Të pastrehët, kushtet dhe çmimet e reja për shtëpitë
nertila maho
Familjet e pastreha që duan të përfitojnë një kredi të lehtësuar nga shteti për blerjen e një apartamenti, do t'u duhet të paraqesin një dokumentacion më të hollësishëm. Ndryshimet e fundit në udhëzimin "Mbi përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti", i cili hyri në fuqi në mes të muajit korrik, përfshijnë një sërë pikash.
Dokumentacioni
Në udhëzim, së pari ka ndryshuar dokumentacioni që duhet të paraqitet për të përfituar. Përveç certifikatës së gjendjes së familjes para vitit 1992, lind nevoja të paraqitet edhe certifikata e gjendjes aktuale të familjes. Dokumenatat e tjera që kërkohen në udhëzim janë të njëjta me ato të udhëzimit të vjetër: vërtetim që banesa ku jetohet aktualisht nuk është e regjistruar dhe as në proces regjistrimi, një vërtetim për përfitimin e statusit "banor në ish-pronë private" miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak, përpara vitit 2006. Qytetarët që nuk janë përfshirë në listat, të cilat kanë dërguar bashkitë pranë entit dhe respektivisht nuk kanë përfituar statusin me vendim të Këshillit Bashkiak, duhet të paraqesin një sërë dokumentesh të tjerë, përveç atyre të mësipërme, në mënyrë që të përfitojnë nga programi i kreditimit me interes zero. Kërkohet: 1) kopje e kontratës së qiramarrjes (me ish-ndërmarrjen komunale banesa) ose/autorizim apo vendim të lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv (origjinale ose të noterizuara), 2)vendim gjykate për kthim prone pronarit të ligjshëm, ose/dokument të lëshuar nga ish- NK banesave për kalim prone në favor të pronarëve;/ose/vendim i kthimit të pronës nga Komisioni i Kthimit të Pronave pronarit të ligjshëm".
Kategoritë përfituese
Udhëzimi i ri bën një ripërcaktim të kategorive të pastreha, që përfitojnë kredi me kushte të lehtësuara nga shteti. "Përfitojnë kredi me interes 0% edhe: Familjet që kanë qenë qiramarrës në ish-pronë private, të cilët vazhdojnë të banojnë në
po të njëjtën shtëpi pronar, por që për arsye ekonomike janë ndarë nga trungu familjar para vitit 1992; familjet që banojnë në banesat e emigrantëve politikë dhe ekonomikë; familjet qiramarrëse, banuese në ish-pronë private në qiramarrje me pronarin, para vitit 1992. Për familjet qiramarrëse në ish-pronë private, në të cilat njëri nga pjesëtarët e familjes së certifikatës së 1992 është shkëputur nga trungu familjar dhe ka përfituar pronë, struktura që do të përfitojë kjo familje të llogaritet vetëm për pjesëtarët e tjerë, të cilët mbeten në certifikatën e 1992", - thuhet në udhëzim. Për familjet e divorcuara sqarohet se përfitojnë të dyja ato që janë krijuar mbas divorcit, por përllogaritja e përfitimit do të bëhet duke iu referuar certifikatës familjare të vitit 1992, duke pasur parasysh edhe ndarjen e familjes.
çmimet e apartamenteve
çmimet e reja të apartamenteve për një sërë qarqesh shoqërojnë udhëzimin e ri të ministrive, Financave dhe asaj të Punëve Publike. Për personat që duan të kreditohen në një masë mbi kufirin maksimal, udhëzimi saktëson praktikën që ndiqet. "Për çdo qytet, kufiri maksimal i kreditimit për familje llogaritet sa 80% e vlerës së apartamentit të blerë në treg, sipas çmimeve kufij që jepen në tabelën nr.2, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi. Në rast se familja kërkon të kreditohet për një vlerë më të madhe, diferenca e kredisë paguhet me interesin e bankës", - përcakton pika 11 e ndryshuar e udhëzimit.