QSUT, nis puna për ristrukturimin e shërbimeve
Nis puna për ristrukturimin e shërbimeve në spitalin “Nënë Tereza”. Nën drejtimin e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, Bordi i spitalit universitar “Nënë Tereza” ka vendosur miratimin e përbërjes së grupit të punës për ristrukturimin e shërbimeve të QSUT, me qëllim përmirësimin e eficiencës dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara. Pas diskutimeve, janë miratuar edhe drejtimet se ku do të ndërhyhet. Shërbimi i parë në këndvështrimin administrativ dhe si njësi mësimorë e kërkimore-shkencore njëkohësisht, do të jetë rishikimi edhe i numrit të shërbimeve. Po ashtu, do të shikohet numri i shtretërve dhe qarkullimi i shtratit sipas shërbimeve, mundësia e shërbimeve të integruara. Ditë qëndrimi i të sëmurëve në spital dhe kosto efektiviteti i shërbimeve është një tjetër çështje që do të shqyrtohet nga grupi i punës, sikurse edhe rishikimi i shërbimeve paralele dhe të dubluara. Grupi i punës duhet të përgatisë relacionin dhe të dorëzojë rekomandimet e tij pranë bordit brenda një afati 3-mujor nga dita e formimit.