E Diel, 1 Nëntor 2026

Radarët "heqin" 600 patenta, deputetët të parët që ankohen



Etleva Delia

Vetëm për dy javë, që prej ditës kur nisën të funksionojnë radarët në autostrada, fotografimet dhe filmimet "online" u kanë "hequr" patentat 600 shoferëve që kanë tejkaluar shpejtësinë. Duke qenë se sistemi "Scout", një sistem modern i integruar që mundëson fotografimin, filmimin dhe transmetimin online të informacionit në sallën e komandimit, nuk favorizon as pushtetarët, ka pasur edhe pakënaqësi. Të parët që janë ankuar për gjobën që u ka shkuar me postë në shtëpi kanë qenë deputetët. Tri ditë më parë një deputet, emri i të cilit nuk bëhet publik nga policia, u fokusua nga një radar në autostradën Tiranë-Durrës, teksa lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. Fakti që radari kishte shënuar automatikisht gjobën në ngarkim të tij dhe gjithçka kishte kaluar në sistem, nuk mund ta toleronte vetëm për faktin që ishte deputet. Burime nga Policia Rrugore thanë se edhe ai u detyra të paguante gjobën, si të gjithë drejtuesit e tjerë të automjeteve. Veç sensibilizimit të shoferëve, për të mos tejkaluar shpejtësinë, vënia në funksion e radarëve nga Njësia e Kontrollit të Autostradave, shërben edhe për të shmangur abuzimet, nga kontakti i drejtpërdrejtë i policit rrugor me drejtuesit e mjeteve.
MASAT PER AKSIDENTET
Në analizën 6-mujore të Policisë Rrugore të Tiranës, ajo që ra në sy menjëherë gjatë prezantimit të statistikave, ishin aksidentet, që në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kanë pësuar një rënie. Sipas të dhënave të policisë, gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në territorin e kryeqytetit kanë ndodhur 260 aksidente automobilistike, 13 më pak se vitin e kaluar. Nga këto aksidente kanë humbur jetën 27 persona, nga 38 persona që gjetën vdekjen në 6-mujorin e parë vitin e kaluar. Specialistët e qarkullimit shpjegojnë uljen e numrit të aksidenteve me masat që janë marrë nga efektivat rrugorë, për parandalimin e ngjarjeve të tilla. Sipas policisë, çdo fundjavë në kryeqytet pozicionohen patrulla të policisë rrugore dhe të rendit, në pikat strategjike ku mund të kalojnë kryesisht të rinj, që kalojnë orët e natës duke konsumuar pije alkoolike. Më konkretisht, policia shpjegon se në zonën e ish-Bllokut, nuk lejohet që të kalojnë automjete pas orës 23:00 gjatë fundjavës. Deri tani kjo skemë ka funksionuar, pasi të rinjtë që kalojnë fundjavën në lokalet e ish-Bllokut, mund të konsumojnë alkool dhe më pas të lëvizin me taksi. Në këtë mënyrë, duke mos qenë vetë në timon, shmangen edhe aksidentet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›