E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet, Ina Rama u kërkon ndihmë ekspertëve amerikanë

Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ndihmën e autoriteteve amerikane për hetimin e tragjedisë së Gërdecit. Kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar mbështetje për përshpejtimin e hetimeve përmes ambasadorit të SHBA-së në Tiranë. Nga autoritetet amerikane janë kërkuar informacione në lidhje me kompaninë "Southern Ammunition" dhe aktivitetin e saj. Gjithashtu është kërkuar asistencë dhe ekspertizë e specializuar nga ekspertë të FBI-së për identifikimin e kufomave, si dhe për kryerjen dhe analizimin e vendit të ngjarjes. "Në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fshatin Gërdec, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u është drejtuar për ndihmë autoriteteve të SHBA-së. Për të përshpejtuar sa më tepër hetimet, ndihma është kërkuar përmes ambasadorit të SHBA-së në Tiranë", tha Akuza Qendrore në një komunikimin zyrtar. Sipas saj, ndihma është në dy drejtime: "Për marrjen e informacioneve në lidhje me shoqërinë ‘Southern Ammunition Company Inc‘ dhe aktivitetin e saj" dhe "Për asistencë dhe ekspertizë të specializuar të ekspertëve të FBI-së në lidhje me identifikimin e kufomave si dhe të këqyrjes dhe të analizimit të vendit të ngjarjes, si dhe bërjen e një studimi të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes".

Mediu në prokurori

Prokuroria do të thërrasë për të dëshmuar dhe për të dhënë shpjegime rreth ngjarjes ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun. Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme ka njoftuar dje se hetimet kanë ardhur në pikën që kërkojnë edhe shpjegimin e Mediut në lidhje me shpërthimin që ndodhi në Gërdec, si edhe për procedurat e dhënies së çmontimit firmës "Alba Demil" të Mihal Delijorgjit. Ndërkohë sipas grupit të prokurorëve ka filluar verifikimi i pasurisë së administratorit të firmës "Alba Demil". "Prokuroria do të ftojë për të dhënë deklarime dhe shpjegime të mëtejshme rreth ngjarjes edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun", thuhet në njoftim. Sipas saj, prokuroria dhe prokurorët e përfshirë në hetimin e tragjedisë së Gërdecit po vazhdojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e kësaj çështjeje, duke marrë të gjitha të dhënat e mundshme, e administruar prova që ndihmojnë në zbardhjen apo hedhjen dritë mbi tragjedinë e 15 marsit në Gërdec të Vorës. "Deri më tani janë marrë në pyetje persona të Ministrisë së Mbrojtjes, e Shtabit të Përgjithshëm që kanë dijeni për ngjarjen. Nga prokurorët e çështjes është sekuestruar i gjithë dokumentacioni në Ministrinë e Mbrojtjes dhe po punohet për të kërkuar akte të tjera në shërbim të hetimit", deklaron Akuza Qendrore.
Grupi hetimor

Sipas zyrës së shtypit të Kryeprokurores Ina Rama, hetimi i tragjedisë së Gërdecit po ndiqet nga katër prokurorë dhe disa oficerë policie e ekspertë. "Grupi i prokurorëve udhëhiqet nga Genci Qano, zëvendësprokuror i Tiranës, Arben Dollapi, prokuror, Petrit Bici, prokuror i Seksionit Ushtarak dhe Etien Kapo, prokuror. Ndërkohë, burime pranë akuzës deklarojnë se së shpejti pritet të bashkohet në grupin hetimor një prokuror amerikan, i cili do të kryejë hetime për kompaninë amerikane të kontraktuar.

Rregullorja e Kuvendit

Kur bëhet heqja e imunitetit të një deputeti

Një kërkesë si dhe dokumentet shoqëruese për dhënien dhe autorizimin për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari ia nis kërkesën për shqyrtim Këshillit për Rregulloren dhe Imunitetit, Mandateve dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën më të parë plenare. Po kështu, lajmërohet edhe deputeti për këtë kërkesë. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në këshill shpjegimet dhe vërejtjet e tij lidhur me çështjen. Në përfundim të shqyrtimit, këshilli, brenda katër javësh, harton një raport për në seancën plenare, në të cilën rekomandohet rrëzimi ose miratimi e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj tij. Raporti i këshillit iu shpërndahet deputetëve. Në seancën plenare të parit i jepet fjala deputetit, i cili iu përgjigjet dhe pyetjeve të deputetëve të tjerë. Në rast se Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale brenda tre muajve nga data e kërkesës, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar.

Deklarata

SHBA: Do të ndihmojmë Prokurorinë e Përgjithshme

"Pas shpërthimeve në Gërdec, ambasada e SHBA-së mësoi për ekzistencën e një kompanie amerikane, ‘Southern Ammunition Company‘, Inc. (SAC) nga Karolina e Jugut. Me sa kuptojmë, Prokuroria e Përgjithshme, si pjesë e hetimeve të saj, do të hetojë edhe rolin e mundshëm të SAC në këtë tragjedi. Ambasada e SHBA-së do të bëjë çdo gjë brenda mundësive të saj për të ndihmuar në hetimin e Prokurores së Përgjithshme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›