E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Imami nxorri në shitje repartin që e kërkuam për shkollë



Partia Socialiste denoncon një tjetër rast kur Bashkia e Tiranës ka kërkuar një tokë shtetërore për të ndërtuar një shkollë dhe qeveria e ka futur atë në listën e objekteve që do të privatizohen. "Tashmë, përveç Priftit kërcen edhe Imami nga belaja, i cili alarmit për të hequr dorë nga privatizimi i fushës së Aviacionit, iu përgjigj me një gënjeshtër të madhe, duke paraqitur një vendim të Këshillit të Ministrave, që askush nuk po arrin ta gjejë, sepse nuk ekziston asnjë vendim i tillë", - tha deputeti socialist, Eduard Shalsi. Sipas tij, ky objekt ushtarak u kërkua nga bashkia e kryeqytetit, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh. "Sot kemi ardhur në kodër Kamëz, pikërisht në ish- repartin ushtarak 3030, të cilin prej kohësh Bashkia Tiranës e ka kërkuar për të ndërtuar një shkollë. E ndërsa i gjithë ky komunitet kërkon të shohë një shkollë në këtë vend, dora e Imamit, me urdhër të Priftit, për llogari të Sali Berishës, kërkon ta shesë duke e nxjerrë në listën e objekteve për privatizim, siç e shikoni në këtë njoftim", - theksoi më tej Shalsi. "Një tjetër thirrje këtyre qeveritarëve të "uritur" për të gllabëruar prona publike, të destinuara për parqe, lulishte, kopshte, çerdhe, shkolla. Hiqni dorë ose përndryshe do të përballeni me rezistencën tonë të vendosur dhe me rezistencën e këtyre komuniteteve. Ne do të zhbëjmë çdo privatizim abuziv e korruptim", - theksoi më tej deputeti i selisë rozë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›