E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, nën ujë ka ende mina të Luftës së Parë Botërore

Sipas të dhënave të deklaruara zyrtarisht, në bregdetin e Vlorës nuk ka më municione të rrezikshme për popullatën. Autoritetet ushtarake dhe ato lokale kanë deklaruar se zona e Vlorës tashmë është e parrezikshme, por në këtë deklarim nuk është marrë parasysh territori nënujor. Sipas burimeve të besueshme, përgjatë bregdetit të Vlorës, në det, ka një sasi të konsiderueshme predhash të madhësive të ndryshme, të cilat janë të hedhura në grupime të vogla dhe të mëdha. Të tilla ka në zonën e Triportit, atë të Kalasë, pranë Uzinës së Pashalimanit, në zonën e Karaburunit, Porto Palermos, si dhe në zonën e Dhërmiut. Sipas specialistëve, një pjesë e konsiderueshme e municioneve kanë të montuara djegoret, që dhe pse kanë shumë vite në det, janë në gjendje të shpërthejnë në se do të ngacmohen. Municioni i hedhur në det është i Luftës së Parë dhe së Dytë Botërore, por edhe i vitit 1997. Sipas burimeve, pranë bregut ka edhe mina detare, të cilat janë hedhur nga ajri dhe kanë nga pas një tip parashute. Zhytësit tregojnë se këto mina dallohen qartë që janë prodhim amerikan, pasi flamuri i SHBA-ve është stampuar në to. Nga ana tjetër, ka ushtarakë që deklarojnë se këto predha që ndodhen në det, nuk paraqesin rrezikshmëri të madhe nëse do të shpërthejnë. Sipas specialistëve, nxjerrja e këtyre predhave nga deti dhe eliminimi i tyre jashtë është shumë i rrezikshëm, sepse ato mund të shpërthejnë sapo të marrin kontakt me ajrin. Por ushtarakët thonë se duke qëndruar për vite të tëra në ujë të kripur, predhat e kanë humbur efektin shpërthyes. Por peshkatarët tregojnë se një predhë, që kishte rënë në rrejta, shpërtheu sapo u prek nga një peshkatar, duke i marrë jetën. Ndërkohë, mësohet se shumë zhytës mbledhin gëzhoja të predhave nën ujë dhe i shesin më pas në grumbullimin e metaleve për të fituar para. Shpërthimi i tmerrshëm i Gërdecit ka bërë që peshkatarët dhe të tjerët që punojnë në det, të jenë të shqetësuar për praninë e municioneve nën ujë. Për këtë arsye, edhe prefekti Vlorës, Xhevair Rexhepi, ka kryer një inspektim dje në Uzinën e Pashalimanit, ku ka marrë garanci nga ushtarakët e bazës së nuk ka asnjë rrezik në këtë zonë, sepse municioni dhe predhat që kanë qenë në këtë zonë janë të shkatërruara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›