E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mihal Delijorgji, si ndriti ylli i ekskavatoristit dropullit

Mihal Delijorgji, njeriu më i përfolur sot në Shqipëri, nuk ishte askush përpara 17 vjetësh. Një i ri me arsim tetëvjeçar dhe me një kurs mekanizatori, djali Dropullit do të ndiqte rrugën e babait, duke punuar me ekskavator në vendlindje. Rënia e diktaturës dhe hapja e kufijve e shkëputën Delijorgjin nga ekskavatori, për ta çuar në frontet e vështira të punës në Greqi, si shumë bashkëmoshatarë të zonës. Pas më pak se dy vitesh emigrim, Mihali u rikthye në Shqipëri për të nisur një biznes pak të eksploruar në atë kohë, atë të hekurit. Fillimet rezultuan të suksesshme, sepse Shqipëria gërmadhë ishte e etur për hekur për ndërtim, sikundër është e pangopur edhe sot. Por ylli i Delijorgjit do të ndriste vetëm në vitet 2000, kur në dorë të tij ra një pasuri përrallore: Qindra mijëra tonelata metale të shtrenjta, të harruara në depot e ushtrisë së shkatërruar të vendit. Shoqëria "Përparimi sh.a." e administruar prej Mihal Delijorgjit, arriti në vitin 2004 të siguronte një kontratë për demontimin e tankeve dhe autoblindave të ushtrisë, duke nisur kështu një biznes prej miliona dollarësh që përfundoi në mënyrë të tmerrshme fundjavën e shkuar, në Gërdec të Vorës.

Në Gjirokastër, shumë njerëz e kujtojnë me detaje kohën kur Mihal Delijorgji nisi të tërhiqte tanket nga repartet e ushtrisë.

Disa nga ish-ushtarakët tankistë të divizionit ushtarak "Labëria" në Gjirokastër, thonë se pas hapjes së depove dhe reparteve ushtarake gjatë trazirave dhe kaosit të vitit 1997, në repartin ushtarak të "Arshi Lengos", atëherë ish-brigadë luftarake tankiste, u grumbulluan të gjitha tanket ruse dhe kineze të reparteve tankiste të rajonit jugor të vendit. "Në këtë ish-brigadë tankiste, pas vitit 1997, u grumbulluan rreth 110 tanke të amortizuara të markave ruse dhe kineze, të sjella edhe nga repartet e tjera tankiste të brigadës nga Rusani i Delvinës dhe repartet e tankeve në Mashkullorë dhe Goranxi. Tanket u shitën dhe u tërhoqën për skrap në vitet e mëpasshme nga disa kamionë të mëdhenj të një firme private që në mos gaboj e kishte emrin ‘Përparimi‘ dhe me sa mbaj mend unë, kjo tërheqje zgjati për rreth 3 vjet gjatë kohës kur ministër i Mbrojtjes ishte Pandeli Majko", tregon për gazetën "Shqip" ish-oficeri tankist K.T.

Sipas tij, në atë periudhë, një tank shitej te kjo firmë private vetëm me 300 mijë lekë (të reja), ndërkohë që një tank rus peshonte nga 32 deri në 35 tonë, ndërsa një tank kinez peshonte më shumë se 36 tonë dhe në përbërje të tyre, thotë ai, kishte pjesë dhe pajisje çeliku special, gize, bakri dhe bronzi. "Nëse do të shiteshin pjesët dhe pajisjet e tankeve të demontuara nga ana jonë, si tankistë, ato do të krijonin të ardhura të pallogaritshme dhe ne tankistët nuk do të silleshim rrugëve pa punë", thotë ish-tankisti K.T.

Personin që merrej me blerjen dhe shitjen e tankeve, biznesmenin me kombësi greke dhe nënshtetësi shqiptare, nga fshati Terihat i Dropullit të Poshtëm, Mihal Delijorgji, ish-ushtaraku e ka njohur gjatë kohës kur kryente shërbimin ushtarak në Gërhot. "Para ndryshimeve politike të vitit 1990, Delijorgji njihej në Gjirokastër si një nga ekskavatoristët më të dalluar të ish-Ndërmarrjes Shtetërore të Bonifikimeve, "zanat" që ai e trashëgoi nga babai, që ishte një nga mekanizatorët më të zotë të mjeteve të rënda që bonifikuan fushën e luginës së Drinos", thotë ish-ushtaraku. Pas kësaj periudhe, thotë ai, Mihali njihet si një biznesmen i suksesshëm i shitjes së shufrave të hekurit për ndërtim.

Bashkëfshatarët e Delijorgjit, nga Terihati, thonë se pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare dhe shërbimit ushtarak të detyruar, ai ka përfunduar një kurs kualifikimi për mekanizator në Durrës. Deri në orët e fundit të sistemit komunizmit Delijorgji ka punuar si ekskavatorist në punimet bonifikuese, por pas vitit 1990, ai ka nisur biznesin privat dhe i mbështetur edhe nga familjarët e bashkëshortes, ka shënuar suksese me veprimtarinë e tij të tregtisë dhe biznesit privat në disa fusha.

Gjatë kohës kur nisi shitja dhe tërheqja e tankeve nga reparti i "Arshi Lengos", pohon ish-oficeri tankist K.T.,///////////////// thotë se një ish- nënoficer tankist që do të dilte në asistencë nga mbyllja e repartit kërkoi tek autoritetet e Repartit të Tankeve që të blinte një tank me çmimin e shitjes te firma private, por kjo gjë nuk ju mundësua, pasi sipas drejtuesve të ish-divizionit "Labëria", tanket ishin shitur me ankand te firma transportuese. "Kur mora vesh se një tank shitej vetëm me 300 mijë lekë, duke e njohur mirë fuqinë e tankeve që kisha përdorur gjithë jetën, mendova që të merrja një tank, për ta përdorur për punime bujqësore, por shefat më thanë se të gjithë tanket ishin shitur në një dorë te një firmë private", tregon ish-nënoficeri S.D., që dëshironte të blinte një nga tanket që kishte blerë dhe transportuar për në Elbasan biznesmeni Mihal Delijorgji.

Shkaku kryesor që e shtyu ish-nënoficerin të blinte një tank, ishte fakti që gjatë kohës kur firma private e Delijorgjit ishte duke tërhequr dhe transportuar tanket për skrap, kishin humbur dy tanke, dhe kjo gjë u kalua shumë lehtë nga efektivi i një reparti që deri në momentin e shitjes së tankeve e kishte jetën e tij e të familjes të lidhur pazgjidhshmërisht me këta tanke.

"Fillimisht ne tankistët nuk besonim që ata tanke ishin duke u shitur me 300 mijë lekë do të shkriheshin në furrnaltat e Elbasanit dhe më kujtohet se shumë nga ish-kolegët e mi tankistë u tallën me mua atëherë që kërkova të blija një tank, por kur mësuan se dy tanke "kishin bërë këmbë", kishin humbur pa nam e nishan dhe askush nuk u shqetësua për këtë humbje, të gjithë kuptuan se tanket tona kishin marrë rrugën e shkrirjes dhe paratë e shitjes së tyre "kishin gjetur vendin" dhe ne duhet të dilnim "si rruar e qethur" në asistencë", tregon ish-nënoficeri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›