E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshatarët kërkojnë ndihmë: Toka jonë është e minuar

Fshati Vajkan ndodhet vetëm 4 km larg nga qyteti i Fierit dhe shtrihet përgjatë rrugës kombëtare Fier-Lushnjë. I ndërtuar pas viteve ‘70, Vajkani sot jep alarmin SOS si shkak i municioneve ushtarake, që banorët dëshmojnë se janë ende aktive aty. Fshatarët tregojnë se kur ka rënë zjarr në zonë, ka pasur shumë shpërthime dhe ekspertët kanë përcaktuar se në ullishtat e fshatit ka shumë predha të futura nën dhe. Rreth 3 mijë banorë të kësaj zone kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të shtetit, me qëllim pastrimin e zonës nga municionet. Banorët tregojnë mbetje të minave e predhave. "Duam vetëm që të pastrohet zona. Duam të jetojmë të qetë dhe të mos frikësohemi më për hapin që hedhim", - kanë shkruar në një peticion drejtuar komunës e prefekturës banorët e Vajkanit. Pranë fshatit ndodhet ish-Reparti i Tankeve, që është kthyer tashmë në një godinë të braktisur e sakatosur, ndërkohë që 8 tunelet që ndodhen aty, janë cilësuar më parë si një mburojë dhe kanë komunikuar me anën e tuneleve të tjerë të nëndheshëm. Prej këtij reparti ushtarak dhe municioneve që janë depozituar më parë aty, ka ardhur edhe alarmi i banorëve. Këta të fundit kanë arritur të veçojnë edhe pjesën e terrenit, e cila nuk duhet të shkelet për shkak të rrezikut nga shpërthimet. Sipas banorëve të Vajkanit, municionet janë groposur e hedhur përqark repartit në vitet e fundit. Pas peticionit të banorëve, komuna ka kërkuar ndihmën e specialistëve të ushtrisë, për të kontrolluar zonën dhe për të përcaktuar nivelin e infektimit të saj nga municionet. Edhe Policia e Fierit ka shkuar për inspektim në këtë zonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›