagimi zyrtar i ambasadës italiane.

Ngjarja

Gjyqtarët italianë që kanë gjykuar gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë mes ekipit të futbollit të Peqinit dhe Flamurtarit, u dhunuan gjatë pasdites së të mërkurës. Spektatorët e shumtë i kanë goditur me sende të forta ata, ndërkohë që gjatë gjithë ndeshjes kanë ushtruar presion psikologjik ndaj tyre. Fillimisht ata kanë goditur futbollistët vlonjatë, ndërsa më pas kanë sulmuar vijërojtësit italianë. Dhuna ndodhi pas shënimit të golit të barazimit nga ana e ekipit të Flamurtarit, gjë që praktikisht solli eliminimin e Peqinit nga kupa. Si pasojë e dhunës së ushtruar nga ana e tifozëve, ndeshja u ndërpre për disa minuta. Ndërkohë, për këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Komisioni i Disiplinës është mbledhur dje për të analizuar ngjarjen në fjalë, ku disa tifozë dhe një pjesë e stafit sulmuan fizikisht lojtarët miq dhe tre gjyqtarët italianë, të caktuar për të drejtuar ndeshjen. Kështu, fusha e Peqinit është dënuar me katër ndeshje, ndërsa klubi i Peqinit do paguajë 300 mijë lekë gjobë. Sakaq, Shoqata Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit dënoi dje ashpër dhunën e ushtruar në fushën e Peqinit. “Ne kërkojmë nga komisionet përkatëse ndëshkimin e autorëve të dhunës dhe konfirmojmë se nuk do të gjykojmë në fusha apo stadiume, ku nuk sigurohet rendi dhe paprekshmëria e arbitrave”, - nënvizoi Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›