Anulimi i tenderit, Vasili: Firma nuk ishte serioze
Ministri i Shëndetësisë sqaron arsyen pse Banka Botërore ka tërhequr investimin 1.1 miliardë dollarë për tenderimin e pajisjeve spitalore
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, sqaron arsyen pse Banka Botërore ka tërhequr investimin 1.1 miliardë dollarë për tenderimin e pajisjeve spitalore. Ai e konsideron jo shqetësues anulimin e një tenderi për blerjen e pajisjeve mjekësore me fondet e Bankës Botërore. Sipas tij, kjo ka ndodhur për faktin se firma e vetme që konkurronte nuk ishte serioze. Vasili tha se vërtet tenderi prej 3.6 milonë dollarësh është anuluar, por këto para alokohen nga Banka Botërore për shërbime të tjera dhe nuk konsiderohen të djegura. “Komisioni përkatës i vlerësimit të ofertave, i ngritur sipas procedurave, ka vlerësuar dhe ka shpallur kompani fituese kompaninë me çmimin më të ulët. Ka qenë Banka Botërore, e cila nuk ka pranuar çmimin më të ulët. U rivlerësua dhe në bazë të vlerësimit u shpall një kompani e caktuar. Banka Botërore insistoi për një kompani tjetër që të shpallet fituese, kjo kompani për fat të keq kishte deklarime të rreme dhe false në dokumentet për tenderin, gjë e cila iu bë me dije me shkrim dhe specialistëve të Bankës Botërore”, - ka deklaruar ministri Vasili. Në fakt, sipas Bankës Botërore, kanë qenë problemet dhe shkeljet e rënda në tenderin e pajisjeve spitalore që e kanë detyruar atë të anulojë financimin prej 1.1 milionë dollarësh. Ndërkohë që i gjithë operacioni dështoi pasi komisioni i Vlerësimit në Ministrinë e Shëndetësisë skualifikoi firmën që ka bërë ofertën më të ulët dhe rekomandoi një kompani e cila bëri një ofertë 600 mijë dollarë më të lartë. Më 27 gusht 2010 ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, urdhëroi prokurimin e pajisjeve mjekësore për spitalet rajonale në shumën 3.6 milionë dollarë. Përzgjedhja do të bëhej nga Komisioni i Vlerësimit, i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, dhe i drejtuar nga Mirela Cano. Sipas Bankës Botërore, “Komisioni i Vlerësimit refuzoi ofertën e kompanisë ‘Nihon Kohden’, e cila ishte teknikisht e aftë dhe solli edhe ofertën më të ulët në tender për kontratën në fjalë dhe kontrata iu rekomandua ‘Philips’, një kompanie që paraqiti një ofertë prej 600 mijë dollarësh më të lartë”. Në një letër korrespondencë, që drejtoresha kombëtare dhe koordinatorja rajonale për Europën Juglindore, Europën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, Jane Armitage, i ka dërguar më 9 gusht 2011 ministrit të Financave, Ridvan Bode, ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, sekretares së Përgjithshme të Ministrisë, Mirela Cano, drejtorit të Përgjithshëm të Spitaleve, Pëllumb Pipero, drejtoreshës së ISSH, Elvana Hana dhe disa autoriteteve të tjera, drejtoresha e Bankës Botërore shpall keqpërdorim dhe keqprokurim të tenderit. Armitage thekson se Komisioni i Vlerësimit të tenderit ka thyer rregulloren e Bankës Botërore, duke favorizuar ofertuesin më të lartë dhe skualifikuar ofertuesin më të vogël. Madje, koordinatorja rajonale për Europën Juglindore e BB rezervon të drejtën të kërkojë dëmshpërblim sipas rregullores financiare.